Ndërlidhjet

Dyshohet për varrezë masive, nisin gërmimet në Sijenicë të Serbisë


Fshati Shtaval në Serbi ku dyshohet se ekziston një varrezë masive.
Fshati Shtaval në Serbi ku dyshohet se ekziston një varrezë masive.

Në fshatin Shtaval në komunën e Sijenicës në Serbi, të martën më 10 maj, kanë nisur gërmimet për dyshimet për një varreze masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar nisjen e gërmimeve.

“Gërmimet kanë filluar pasi në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë siguruar imazhet satelitore, të cilat në ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët, me qëllim të saktësimit të lokacionit të mundshëm të varrezës masive”, thuhet në njoftimin Qeverisë së Kosovës.

Delegacioni i Kosovës të pranishëm në nisje të gërmimeve.
Delegacioni i Kosovës të pranishëm në nisje të gërmimeve.

Në ditën e parë të gërmimeve vlerësuese, të pranishëm në lokacion nga Kosova ishin përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ekspertët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësues nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq si dhe nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.

“Ekspertët mjekoligjor të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në lokacion për t'i vëzhguar punimet gjatë periudhës në vijim”, njofton Qeveria e Kosovës.

Ndërkohë, Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, ka thënë se urdhri për nisje të këtij procesi është dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi.

“Kërkimi i terrenit është i nevojshëm për të përcaktuar saktë nëse ka mbetje të personave të shpallur si të zhdukur, gjë që u dërgon një mesazh të qartë familjeve të tyre se autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë kanë vendosur të kontrollojnë të gjitha informacionet për të gjetur të dashurit e tyre”, thuhet në njoftimin e Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Serbisë.

Deri tek vendimi për gërmime në këtë lokacion erdhi pasi Komisioni i Qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur ofroi informacione për dyshime për varrezë masive.

Autoritet serbe thanë se kërkimi i terrenit do të zgjasë deri në përcaktimin dhe sqarimin e fakteve që janë të nevojshme për të përcaktuar vendndodhjen e saktë të një varri të mundshëm masiv.

Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, Veljko Odaloviq, kishte paralajmëruar zhvillimin e gërmimeve në këtë lokacion më 27 prill të këtij viti.

Më 27 prill, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, kishte akuzuar palën serbe se nuk ofron informacione për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Do të duhej të ishte [çështje] humanitare, por unë nuk e di që është trajtuar si humanitare ndonjëherë. Kaq pak ka dhënë informacione Serbia për Kizhevakun dhe Rudnicën... Dhjetë vjet kanë kaluar ekipet tona, në të dyja lokacionet në Serbi, për shkak se Serbia bën lojëra me dhënien e informacioneve të sakta se ku janë varrezat masive, derisa na kanë ardhur imazhet satelitore prej vendeve mike të Kosovës, që të mund t’i gjejmë”, thotë Hoti, pa specifikuar se për cilat vende e ka fjalën.

Hoti kishte thënë se Serbia ende vazhdon “lojën” duke mos dhënë informacione.

Zyrtarët kosovarë kishin ngritur vazhdimisht dyshime për ekzistimin e një varreze masive në fshatin Shtaval të Serbisë.

Ky fakt ishte forcuar edhe më shumë kur në Kizhevak, në komunën e Rashkës afër kufirit me Kosovën, më 16 nëntor 2020 u gjetën eshtrat e një numri të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Ky ishte lokacioni i pestë në Serbi ku u gjeten trupa të kosovarëve të vrarë në luftën e viteve 98-99.

Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, në varrezat masive në Serbi janë gjetur trupat e rreth njëmijë kosovarëve të vrarë.

Rreth 1,600 persona të tjerë ende mbesin të zhdukur në Kosovë, kryesisht nga komuniteti shqiptar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG