Ndërlidhjet

Murali me mesazh problematik afër shkollës në Prishtinë - Komuna zotohet ta heqë


Fotografia jo e plotë e muralit (Radio Evropa e Lirë ka zgjedhur të mos e publikojë fotografinë e plotë të muralit, për shkak të mesazhit të dhunshëm që përmban)
Fotografia jo e plotë e muralit (Radio Evropa e Lirë ka zgjedhur të mos e publikojë fotografinë e plotë të muralit, për shkak të mesazhit të dhunshëm që përmban)

Një vizatim me Donald Duck dhe Mickey Mouse, personazhe fiktive në filmat vizatimorë të kompanisë Disney, e ka shqetësuar shpeshherë Teuta Racajn teksa dërgonte fëmijët e saj në shkollë.

Djali 13-vjeçar dhe vajza 10-vjeçare e Teutës vijojnë mësimet në shkollën fillore "Faik Konica" në Prishtinë. Pranë kësaj shkolle është vizatuar një mural me protagonistë dy personazhe shumë të dashura për fëmijët në mbarë botën.

Radio Evropa e Lirë ka zgjedhur të mos e publikojë fotografinë e plotë të muralit, për shkak të mesazhit të dhunshëm që përmban.

“Sa herë që kalojmë kësaj rruge, më pengon ai vizatim. Është shqetësuese për ne, prindërit, ta shohim një pikturë të tillë sepse, për shembull, vajza ime, nga kureshtja, më ka pyetur disa herë ‘nënë, çfarë është ky vizatim?’ dhe është prekur shumë”, thotë Teuta.

Teuta Racaj, nënë e dy nxënësve të shkollës "Faik Konica".
Teuta Racaj, nënë e dy nxënësve të shkollës "Faik Konica".

Murali është i vizatuar në një ndërtesë banimi, e cila gjendet në një rrugicë që çon drejt shkollës "Faik Konica". Shumë njerëz, përfshirë prindërit me fëmijët, kalojnë andej gjatë ditës.

Teuta, nënë vetushqyese, nuk e di saktë se kur është vizatuar ky mural, por thotë se ai është aty “qe një kohë të gjatë”.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati, është zotuar se murali do të hiqet.

“Nuk e kemi parë më herët këtë mural dhe nuk kemi njohuri. Gjithsesi, bashkë me shkollën do të angazhohemi që ta fshijmë brenda javës”, tha Musmurati për Radion Evropa e Lirë.

Të njëjtin premtim e ka bërë edhe drejtoresha e shkollës "Faik Konica", Jehona Oruçi, e cila ka thënë se “menjëherë do të marrim masa”.

Por, shqetësimet për të janë rritur që nga 3 maji, kur një nxënës 13-vjeçar i vrau tetë fëmijë dhe një roje, si dhe plagosi disa të tjerë, gjatë një sulmi në një shkollë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Motivet prapa këtij sulmi nuk janë ende të qarta.

Sipas një mesazhi të dërguar për prindërit e fëmijëve të kësaj shkolle, zyrtarët e shkollës janë kontaktuar nga Policia e Kosovës pas sulmit në Beograd.

Shkolla Fillore "Faik Konica" - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Shkolla Fillore "Faik Konica" - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Prindërve iu tha se Policia e Kosovës e ka kontaktuar shkollën dhe kanë kërkuar që prindërit “të raportojnë në shkollë për çdo shqetësim, në mënyrë që ne të jemi në gjendje të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe të jemi në gjendje që të realizojmë detyrën tonë të kujdesit”.

“Shkolla, si gjithherë, në bashkëpunim me prindërit, është e përkushtuar për mirëqenien dhe sigurinë e nxënësve”, thuhet në mesazhin e shkollës "Faik Konica".

Psikologia Tringa Visoka beson se ekspozimi i fëmijëve ndaj pamjeve të tilla ka ndikim negativ në gjendjen e tyre psikologjike dhe mund të bëjë që "ata të largohen nga gjërat e tyre primare", si mësimi.

"Duke qenë pre e këtyre imazheve, fëmijët veçse vazhdojnë të përforcojnë sjelljet negative, duke ndikuar edhe në shfaqjen e dhunës", thotë Visoka.

Sipas saj, përveç që prindërit duhet ta ndalin ekspozimim ndaj pamjeve të tilla dhe të bashkëpunojnë me shkollën, ata duhet edhe të flasin me fëmijët e tyre rreth këtyre problemeve.

Por, Visoka shton se në raste të tilla mund të luajnë rol edhe psikologët e shkollave.

"Ata mund të ndihmojnë në raste të tilla duke organizuar programe intervenuese për parandalimin e këtyre fenomeneve, duke mbajtur ligjërata nëpër klasa, me qëllim që të ngrihet vetëdija", shton ajo.

Ndërsa, Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve në Kosovë, ka thënë se ata nuk kanë pasur asnjë ankesë nga prindërit lidhur me këtë mural specifik apo të tjerë përreth shkollave.

*Shënim: Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar më 17 maj se murali me personazhet Donald Duck dhe Mickey Mouse i shoqëruar me mesazhin e dhunshëm, në një ndërtesë banimi afër shkollës fillore "Faik Konica" në Prishtinë, është mbuluar me ngjyrë.

Ngjyrosja e muralit me mesazhin e dhunshëm, 17 maj 2023.
Ngjyrosja e muralit me mesazhin e dhunshëm, 17 maj 2023.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG