Nëna e Aleksei Navalnyt, Lyudmila, i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të lirojë trupin e djalit të saj, i cili ka vdekur më 16 shkurt, në një burg në Arktik.
Autoritetet ruse kanë refuzuar disa herë që të dorëzojnë trupin e Navalnyt te familja e tij, duke pretenduar se po kryhen “hetime” për të kuptuar shkakun e vdekjes dhe që procesi mund të zgjasë dy javë.
Ato kanë pamundësuar qasjen e nënës dhe avokatëve në morgun në qytetin e Arktikut, Salehrad, ku raportohet se është trupi i Navalnyt.
“Mbrapa shpinës sime është burgu IK-3, Ujku Polar, ku ka vdekur djali im Aleksei Navalny, më 16 shkurt”, ka thënë Lyudmila Navalnaya përmes një video, kur shihet duke qëndruar në borë, jashtë objektit të rrethuar me gjemba.
“Nuk kam mundur të shohë trupin e tij për pesë ditë. Nuk ma kanë dorëzuar dhe nuk më kanë treguar se ku është”, ka thënë Navalnaya, duke iu drejtuar Putinit me emër, pa iu referuar si president.
“Po të them ty, Vladimir Putin, sepse zgjidhja e këtij problemi varet vetëm prej teje. Më lejoni ta shoh djalin tim. Kërkoj që trupi i Alekseit të lirohet menjëherë, që të mund të varroset në mënyrë njerëzore”, ka thënë Navalnaya.
Gati 70.000 qytetarë rusë kanë dërguar kërkesë zyrtare te Komiteti Hulumtues i Rusisë, që trupi i Navalnyt t’i dërgohet familjes.
Teksa rritet zemërimi për shkak të refuzimit të autoriteteve dhe spekulimeve për shkakun e vdekjes së Navalnyt, e veja e tij, Yulia Navalnaya, ka pretenduar se autoritetet ruse janë duke shtyrë afatin e dorëzimit të trupit, derisa të zhduken gjurmët e helmimit të tij me Noviçok.
E veja e kritikut të Kremlinit ia ka vënë fajin Putinit për vdekjen e burrit të saj, dhe është zotuar se do të vazhdojë luftën kundër Kremlinit, dhe do të sigurohet që të ndëshkohet fajtorët.
Kremlini e ka konsideruar ‘vulgare dhe të pabazuar’ akuzën e Yulias.
Llogaria e saj është pezulluar për pak kohë në platformën X – të njohur më parë si Twitter.
Ajo e ka hapur llogarinë më 19 shkurt, tri ditë pas vdekjes së burrit të saj.
Bashkimi Evropian ka kërkuar hetim të pavarur për shkakun e vdekjes së Navalnyt.
Navalny është një tjetër person në listën e kundërshtarëve të Putinit që kanë vdekur nën rrethana të dyshimta në Rusi, ose jashtë saj.
Prej kur është bërë i ditur lajmi për vdekjen e tij, policia e Rusisë ka arrestuar më shumë se 430 persona që kanë kryer homazhe për Navalnyn.