Kosova do vazhdojë që të mbajë në fuqi taksën 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se situata do të mbetet kështu derisa Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke.
“Edhe ne kemi dëshirë që ta heqim taksën, më të vërtetë kemi dëshirë, e synojmë pra heqjen e taksës edhe për shkak se është sugjerim i aleatëve tonë, pra i Amerikës, por edhe pse e ndërlidhim pra heqjen e taksës me një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke. Pra ne kemi dëshirë dhe synojmë ta heqim. E kishim hequr sot, ju siguroj, sikur të mbërrinim një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke”, deklaroi kryeministri, Ramush Haradinaj.
Sa i përket takimit që u mbajt ndërmjet ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj, ky i fundit tha se në takim është diskutuar për procesin e dialogut.
“Biseda ka qenë dialogu, pra zhvillimet rreth dialogut të ndërlidhura me taksën e vendosur nga institucionet e Kosovës edhe t’i quaj ashtu, mundësitë për të ardhmen që të arrijmë te një avancim në dialog, pra ka qenë biseda. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, por ka qenë një bisedë e mirë”, deklaroi kryeministri Haradinaj.
Pas përfundimit të takimit, Kosnett, nuk u deklarua për mediat.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një njoftimi për media tha se institucionet e Kosovës do t’i marrin vendimet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne do të punojmë bashkë që vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, të jenë në interes të qytetarëve tanë dhe në koordinim të plotë me SHBA-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë”, deklaroi Veseli.
Ruajtjen e raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së e kërkoi të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një deklarim para mediave, presidenti Thaçi, tha se nuk i tolerohet askujt që t’i vendosë në rrezik marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-së pasi ky veprim sipas tij, do të cenonte vetë shtetin e Kosovës.
“Raportet me SHBA-në janë më të rëndësishme sesa çdo interes momental. Tani është momentumi për të menduar fuqishëm e të bashkuar të gjithë. Unë nuk prejudikoj në deklarimet e mija, jo ky njeri apo këtë njëri, këtë lider apo këtë lider, por flas në parim dhe kushdo që i cenon këto parime, kushdo që i cenon investimet e SHBA-së në Kosovë dhe relacionin me SHBA-në, natyrisht se nuk ka mbështetje qytetare dhe është devijim nga angazhimet strategjike Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosovës as liri as pavarësi nuk i vyen asgjë pa mbështetjen amerikane”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi me tej tha se institucionet e Kosovës duhet që të bëjnë përpjekje për të ndërtuar një raport special me SHBA-në.
Më 6 nëntor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës mori vendim që fillimisht të vendosë taksë doganore prej 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Vetëm pas pak ditësh, më 21 nëntor, Qeveria e Kosovës njoftoi për ngritjen e taksës në 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Përveç kësaj, më 28 dhjetor Qeveria e Kosovës vendosi taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.
Pas vendosjes së taksës, Institucionet e Kosovës u kritikuan nga Bashkimi Evropian. Zyrtarë të lartë BE-së duke përfshirë Komisionarin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn kërkuan heqjen e taksës.