Mes përgatitjeve për një kundërofensivë të parashikuar ndaj pushtimit të Rusisë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri një thirrje të fuqishme për përfshirjen e Ukrainës në aleancën ushtarake të NATO-s, teksa iu bashkua udhëheqësve evropianë në Moldavi të enjten.
Ky samit po zhvillohet në afërsi të kufirit të Ukrainës, duke nënvizuar urgjencën dhe rëndësinë e përfshirjes më të madhe ndërkombëtare në këtë vend.
Gjatë takimit të tij me presidenten moldave, Maia Sandu, Zelensky ritheksoi kërkesën e tij për avionë luftarakë perëndimorë. Ai u shpreh se Qeveria e tij po bënte marrëveshje për një takim të ardhshëm për të adresuar nismat e paqes në Ukrainë.
Samiti, ku po marrin pjesë 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 20 vende të tjera evropiane, po mbahet në një kështjellë që ndodhet vetëm 20 kilometra larg territorit ukrainas dhe në afërsi të rajonit separatist të Transdniestrisë, që është i mbështetur nga Rusia.
Organizimi i samitit paraqiti sfidë sigurie dhe organizative për vendin me 2.5 milionë banorë, i cili po kërkon një rrugë drejt anëtarësimit në BE, ndërkohë që është i kujdesshëm ndaj veprimeve të ardhshme të Rusisë.
“Ne mbështesim Moldavinë dhe njerëzit e saj që po integrohen në BE”, tha Zelensky.
"Ju mbështetët njerëzit tanë, refugjatët tanë që u larguan në ditët e para të luftës dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë. E ardhmja jonë është në BE. Ukraina është gati të bashkohet me NATO-n", tha presidenti ukrainas.
Sandu tha se ajo mbështet përpjekjet e Ukrainës për paqe dhe gjithashtu dëshiron që bisedimet për hyrjen e Moldavisë në BE të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në një takim të veçantë të ministrave të NATO-s në Oslo, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia nuk mund të vërë veto ndaj anëtarësimit të Ukrainës, megjithëse Gjermania tha se një gjë e tillë (anëtarësimi) nuk do të ishte e mundur derisa Ukraina ishte në luftë.
“Pushtim barbar”
Avionët e vëzhgimit të Sistemeve të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror të NATO-s (AWACS) vëzhguan qiellin mbi vendin ku po mbahet samiti në Moldavi. Mbetjet e raketave nga lufta në Ukrainë janë gjetur në Moldavi disa herë që kur Rusia nisi pushtimin 15 muaj më parë.
Me premtimin e Kievit për një kundërofensivë duke përdorur armët perëndimore që i përfitoi së fundmi në përpjekje për të dëbuar pushtuesit rusë, shumica e fokusit të samitit do të jetë në Ukrainë.
“Prania e këtyre liderëve në vendin tonë është një mesazh i qartë se Moldavia nuk është vetëm dhe as fqinji ynë Ukraina, e cila për një vit e tre muaj qëndron kundër pushtimit barbar të Rusisë”, tha Sandu më herët.
BE-ja synon, gjithashtu, të përdorë samitin për të trajtuar tensionet në veri të Kosovës, të cilat janë rindezur ditëve të fundit, gjë që ka shtyrë NATO-n të dislokojë 700 paqeruajtës të tjerë në vend.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ai i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Sllovaki të mërkurën që të luante rolin e tij në zbutjen e krizës dhe shpresonte që të njëjtin mesazh t'ia transmetonte presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moldavi.
Samiti do të prekë gjithashtu një sërë çështjesh strategjike, duke filluar nga energjia e deri te siguria kibernetike dhe migrimi.
Ai, gjithashtu, ofron një mundësi për të adresuar fërkimet tjera në Evropë, duke përfshirë atë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, udhëheqësit e të cilave do të zhvillojnë bisedime me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe zyrtarë të BE-së.
Moldavia, ashtu si Ukraina, aplikoi për t'u bashkuar me BE-në vitin e kaluar menjëherë pas pushtimit rus dhe Kishinjevi zyrtar planifikon të përdorë samitin për të treguar punën që ka bërë për reformat e kërkuara dhe për t’i bindur liderët për të hapur bisedimet e pranimit.
Qeveria e ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të destabilizojë vendin përmes ndikimit të saj mbi lëvizjen separatiste në rajonin e saj kryesisht rusishtfolës të Transdniestrisë.