Ndërlidhjet

NATO mbështet dialogun Prishtinë – Beograd 


Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg. Beograd, 8 tetor, 2018.
Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg. Beograd, 8 tetor, 2018.

NATO mbështet plotësisht normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes procesit të dialogut, ka deklaruar sot në Beograd, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg.

Këto komente, ai i bëri pas takimit që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Me këtë rast, Stoltenberg tha se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është platforma e vetme për të gjetur zgjidhje që respekton të drejtat e gjitha palëve.

“Misioni ynë i KFOR-it mban një ambient të qetë dhe sigurt në Kosovë. Kjo nënkupton ofrimin e sigurisë për gjitha komunitetet, përfshirë serbët. NATO mbështet plotësisht procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është platforma e vetme për të gjetur zgjidhje që respekton të drejtat e gjitha komuniteteve. Dialogu është çelës i stabilitetit për rajonin”, tha Stoltenberg.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se do të bëjë më të mirën për të vazhduar dialogun me Prishtinën dhe për të kultivuar marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet e rajonit.

“Ne do të bëjmë më të mirën për të vazhduar dialogun me Prishtinën. Ne do të bëjmë më të mirën për të vendosur raporte të mira me udhëheqjen e re të Bosnjë Hercegovinës, dhe nuk ka asnjë dyshim se duhet të kemi raporte më të mira me Kroacinë. Këto janë disa çështje në të cilat ne mund të kontribuojmë. Ne do të bëjmë më të mirën të mos shkaktojmë kokëçarja për fuqitë e mëdha, por së pari dhe me kryesore të mos shkaktojnë asnjë lloj kokëçarje për popullin tonë”, theksoi Vuçiq.

Vuçiq dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, morën pjesë në hapjen e ushtrimeve të përbashkëta për emergjenca civile në Mlladenovac, 50 kilometra në afërsi të Beogradit.

Ushtrimi me emrin “Serbia 2018” organizohet bashkërisht nga NATO, Qendra Evropiane për koordinimin e aktiviteteve në ofrimin e përgjigjeve ndaj emergjencave dhe Ministria e Brendshme e Serbisë.

Stoltenberg ka thënë se ushtrimi “Serbia 2018” nuk është ushtarak, por civil, si një mundësi për testimin e teknologjisë së re.

“Ushtrimi është në shërbim të NATO-s, Serbisë dhe rajonit. Ajo që mësojmë këtu na ndihmon të jemi më të përgatitur”, u shpreh Stoltenberg.

Në ushtrimin civil marrin pjesë 2.000 pjesëmarrës nga 38 vende.

Sekretari i Përgjithshëm I NATO-s Jens Stoltenberg shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me Serbinë, megjithëse theksoi faktin se e kupton që NATO është çështje kundërthënëse në Serbi.

Në anën tjetër, presidenti serb Vuçiq potencoi se Serbia “duhet të bashkëpunojë me NATO-n pavarësish së kaluarës”.

“Shumë kush ka pyetur ‘çfarë ju duhet NATO?’. Serbia është neutrale në aspektin ushtarak, por ka dhe do të ketë bashkëpunim të mirë me NATO-n. Do të ketë raporte të mira, sikurse me Rusinë dhe vendet tjera”, potencoi presidenti serb, Vuçiq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG