Zhurma e britma pacientësh mbizotëronin një paradite të fillimit të marsit Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Kam ardhur prapë dhe dua të rri edhe një javë”, i kërkonte me ngulm një pacient rreth të 20-tave stafit mjekësor.
“Nuk dua të marr ilaçe, dua që mjeku im të ma japë injeksionin”, thoshte një tjetër.
Korridoreve, ndërkohë, endej një grua që ankohej se i kishin vjedhur çantën.
Këta pacientë dhe mijëra të tjerë në vit që vizitohen në Psikiatri, përballen me kushte aspak të dinjitetshme.
Rrjeta merimangash, brejtës, pluhur e lagështi vërehen anekënd.
Radio Evropa e Lirë siguroi lejen për të hyrë në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, ku pa se në secilin repart ka inventar të vjetër e të demoluar.
Sipas stafit shëndetësor, përveç disa intervenimeve të vogla që janë bërë me ndihmën e donatorëve, në Psikiatri nuk është investuar që nga vitet ’80.
E, brenda saj kryhen edhe vizita ambulantore, për dallim prej shumë klinikave të tjera që rastet ambulantore i referojnë tek ambulancat specialistike të QKUK-së.
Në vitin 2023, numri i përgjithshëm i shërbimeve në Psikiatri ka qenë 25.743.
Vizita të pacientëve të rritur janë kryer 10.253, kurse për fëmijë dhe adoleshentë 3.926.
Në këtë klinikë, pacientët e varur nga droga dhe nga alkooli janë të ndarë nga pacientët e tjerë me probleme psikike.
Kjo ndarje, thotë drejtori i klinikës, Faton Kutllovci, është bërë me ndihmën e mjeteve të disa donatorëve.
Në një aneks të klinikës ndodhen edhe disa dhoma të izolimit për pacientët që, siç shpjegon stafi shëndetësor, janë më agresivë për shkak të varësisë nga droga.
Nga katër dhomat e dedikuara për izolim, vetëm një është funksionale.
Tri dhomat e tjera janë jashtë përdorimit, në mungesë të kushteve. Dy prej tyre i kanë të thyer xhamat në derën e blinduar.
Në dyshemenë dhe tavanin e një dhome të izoluar vërehen ende gjurmët e një zjarri nga gushti i vitit të kaluar.
Një pacient vdiq dhe pesë pjesëtarë të stafit shëndetësor u lënduan në atë incident.
Atëkohë, QKUK-ja tha se “dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast, si pasojë e ngufatjes nga tymi, ai ka humbur jetën, me gjithë përpjekjet maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar”.
Rasti është ende duke u hetuar.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Kutllovci, thotë se janë duke u bërë disa vlerësime nga drejtoria e QKUK-së, për të parë se ku dhe në çka duhet investuar.
“Mund të themi se, përveç disa investime për efiçiencë të energjisë, investime të tjera [në Psikiatri] nuk janë bërë [me vite të tëra]”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, pa treguar arsyen.
Nga udhëheqja e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, që mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, pranojnë se në Klinikën e Psikiatrisë investimet janë të nevojshme dhe thonë se “po shikohen mundësitë që të nisin punët sa më parë”.
Por, kjo nuk është e vetmja klinikë me probleme të tilla brenda QKUK-së. Për shkak të menaxhimit jo të duhur, REL-i ka raportuar edhe më herët për papastërti në disa prej tyre, si dhe për mungesa sendesh esenciale.
Mungesat e barnave janë evidente, po ashtu.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon shëndetin mendor si gjendje të mirëqenies mendore, që u mundëson njerëzve të përballen me streset e jetës, t’i realizojnë aftësitë e tyre, të mësojnë e të punojnë mirë, si dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre.
Shumë probleme të shëndetit mendor mund të trajtohen në mënyrë efektive, sipas OBSH-së, megjithëse sistemet shëndetësore mbeten në mënyrë të konsiderueshme të pamjaftueshme dhe boshllëqet në trajtim janë të mëdha në të gjithë botën.