Ndërlidhjet

Ndërprerja e Facebook-ut ngrit pikëpyetje për mënyrën e jetesës


Ilustrim
Ilustrim

Rrjeti social, Facebook ka nisur minutat e parë të ditës së enjte me probleme teknike, duke shtyrë miliona persona t’i kthehen përditshmërisë pa qenë të lidhur me rrjetin social më të madh në botë.

Kjo situatë mund të ketë qenë gjëja e fundit që i është dashur Facebookut, teksa kalon nga një problem në një tjetër, përfshirë edhe skandalin me të dhëna private.

Mosfunksionimi i këtij rrjeti, ka nisur të mërkurën mbrëma, duke prekur llogaritë pothuajse në gjithë botën.

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, problemet kanë vazhduar të jenë evidente në disa pjesë të Evropës dhe Azisë.

“Njerëz, duhet të dilni para pasqyrës dhe të shihni veten si po tingëlloni”, ka thënë Johanna në rrjetin Downdetector.

“E gjithë kjo situatë duket kinse është fundi i botës, vetëm pse nuk keni qasje në Facebook. Duhet të mendoni për një jetë të vërtetë në vend të asaj digjitale”.

Një tjetër person me nofkën Palmina D'Allesandro, ka thënë se koha pa foshnjën e Mark Zuckerbergut, mund të ketë qenë momenti i krijimit të një jete të mirëfilltë.

“A mund të besoni që Facebook duhet të bllokohet në mënyrë që njerëzit ta vërejnë njëri-tjetrin?”, ka thënë ky person.

Rënia e sistemit të Facebook-ut, kësaj here ka shënuar bllokimin më të gjatë në histori.

Ky problem, detajet e të cilit nuk dihen ende, ka prekur edhe Instagramin dhe Messengerin.

* Video nga arkivi: Shumë miq në rrjetet sociale e pak shoqëri

Shumë miq në rrjetet sociale e pak shoqëri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:27 0:00

Ndonëse në disa raste, përdoruesit kanë pasur mundësi të hapin llogaritë e tyre, ata nuk kanë arritur dot që të postojnë diçka.

Kompania nga Kalifornia, që tani ka më shumë se 2 miliardë përdorues ka pranuar problemet, pasi shumë persona kanë shfrytëzuar rrjetin tjetër social, Twitter, për të treguar mosfunksionimin e Facebookut.

Ftesë e detyrueshme për dëshmi nga një juri e madhe

Derisa kjo bllokadë ka vazhduar, gazeta New York Times ka raportuar se prokurorët amerikanë kanë nisur hetim penal, lidhur me praktikat e këtij rrjeti social, për të shpërndarë të dhënat e përdoruesve të kompanisë, pa qenë ata në dijeni.

Një juri e madhe e Nju Jorkut ka kërkuar informacione nga të paktën dy kompani që krijojnë telefona të mençur për të kuptuar mënyrën si realizohet një gjë e tillë nga Facebook.

Rregullatorët, hetuesit dhe zyrtarët e zgjedhur në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë tashmë kanë nisur të hetojnë praktikat e këtij rrjeti social për shpërndarje të të dhënave.

Kjo mënyrë e funksionimit të Facebookut ishte vënë në qendër të vëmendjes kur kompania për konsulentë politike, Cambridge Analytica, e cila ka punuar për fushatën presidenciale të presidentit amerikan, Donald Trump, ka shfrytëzuar llogaritë private të 87 milionë përdoruesve të Facebookut për qëllime të saj.

“Tashmë është raportuar se janë duke vazhduar hetimet federale, duke përfshirë ato në Departamentin e Drejtësisë”, ka thënë një zëdhënës i Facebookut për agjencinë e lajmeve AFP.

“Ashtu siç kemi thënë edhe më parë, ne jemi duke bashkëpunuar me hetuesit dhe jemi duke i trajtuar këto hetime seriozisht. Ne kemi ofruar dëshmi publike, u jemi përgjigjur pyetjeve dhe jemi zotuar se do të vazhdojmë të bëjmë një gjë të tillë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG