Ndërlidhjet

Një vit qeverisje, pak rezultate


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, sipas organizatave joqeveritare dhe analistëve politik, nuk ka arritur të realizojë as përqindjen më të vogël të planit të parashikuar të punës.

Monitorimin e punës së qeverisë e bën organizata joqeveritare “FOL”.

Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Mexhide Demolli, thotë se për periudhën kohore janar-qershor, prej 225 aktiviteteve sa kanë qenë të parapara për t’u realizuar nga qeveria, vetëm 130 apo 57 për qind janë realizuar, ndërkaq, 95 aktivitete kanë mbetur të papërfunduara në këtë afat kohor.

Ajo thotë se përkundër numrit të madh të kabinetit qeveritar, ka aktivitetete që lehtë realizohen, por duket se nuk ka pasur një vullnet politik që ato të bëhen.

"Mbetet të shihet, por është një përqindje e ulët e punës në krahasim me numrin e madh të ministrave dhe zëvendësministrave që kjo qeveri ka. Është vetëm 57 për qind e punës së realizuar, siç edhe e ceka, ka aktivitetete shumë të thjeshta qoftë edhe takime me zyrtarë ose përpilimi i një koncept-dokumenti, por që as këto nuk kanë arritur të realizohen.

Mendojmë se duhet gjetur problemi se ku ka ngecur dhe të vazhdohet në mënyrë që të realizohet plani siç është paraparë dhe miratuar nga Qeveria e Kosovës", tha Demolli.

Organizata FOL, thotë se Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ka arritur të hartojë koncept-dokumentin për protokollin e shtetit si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit për sanksione ndërkombëtare.

Ndërkaq Ministria e Drejtësisë ka realizuar vetëm katër aktivitete, kurse 15 të tjera mbeten të parealizuara. Ministria e Shëndetësisë sipas organizatës “FOL” ka kryer vetëm 3 aktivitete në bazë të planit të qeverisë, përderisa 12 të tjera nuk i ka plotësuar.

Koalicioni i qeverisjes aktuale përbëhet prej një numri të madh të partive politike, çka ka rezultuar edhe me shtimin e numrit të ministrive dhe sidomos të posteve të zëvendësministrave.

Partitë opozitare në vazhdimësi kanë kundërshtuar qeverisjen e këtij koalicioni duke thënë se në radhë të parë, Kosova është dëmtuar në raport me dialogun politik me Serbinë.

Njohësit e rrethanave politike nuk kanë gjetur shumë elemente për ta vlerësuar pozitivisht punën një vjeçare të Qeverisë Harandinaj. Kryeredaktori i gazetës "Koha Ditore", Agron Bajrami tha për Radion Evropa e Lirë se një qeveri e një koalicioni kaq të gjerë nuk ka qenë në gjendje që të adresoj nevojat e qytetarëve më punën e saj në aspektin ekonomik apo në ndërtimin e politikave të reja që do të trajtonin problemet të ndryshme.

"Ajo që e karakterizon më së shumti këtë njëvjeçar është një përpjekje e qeverisë dhe kryeministrit për të imponuar një qeverisje e cila shpërfill kujdesin për paranë publike në disa prej vendimeve të cilat edhe shoqëria në përgjithësi dhe partitë politike opozitar i kanë kritikuar që nga fillimi i qeverisë".

"Këtu e kam fjalën për mënyrën se si është bërë falja milionëshe e borxheve madje një pagesë e paqartë për kompaninë 'Bechtel enka' 50 milionë euro. Mendoj se këto e kanë karakterizuar atë shpërfilljen e kujdesin për paranë publike", tha Bajrami.

Bajrami thekson se Qeveria Haradinaj, nuk është e treguar e shkathët as e përgjegjshme kur është në pyetje procesi i dialogut me Serbinë.

"Mendoj se qeveria e cila në vazhdimësi e ka pasur mandatin për ta udhëhequr dialogun e ka lëshuar atë mandat në mënyrë të pakuptimtë në duart e presidentit dhe tani kemi një situatë të krizës të them ashtu në raport me dialogun dhe një krizë e cila tek e fundit e kemi parë që edhe në Kuvendin e Kosovës po e tensionon skenën politike dhe po e përçanë madje edhe vet koalicionin qeverisës", tha Bajrami.

Qeveria e Kosovës ndërkaq thotë se brenda kësaj periudhe ka arritur në ndërmarrë 750 vendime që drejtëpërdrejtë kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e rendit dhe ligjit.

Sipas zëdhënëses Donjeta Gashi, 130 nga këto vendime kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik.

“Një nga këto vendime është zhbllokimi ë punës në minierat e thëngjillit përmes vendimit për shpronësimit e pronave në Hade dhe Shipitullë që rrjedhimisht për shkak të rinisjes së prodhimit kanë zbritur edhe faturat e energjise elektrike. Secila familje paguan më pak rrymë".

"Vendimi për themelimin e zonës së veçantë ekonomike amerikane që përfshin një hapësirë prej 500 hektarësh dhe që është edhe një plan strategjik i qeverisë së Kosovës për partneritet ekonomik dhe politik me SHBA për të vazhduar këtë partneritet".

"Është nënshkruar kontrata për termocentralin Kosova e Re si një përpjekje për të zgjidhur problemin për energji elektrike në vend. Sipas raportit të Bankës Botërore, Kosova është renditur në dhjetë vendet me reforma në botë sipas raportit 'doing biznes'”, tha Gashi.

Qeveria e vlerëson si sukses të saj edhe angazhimin për zgjidhjen e shumë temave që sipas saj kanë qenë të shtresuara nga e kaluara.

Zëdhënësja Gashi thotë se për herë të parë është përpiluar dokumenti që tregon pozitën e Kosovës në raport me dialogun teknik në Bruksel përderisa me vendimet e saj, Qeveria ka ndikuar edhe në shumë fusha tjera.

“Është aprovuar strategjia shtetërore kundër terrorizmit dhe plani i veprimit 2018-2023. Është shtuar buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për 18 milionë euro. Janë bërë lirime nga tatimi doganor në import për pajisje të teknologjisë informative. Për herë të parë kemi një ligj të pagave pasi deri tash pagat janë vendosur në bazë të vendimeve”, tha Gashi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është zgjedhur kryeministër i Kosovës më 9 shtator të vitit të kaluar, ndërsa koalicioni përbëhet nga një numër i madh i partive politike.

Marrëveshja për bashkëqeverisje e partive në pushtet, vazhdon të kritikohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, të cilat e kanë cilësuar koalicionin e ri, të dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG