Një alarm për sulme ajrore mbi Kiev dhe shumicën e territorit të Ukrainës është lëshuar pak para mesditës së 1 gushtit, pas një sulmi rus me dronë, i cili e shkatërroi një konvikt kolegji në qytetin e Ukrainës lindore, Harkiv.
Sulmet ruse vijnë disa orë pasi një ndërtesë e lartë në Moskë u godit nga një sulm me dron.
Të paktën një person u plagos në sulmin mbi Harkiv, për të cilin kryetari i këtij qyteti, Ihor Terekhov, tha se për cak i kishte rrethinat më të banuara dhe në të cilin u përfshinë të paktën tre dronë.
“Njëri nga dronët i shkatërroi dy kate të njërit prej kolegjeve”, tha Terekhov.
Harkivi, i cili është afër kufirit me Rusinë, është goditur shpesh nga sulmet ruse, por zëvendësguvernatori rajonal, Yevhen Ivanov, tha se kjo ishte hera e parë që qyteti u godit nga dronët, e jo nga raketat si në të kaluarën.
Në rajonin lindor, Donjeck, dy civilë u vranë nga granatimet ruse në 24 orët e fundit, tha guvernatori rajonal Pavlo Kyrylendko, në Telegram më 1 gusht.
Një ditë më herët, gjashtë persona, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar, u vranë dhe 22 të tjerë u plagosën në një sulm me raketë në një ndërtesë të lartë banimi në qytetin jugor, Kryviy Rih.
Në qytetin jugor, Herson, një burrë u vra nga granatimet ruse.
Në rajonin e qytetit të Ukrainës verilindore, Sumy, dy civilë u vranë dhe të paktën 17 u plagosën nga raketat ruse.
Në fushëbetejë, forcat ukrainase janë angazhuar në luftime të mëdha përgjatë gjithë vijës së fronit, duke luftuar në më shumë se 40 beteja në ditën e fundit, tha gjenerali i Stafit të Ushtrisë së Ukrainës, në raportin e tij ditor më 1 gusht.
Moska sulmohet me dronë për herë të dytë në tri ditë
Një ndërtesë e lartë biznesi në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, është goditur sërish nga një sulm me dron, bëri të ditur kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, mëngjesin e 1 gushtit.
Disa dronë u rrëzuan gjatë natës, tha ai, por “njëri e goditi të njëjtën ndërtesë të lartë” në kompleksin Moskva City, i cili ishte sulmuar edhe të dielën.
Fasada e ndërtesës është dëmtuar në katin e 21-të, theksoi kryetari.
Nuk raportohet për të lënduar.
“Disa dronë u rrëzuan nga sistemet tona mbrojtëse ajrore derisa po tentonin të arrinin në Moskë. Njëri e goditi të njëjtën ndërtesë në qytet sikur herën e kaluar”, shkroi Sobyanin në rrjetin social Telegram.
Ai po i referohej ndërtesës që ishte goditur nga një sulm i mëparshëm me dronë të dielën.
Aeroporti ndërkombëtar Vnukovo në Moskë u mbyll përkohësisht pas sulmit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, TASS.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka akuzuar Ukrainën për sulmin. Kievi, zakonisht, nuk i komenton këto çështje.
Zyrtarët rusë thanë të hënën se tre dronë ukrainas e sulmuan Moskën mëngjesin e 30 korrikut, duke e plagosur një roje sigurie.
Moska e ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën se ka kryer sulme me dronë në territorin e saj në muajt e fundit, përfshirë një në Kremlin – vendbanimin e presidentit Vladimir Putin në kryeqytet – në muajin maj.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e quajti sulmin e së dielës “tentim sulmi terrorist” dhe pretendoi se një dron u rrëzua dhe dy të tjerët u bllokuan, duke u përplasur pastaj në kompleksin prestigjioz të biznesit në Moskë, Moskva-City.
Megjithëse zyrtarët ukrainas nuk morën përgjegjesi për sulme specifike, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se është “e pashmangshme” se “lufta” në Rusi do të ndodhë, pasi autoritetet ruse u detyruan ta mbyllin përkohësisht njërin prej katër aeroporteve më të mëdha në Moskë, pas sulmeve të 30 korrikut.
“Dalëngadalë, lufta po rikthehet në territorin e Rusisë – në qendrat e saj simbolike dhe bazat ushtarake. Dhe, kjo është e pashmangshme, e natyrshme dhe plotësisht e drejtë”, tha Zelensky gjatë një vizite në qytetin Ivano-Frankivsk më 30 korrik.
Zelensky i paralajmëroi ukrainasit, po ashtu, se ata duhet të jenë të gatshëm për sulme shtesë nga Rusia në infrastrukturën e vendit dhe të përgatiten tani për muajt e dimrit.
“Ukraina po forcohet”, tha ai. “Por, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se, tamam sikur vitin e kaluar, terroristët rusë mund ta sulmojnë sektorin tonë të energjisë dhe objektet e rëndësishme këtë dimër”.
Rusia e ka nisur pushtimin e plotë dhe të pajustifikueshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ky ishte sulmi i pestë me dronë në kohët e fundit brenda territorit rus.