Takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe bashkëdrejtuesve të Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, ditën e hënë, ka qartësuar situatën që ndërlidhet me dialogun në Bruksel, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend. Por, ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me këtë situatë dhe pozicionet karshi dialogut.
Presidenti Thaçi ka deklaruar se Ekipit negociator i është dorëzuar një “dokument informues”, i cili përfshinë çështje specifike të diskutuara në kuadër të fazë përfundimtare të dialogut. Në anën tjetër, zyrtarët e Ekipit negociator kanë theksuar se kanë marrë një “raport të presidencës për Delegacionin shtetëror”, që “nuk është dokumentacion, i cili është dakorduar apo është diskutuar me Brukselin”.
Ata gjithashtu kanë theksuar se “presidenti i Kosovës i ka siguruar ata se nuk ka asnjë draft zyrtar të dakorduar qoftë me Brukselin, qoftë me Serbinë, në lidhje me procesin e ardhshëm të dialogut në Bruksel” dhe se “duhet të fillohet nga zero, për të filluar ndërtimin e bashkëbisedimit të temave”.
Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i mirë në këtë situatë është që tashmë ekziston një bashkëpunim institucional ndërmjet presidentit të Kosovës, zyrës së tij dhe Ekipit negociator, i cili ka marrë të gjitha kompetencat për dialogun dhe se e ka përkrahjen dhe ndihmën e presidentit.
“Tash, sintagma që ‘Kosova do të nis nga pika zero’ e ka kuptimin që presidenti amnistohet nga të gjitha akuzat që u janë bërë deri më tash, sepse nuk paska biseduar asgjë dhe nuk paska arritur asnjë marrëveshje me Serbinë, e aq më parë nuk ka arritur asnjë marrëveshje për ndryshim të kufirit ose këmbim territoresh, për të cilat është akuzuar në opinion, por edhe nga partitë politike. Kjo ka shërbyer si nismë për të krijuar një ekip, i cili presidentit ia merr kompetencat dhe tash ky ekip i udhëheqë bisedimet”, theksoi Tahiri.
Ai ka shtuar se kjo situatë mund ta qetësojë atmosferën dhe opinionin në Kosovë dhe krijon parakushtet që me një lloj uniteti dhe besimi të vazhdohet dialogu për arritjen e një marrëveshje me Serbinë.
Por, analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që është pak e besueshme që bisedat në Bruksel të jenë zhvilluar pa një bazë orientuese për Kosovën, Serbinë dhe Bashkimin Evropian. Sipas tij, në rast se bisedimet i janë lënë spontanitetit dhe që të mos përcaktohet se për çka do të bisedohet në të ardhmen, kjo do të ishte situatë absurde. Rrjedhimisht, siç thotë ai, nuk është opsion realist që qasja ndaj fazës së ardhshme të dialogut të fillohet nga zeroja.
“Duket se nuk ekziston një vullnet prej asnjërës palë të përfshirë, as prej palës kosovare, as prej palës serbe e as prej asaj të BE-së, që të publikohen të gjitha pozicionet për të cilat është diskutuar në ato takime. Pra, është një marrëveshje e heshtur në mes tre palëve kryesore që të mos bëhen transparente ato për të cilat është biseduar në Bruksel. Mirëpo, është e pabesueshme që të mos ketë ndonjë marrëveshje tashmë në mes të tre palëve për pikat e rëndësishme, sepse kjo do të nënkuptonte që të gjitha ato biseda janë bërë kot”, tha Muhaxhiri.
Bashkëdrejtuesi i Ekipit negociator, Fatmir Limaj, ka theksuar të hënën se me dokumentacionin që kanë marrë nga presidenti Thaçi dhe me draft ligjin për dialogun të propozuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, “po ndërtohet një dosje për të ecur përpara në procesin e dialogut me Serbinë”.
Por, politologu Tahiri, vlerëson që mbetet të shihet nëse ndërtimi i qëndrimit të palës së Kosovës nga Ekipi negociator do të ketë sukses në dialogun me Serbinë.
“A do të ketë sukses Ekipi negociator dhe a do të jetë platforma shumë megalomane apo shumë ekskluzive, që miratohet në Kuvend? Kjo platformë duhet të shihet se a e lë mundësinë për dialog apo ka pozicione shumë të ngurta, që ia pamundëson ndërmjetësuesit, Bashkimit Evropian, por ia pamundëson edhe pjesëmarrjen ekipit të Serbisë, nëse konstatimet nuk mbesin të hapura, por janë të përfunduara”, tha Tahiri.
Ndërkaq, analisti Muhaxhiri thekson që pala e Kosovës duhet të jetë realiste dhe pragmatiste, si dhe të mos kërkoj gjëra për të cilat nuk do ta ketë përkrahjen nga bashkësia ndërkombëtare dhe aleatët e vendit.
‘Mendoj që opsioni më realist është që të punohet që të përfitohet sa më shumë në këtë etapë finale, sepse vetëm kështu mund të përfitohet konkretisht. Ndërsa, nëse Ekipi negociator synon që ta imponojë agjendën e gjithë dialogut, përfshirë edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, atëherë nuk mendoj se do të ketë sukses”, vlerësoi Muhaxhiri.
Sidoqoftë, udhëheqësit e institucioneve më të larta të Kosovës dhe Ekipi negociator për dialog me Serbinë, kanë theksuar që rezultat i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia. Ata janë zotuar për një proces transparent në dialogun me Serbinë.