Ndërlidhjet

Ura në Mitrovicë pritet të hapet për qarkullim brenda një muaji


Ura mbi lumin Ibër
Ura mbi lumin Ibër

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila ndodhet në mes të dy komunave të qytetit, asaj jugore edhe veriore, vazhdon të jetë e bllokuar për qarkullim. Por, të paktën sipas autoriteteve lokale atje, pritjet janë që hapja e urës për qarkullim të ndodhë qysh muajin e ardhshëm.

Autoritetet lokale thonë se ende janë duke u kryer punë, derisa ura të jetë gati për lëvizjen e automjeteve.

Kryetari i Komunës së jugut në Mitrovicë, Agim Bahtiri, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka ndonjë pengesë tjetër për funksionalizimin e kësaj ure, përveç punëve të cilat pritet të përfundojnë së shpejti në pjesën veriore të qytetit.

Ai tha se në fillim të muajit qershor, të dy kryetarët e komunave, bashkë me një përfaqësues të Bashkimit Evropian i cili është financues i projektit, do të bëjnë zyrtarisht hapjen e urës.

"Mendoj se punët janë duke shkuar mbarë e mirë dhe do të përpunojnë në këtë muaj. Në muajin e ardhshëm do të bëhet hapja e urës", tha Bahtiri.

Ai ka hedhur poshtë pohimet se punimet në urë po vonohen për shkak të ndikimit nga ana e Serbisë dhe dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në Qeverinë e Kosovës, thonë se ekziston një vullnet dhe gatishmëri e madhe që sa më parë ura mbi lumin Ibër të jetë funksionale.

"Për ne si Qeveri e Kosovës ekziston një vendosmëri e mirëfilltë që kjo urë të funksionalizohet sa më shpejt, që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodh dhe presim nga Brukseli si garantues i kësaj marrëveshjeje, që të ushtrojë presion mbi Serbinë që të ndodh funksionalizimi i saj”.

“Mund të ketë edhe punë të tjera teknike të cilat nuk kanë përfunduar, por lëvizja e lirë e njerëzve jo vetëm brenda për brenda një territori të shtetit të pavarur, por lëvizja e lirë e njerëzve në një kontekst global është mëse e rëndësishme, prandaj një pengesë e tillë duhet të mënjanohet sa më shpejtë", tha për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, mendon se Serbia është ajo e cila po vonon dhe bllokon funksionalizimin e urës në Mitrovicë. Sipas saj, për rifunksionalizimin e urës duhet t’i vihen kushte Serbisë.

"Hapja e urës është e bllokuar nga Serbia, siç është e bllokuar edhe energjia, kadastrat, diplomat dhe shuarja e strukturave paralele në shëndetësi dhe në arsim. Serbia i ka bllokuar këto, ndërkohë që Kosova ka filluar hartimin e statutit të Asociacionit. Tani, Kosova duhet t'i kërkojë Bashkimit Evropian që Serbisë t'i jap një agjendë kohore kur do ta zbatojë marrëveshjen për energjinë dhe marrëveshjet e tjera. Pra, pala e Kosovës, duhet të angazhohet maksimalisht", tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Lidhur me ketë çështje, zyra e BE-së në Prishtinë ka njoftuar se punimet janë duke vazhduar dhe të njëjtat do të përfundojnë shpejt.

Në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas autoriteteve lokale, po vazhdojnë punimet në kuadër të ndërtimit të zonës së re urbane tek ura mbi lumin Ibër dhe hapësira përreth.

Rrënohet muri në Mitrovicë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:26 0:00

Punimet e reja, pasuan rrënimin e murit në këtë pjesë, i cili ishte ndërtuar ilegalisht nga autoritetet lokale të Mitrovicës veriore.

Ndërtimi i tij pati nxitur reagime të ashpra në Prishtinë.

Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës i patën dhënë një muaj afat komunës veriore të Mitrovicës që ta rrënonte murin, para se të ndërmerreshin hapa ligjor. Nisur nga situata që ishte krijuar, ky mur ishte rrënuar, në bazë të një marrëveshje të arritur ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në kuadër të Qeverisë së Kosovës dhe kryetarit të Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq.

Tani, konstruksioni i ri, përbën një ndërtim betoni prej 53 metra të gjatë, kurse lartësia do të jetë nga 40 deri në 70 centimetra.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG