Ndërlidhjet

Nëna e Navalnyt ngre padi në gjykatë, kërkon lirimin e trupit të të birit


Lyudmila Navalnaya, nëna e politikanit të ndjerë rus, Aleksei Navalny.
Lyudmila Navalnaya, nëna e politikanit të ndjerë rus, Aleksei Navalny.

Lyudmila Navalnaya, nëna e politikanit të ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalny, ka dorëzuar një padi në një gjykatë ruse duke kërkuar lirimin e trupit të të birit, i cili vdiq në një burg në Arktik.

Një gjykatë në rajonin Jamalo-Nenets në Arktik tha më 21 shkurt se seanca dëgjimore për këtë padi do të mbahet më 4 mars.

Kritiku i Kremlinit vdiq më 16 shkurt, por zyrtarët vazhdimisht kanë refuzuar që trupi i tij i pajetë t’i dorëzohet familjes, duke pretenduar se po kryejnë një “hetim” mbi shkakun e vdekjes. Ata kanë thënë se kjo procedurë mund të zgjasë deri në dy javë.

Nëse autoriteteve do t’iu duhen dy javë të plota për të ekzaminuar trupin e Navalnyt, trupi nuk do t’i dorëzohet familjes deri më 4 mars.

Navalnaya ka tentuar që të ketë qasje te trupi i djalit të saj që kur autoritetet e burgjeve njoftuan se ai vdiq. Zyrtarët rusë të burgjeve thanë se 47-vjeçari vdiq pasi humbi ndjenjat pas ecjes.

Gjykata në qytetin Salekard i th agjencisë Tass se seanca dëgjimore për padinë e Navalnayas është caktuar më 4 mars dhe do të mbahet prapa dyerve të mbyllura. Navalny vdiq në qytetin Karp, afër Salekardit.

Më 20 shkurt, Navalnaya publikoi në rrjetet sociale të incizuar jashtë burgut të ashtuquajtur “Ujku Polar”, duke i bërë thirrje për ndihmë presidentit rus, Vladimir Putin.

“Po ju drejtohem juve, Vladimir Putin. Zgjidhja e kësaj çështjeje varet vetëm nga ju. Më lejo që ta shoh djalin tim. Kërkoj që trupi i Alekseit të lirohet menjëherë, në mënyrë që të mund ta varros si njeri”, tha ajo përmes videos.

Një ditë para kësaj, e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, akuzoi Putinin për vrasjen e bashkëshortit të saj dhe akuzoi zyrtarët se janë “frikacakë” duke fshehur trupin e tij dhe duke refuzuar që t’ia dorëzojnë atë nënës së tij.

Kremlini ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në vdekjen e kritikut më të zëshëm të Putinit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG