Ndërlidhjet

Nismë multietnike në Kosovë për luftën kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave


"Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare" është mesazhi i shkruar në Prishtinë, pas vrasjes së një gruaje. Fotografi ilustruese nga arkivi.
"Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare" është mesazhi i shkruar në Prishtinë, pas vrasjes së një gruaje. Fotografi ilustruese nga arkivi.

E rrahur, e dhunuar apo e vrarë – një grua nuk ka përkatësi etnike, sepse ajo është rrahur, dhunuar apo vrarë vetëm për faktin që është grua. Kështu u tha në forumin “Strategjitë e përbashkëta për t’i dhënë fund femicidit”, që u mbajt në Prishtinë më 20 mars me qëllim të nxitjes së dialogut ndëretnik dhe bashkëpunimit mes të gjitha komuniteteve në Kosovë, për të përmirësuar kohezionin shoqëror dhe për të adresuar problemet kyç sociale.

Forumi i mbajtur në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave dhe femicidit.
Forumi i mbajtur në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave dhe femicidit.

Në këtë forum morën pjesë aktiviste për të drejtat e grave, kryesisht nga komunitetet shqiptare dhe serbe, të cilat vunë në dukje ato që i cilësuan si dështim të institucioneve si dhe problemet e shumta me të cilat përballen gratë që janë viktima të dhunës.

Disa nga rekomandimet kryesore që u prezantuan janë: prania e detyrueshme e sektorit civil ose aktivisteve për të drejtat e grave në këshillat komunalë të sigurisë, rritja e buxhetit për zyrat e barazisë gjinore, angazhim më i madh i qendrave për punë sociale, edukimi i zyrtarëve policorë si dhe publikimi i detyrueshëm i vendimeve gjyqësore në rastet e femicidit apo dhunës në familje.

Në forumin "Strategjitë e përbashkëta për t'i dhënë fund femicidit" morën pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Avokatit të Popullit. Të ftuar ishin edhe ata të Ministrisë së Drejtësisë dhe gjyqësorit, por nuk ishin të pranishëm.

Ky forum u organizua si pjesë e një nisme për të drejtat e grave brenda projektit "Barabar Connects", i cili mbështetet nga Ambasada e Zvicrës dhe që realizohet nga Qendra për Veprim Afirmativ Social (CASA), si partnere e organizatës, Integra.

Tijana Grujiq nga organizata joqeveritare CASA vlerësoi se gratë në Kosovë, pavarësisht se nga cili komunitet nga vijnë, trajtohen njësoj, të drejtat e tyre iu shkelen po njësoj dhe kanë të njëjtat probleme.

“Problemet tona janë të përbashkëta. Kur situata është e tillë, mundësia jonë e vetme është të bashkohemi dhe të avokojmë për ndryshime në këtë mënyrë”, tha ajo.

Shabiu: Bashkëpunimi i komuniteteve të ndryshme etnike është kyç

Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS), theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të aktivistëve dhe aktivisteve nga komunitete të ndryshme etnike për të “mbrojtur jetën e grave”.

Ajo tha se forumi “Strategjitë e përbashkëta për t’i dhënë fund femicidit” është iniciativa e parë multietnike, kur bëhet fjalë për parandalimin e femicidit ose dhunës ndaj grave.

“Të shohim se si mund të forcojmë këtë bashkëpunim, veçanërisht mes grave shqiptare dhe serbe që jetojnë në Kosovë. Gratë nga komunitetet pakicë në Kosovë përballen me sfida më të mëdha se ato nga komunitetet shumicë, prandaj besoj se solidariteti më i madh etnik dhe gjinor është më se i nevojshëm”, theksoi Shabiu.

Ajo shprehu keqardhje që përfaqësuesit e sistemit gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë nuk iu përgjigjën ftesës së tyre për të diskutuar mbi “dënimet e vogla” për dhunuesit, raste që, sipas vlerësimit të saj, përfundojnë me femicid.

“Duhet të forcohet korniza ligjore në Kosovë që do të kontribuonte në sigurinë e grave”, deklaroi Shabiu.

Kodi Penal i Kosovës parashikon dënime me gjobë dhe deri në tre vjet burg për dhunën në familje, por Grupi për Studime Ligjore dhe Politike, në fund të vitit 2023 ka konstatuar se një numër i vogël i të akuzuarve janë dënuar me burgim.

Stojanoviq-Kostiq: Femicidi nuk është një rastësi

Millica Stojanoviq-Kostiq, drejtoreshë e organizatës joqeveritare “E drejta mbi të drejtën” nga Graçanica, theksoi se numri i rasteve të femicidit në Kosovë është në rritje dhe kujtoi se gjatë vitit 2024 janë vrarë tri gra.

Gjatë muajit prill të vitit 2024, brenda disa ditëve u vranë gra në Ferizaj dhe Pejë, ndërsa në muajin gusht një grua u vra në territorin e komunës së Graçanicës. Që të tria u vranë nga bashkëshortët e tyre.

Sipas të dhënave, që nga viti 2010 e deri më 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Në shumicën e rasteve, autorët e vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

“Po flasim për jetë të humbura, jo për statistika. Kjo është ajo që duhet të dimë kur flasim për femicidin, ato ishin nëna, motra, vajza dhe kishin jetë. Nuk duhet të harrojmë që këto krime nuk erdhën papritur, ato shpesh janë kulmim i dhunës shumëvjeçare, ankesave që nuk janë marrë seriozisht dhe pasojë e institucioneve që nuk kanë vepruar në kohë”, theksoi Stojanoviq-Kostiq.

Për këtë arsye, theksoi ajo, aktivistet për të drejtat e grave vendosën të parashtrojnë pyetjen: “Çfarë mund të bëhet për të parandaluar femicidin ose dhunën ndaj grave?”.

“Dhuna ndaj grave është një problem shoqëror”

Majlinda Lulaj nga Zyra e Avokatit të Popullit në Kosovë theksoi se pabarazia gjinore, përfshirë dhunën ndaj grave, lë pasoja për brezat e ardhshëm dhe është një “problem shoqëror” që duhet të tejkalohet me veprime të përbashkëta.

“Barazia gjinore nuk është diçka që kërkojmë nga të tjerët, ajo na takon, ne lindim me të. Duhet të kemi gjithmonë parasysh rekomandimet, mos duroni, mos toleroni, mos lejoni që të bëheni një grup i margjinalizuar ose i poshtëruar”, theksoi Lulaj.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, numri i rasteve të dhunës në familje në periudhën janar-shtator 2024 u rrit me rreth 4 për qind krahasuar me vitin paraprak, duke u regjistruar rreth 1.900 raste.

Gjithashtu, gjatë vitit 2024, Policia e Kosovës ka raportuar për rreth 100 raste të ngacmimeve seksuale, 72 përdhunime dhe 73 sulme seksuale, ndërsa gjatë vitit 2023 ishin 76 ngacmime seksuale, 108 përdhunime dhe 68 sulme seksuale.

Çfarë thotë Policia?

Komandanti i stacionit policor në Graçanicë, Bratisllav Trajkoviq, tha se Policia është e detyruar të reagojë për çdo denoncim, por ka raste kur gratë refuzojnë të denoncojnë rastet e dhunës.

Në këto raste, siç tha ai, Policia nuk mund të bëjë shumë, dhe në disa raste duhet të përfshihet Qendra për Punë Sociale ose Prokuroria.

“Pa denoncim, Policia nuk mund të bëjë asgjë. Ka ndodhur që një fqinj e ka denoncuar dhunën, por kur kemi shkuar në vendngjarje, viktima nuk ka dashur ta denoncojë rastin”, tha ai, duke shtuar se Prokuroria gjithmonë kërkon prova nga zyrtarët policorë për të iniciuar një rast.

Megjithatë, aktivistet vlerësuan se Policia duhet të reagojë sipas detyrës zyrtare kur ka informacione që një grua po përjeton dhunë, dhe se zyrtarëve policorë u nevojitet një edukim shtesë dhe organe speciale që do të merreshin me këto raste.

“Modeli austriak” si zgjidhje për strehimin e grave

Aktivistja Nevenka Rikallo theksoi se puna e mekanizmave komunalë të koordinimit nuk duhet të kufizohet vetëm në takime formale, duke shtuar se është e nevojshme që ato të diskutojnë raste konkrete të dhunës dhe hapat e mëtejmë.

“Ne kemi rehabilitim dhe reintegrim të dobët të viktimave. Planet duhet të përfshijnë aktivitete për mbështetje të grave. Kur një grua qëndron për shtatë muaj në një shtëpi të sigurt, ajo mendon: ‘çfarë do të bëj më pas?’”, theksoi ajo.

Përndryshe, Nevenka Rikallo nga Graçanica për vite me radhë ka ndihmuar gratë që të strehohen në shtëpinë e sigurt në Novobërd.

“Unë mbështes modelin austriak, dhe ky është kur dhunuesit dalin nga shtëpia, ndërkaq gruaja mbetet në hapësirën e saj të sigurt, me kusht që pas denoncimit, gjykata të marrë një vendim për urdhër-mbrojtje dhe ky vendim duhet të respektohet”, deklaroi Rikallo.

*Video nga arkivi: Në Kosovë janë shtatë strehimore, që njihen si shtëpi të sigurta, ku strehohen gratë që kanë përjetuar dhunë në familje si dhe fëmijët e tyre

Shtëpitë e sigurta, shtëpi të dyta për të mbijetuarat e dhunës në familje
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:33:04 0:00

Gjithashtu, aktivistja Luljeta Aliu tha se gratë përballen edhe me dhunë ekonomike, duke theksuar se shumë gra heqin dorë nga të drejta e tyre për pasurinë e fituara gjatë martesës.

“Gratë vetë, për fat të keq, shpesh thonë ‘nuk dua të marr asgjë nga ai’. Por, pse? Na është mbjell në mendje se nuk na takon asgjë. Duhet të jemi të vetëdijshme se kemi të drejtë për pasurinë që fitohet gjatë martesës, ajo na takon”, theksoi ajo.

Ajo shtoi se duhet të rritet ndërgjegjësimi në mesin e grave se ato kanë të drejtë për pasurinë e fituar gjatë martesës dhe kjo e drejtë iu takon sipas ligjeve në fuqi.

Aliu theksoi se ka edhe “dhunë institucionale”, pasi prokuroritë dhe gjykatat janë “të ekspozuara ndaj korrupsionit, lidhjeve të burrave, nepotizmit dhe diskriminimit”.

“Si shoqëri, ne e kemi vetë një problem sepse vetë po kontribuojmë në këtë duke besuar se viktimat e dhunës janë gra të paarsimuar ose të varfra, por kemi gra që kanë një nivel të lartë arsimimi dhe një punë të mirë dhe nuk denoncojnë problemet që kanë. Nëse jeni doktor shkencash ose profesoreshë dhe keni kaluar një periudhë të vështirë, njerëzit nuk ju marrin seriozisht”, tha Aliu.

Ndryshe, Kosova e ka miratuar Konventën e Stambollit në shtator të vitit 2020, e cila është hartuar nga Këshilli i Evropës si një instrument që detyron shtetet të luftojnë dhunën kundër grave dhe dhunën në familje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG