Ndërlidhjet

Daci: Mirë që u ndërruan pushtetet, por nuk priten çudira


Nexhat Daci
Nexhat Daci

Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, thotë se qytetarët presin gjithmonë që pushtetet e reja të jenë më efikase. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se Qeveria e re e Kosovës, duhet të tregohet e aftë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët. Sa i përket dialogut me Serbinë, Daci tha se do të ishte më se e domosdoshme përfshirja e opozitës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Daci, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë sjellë si rezultat ndryshime dhe pritet që ish-opozita të marrë pushtetin. Cilat janë pritjet tuaj nga një qeveri e mundshme midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Nexhat Daci: Unë besoj që është shumë mirë kur në zgjedhje ndërrohen garniturat. Është një freski, nuk do të thotë se janë më të mirë apo më të këqij, por qytetarët presin gjithmonë që pushtetet e reja të jenë më efikase apo duhet të jenë më efikase. Prandaj, unë mendoj që është bërë mirë që opozita i ka fituar zgjedhjet sepse vetëm në atë mënyrë faktikisht është lëvizja e ujit, nuk bëhet amull uji dhe kur bëhet amull, nuk pihet. Prandaj, zakonisht njerëzit presin që kur opozita të vjen, duhet të tregohet e aftë në zgjidhjen e problemeve që ka jeta e njerëzve dhe shpresoj të kenë sukses.

Radio Evropa e Lirë: Sa konsideroni se koalicioni i ardhshëm, që po pritet, është i aftë të trajtojë çështjet që në Kosovë shihen si prioritete të veçanta, si zbutja e papunësisë dhe zhvillimi ekonomik?

Nexhat Daci: Unë besoj që kjo është pika më e dobët në Ballkan. Në përgjithësi te shumica e shteteve të Ballkanit, prioritet merr gjithmonë politika e në vend të dytë ose të tretë, jeta e qytetarit. Prandaj, me atë sa kam unë informacion ose sa kam përvojë, ardhja e opozitës gjithmonë krijon shpresë dhe ata do të luftojnë që të realizojnë një pjesë të premtimeve.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe të Kosovës do të ketë suksese qeveria në ardhje?

Nexhat Daci: Do të punohet, por çudira nuk do të ketë. Nuk do të ketë sepse ambienti i krijuar politik humb shumë kohë për normativa të reja për standarde të reja. Por, unë shpresoj se kësaj radhe me kryeministrin e ri që për herë të parë është në fuqi, gjërat do të lëvizin më shpejt në drejtim të jetës së qytetarëve.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, zoti Daci, bashkësia ndërkombëtare pret që sa më parë të vazhdojë dialogu me Serbinë. Prisni ju që qeveria e ardhshme të arrijë marrëveshje me Serbinë?

Nexhat Daci: Mua po më pëlqejnë deklaratat e njerëzve që mund të jenë në qeverinë e re, që nuk lodhen shumë çka mendon tjetërkush, por çka kërkon populli, votuesi. Unë kam një zhgënjim enorm të madh në bashkësinë ndërkombëtare. Premtime tepër të mëdha prej dhjetë vjetësh më parë deri tash. Për qarkullimin e lirë, për udhëtimin pa viza dhe asnjëherë nuk i përmbahen premtimeve e as vendimeve të forumeve më të mëdha, siç është Parlamenti Evropian e këto të tjerat.

Prandaj, porosia ime ose këshilla ime për qeverinë e re është që nën një të jenë interesat e Kosovës, të shtetasve të Kosovës dhe diku në renditje pika e dytë, të tretë, të katërt apo e pestë e bashkësisë ndërkombëtare. Mbani në mend, gjatë vite kam qenë kryetar i Parlamentit dhe përfaqësuesit specialë të cilët kanë qenë të plotfuqishëm si mbretërit, kanë thënë se për 24 orë do t’i keni..., i kanë pasur të gjitha funksionet dhe do të thotë kanë funksionuar ata si shtet dhe nuk kanë kryer asgjë. E shihini që sa vite që thotë 'kryeni edhe këtë detyrë do ta merrni lëvizjen e lirë’. Sa e kryejmë atë detyrë, t'i shtojnë edhe pesë apo gjashtë të tjera.

Prandaj, pushteti i ardhshëm ose qeveria e ardhshme nuk duhet të jetojë me premtime dhe nga premtimet, por nga puna që bën. Në radhë të parë në zhvillimin ekonomik në punësim, pastaj ndaljen e migrimit të të rinjve që është një sëmundje e madhe dhe shumë më pak t’ua vënë mendjen çka premtojnë për çdo ditë. E shikoni tash çka u bë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me kryeministrin (Zoran) Zaev dhe kryeministrin (Edi) Rama. Gjithmonë kur një popull i ka shikuar interesat e veta, familjen e vet, shtëpinë e vet, ka pasur sukses. Gjithmonë, kur ke jetuar nga premtimet, zhgënjimi ka qenë rezultati i fundit. Do të thotë, pa bashkësinë ndërkombëtare nuk mund të ekzistohet, unë nuk mendova si një vend jashtë rruzullit tokësor, por prioritet duhet të jetë shtëpia jote, jeta e njerëzve në shtëpinë tënde dhe jo ikja prej shtëpisë tënde. Ne nuk guxojmë të mendojmë dhe të luftojmë për izolim nga Evropa dhe Amerika, por gjithmonë në zgjidhjen e prioriteteve dhe problemeve duhet të mbështetemi në Amerikën, gjithmonë pa qenë kundër Evropës. Por, jo të mbajmë shpresë të madhe në Evropën.

Unë e përgëzoj qeverinë e kaluar që ka kontribuar shumë për elementet e sigurisë. E kemi një polici që e ka përkrahur gjithë Kosova, shumë e fuqishëm, e trajnuar mirë, e shkolluar. Kemi edhe ushtrinë tash të përgatitur. Prandaj, krejt orientimet e përvojës sugjerojnë që në një prioritet duhet të ketë shtëpia, pastaj Evropa apo tjetër kund.

Radio Evropa e Lirë: Serbia vazhdimin e dialogut e kushtëzon me heqjen e taksës. Si duhet të veprojë qeveria e re ne këtë rrafsh?

Nexhat Daci: Çdo skajshmëri në këtë koncept është e dëmshme. Heqja e përnjëhershme pa e studiuar dhe pa i parë veprimet e Serbisë do të ishte jo dobiprurëse. Por, edhe insistimi është jashtë kohës tashmë. Do të thotë unë besoj se qeveria e re, me sa i kam përcjell debatet, në veçanti kryeministrin e ri e përcjelli më me shumë vëmendje se sa të tjerët, besoj se duhet të rritet një optimizëm në këtë drejtim për vendoret (prodhimet vendore).

Radio Evropa e Lirë: A e shihni opozitën e ardhshme, përkatësisht PDK-në dhe AAK-në, në tavolinën e bisedimeve krahas qeverisë?

Nexhat Daci: Është mençuri politike që nëse formon ekipe, ekipe më të mëdha se një njeri ose dy të përfshihen. Lënia e opozitës anash siç u veprua, nuk është e rezultatshme. Në periudhat kur ka qenë presidenti (Ibrahim) Rugova, njëshi të them i politikës, edhe opozita ka marr pjesë në bisedime në Vjenë. Do të thotë kur është interesi i shtetit dhe shtetësia, nuk duhet të jesh kokëfortë dhe ‘unë jam unë, ti nuk bën të jesh me mua’ ose e kundërta. Do të thotë prania e opozitës në delegacione për mua është injeksion shumë i mirë politik që opinioni botëror e kupton që ne jemi bashkë dhe rezultatet nuk do të mungojnë.

Radio Evropa e Lirë: Është diskutuar shumë edhe paralajmërimi i kandidatit për kryeministër, Albin Kurti që Lista Serbe të mos përfshihet në Qeveri. A konsideroni se mund të anashkalohet Lista Serbe dhe të mos përfshihet në qeverinë Kurti?

Nexhat Daci: Çështjet kushtetuese nuk mund të ndërrohen me vullnet ose me fjalë. Në qoftë se çështjet kushtetuese e pranojnë si konstitente, Lista Serbe, duhet të jetë e përfshirë, por jo në numër dhe në metodologji që mund ta pengojë atë që e synon kjo qeveri. Unë mendoj se kryeministri në një intervistë ka thënë një të mirë që se pari do të bisedohet me serbët, që është plotësisht logjike, me serbët që jetojnë në Kosovë që duan të jetojnë, që i kanë familjet në Kosovë. Siç po duket ajo edhe do të ndodhë që Lista Serbe të mos e ketë asnjë ministër, po le të jetë një (Nenad) Rashiq që ka qenë një prej ministrave më të mirë që e ka pasur qeveria. Gjithmonë orientim ka pasur në kuptimin politik pro Kosovës dhe mbrojtjen e serbëve të Kosovës ose në Kosovë.

Nuk e kam asnjë pikë besimi në Listën Serbe. Por, prapë po e them përbërja edhe e parlamentit kësaj radhe edhe e qeverisë do ta ulë forcën politike në minimum të minimumit të Listës Serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG