Ndërlidhjet

Çfarë pritet nga mbledhja e liderëve evropianë në Moldavi?


Udhëheqësit pozojnë për një foto në grup gjatë takimit të parë të Komunitetit Politik Evropian në Pragë më 6 tetor 2022.
Udhëheqësit pozojnë për një foto në grup gjatë takimit të parë të Komunitetit Politik Evropian në Pragë më 6 tetor 2022.

Liderët e 27 shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe liderë të vendeve tjera evropiane, do të mblidhen së bashku më 1 qershor në kështjellën private dhe punishte vere Mimi, që ndodhet 30 kilometra jashtë kryeqytetit moldav, Kishinau.

Ky takim do të realizohet si samiti i dytë i Komunitetit Politik Evropian (KPE).
KPE-ja, ide e presidentit francez, Emmanuel Macron, u lansua vitin e kaluar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, si një lloj forumi ndërqeveritar për diskutime politike lidhur me të ardhmen e Evropës.

Në samitin e tij inaugurues që u zhvillua në Pragë në tetor të vitit 2022, Macron iu referua takimit si "një mundësi për të ndërtuar një intimitet strategjik në Evropë". Ai, gjithashtu, hodhi poshtë nocionin se ishte një lloj zëvendësimi për anëtarësimin në BE, duke ia kujtuar këtë liderëve në Ballkanin Perëndimor dhe në fqinjësinë lindore të BE-së.

Presidentja e Moldavisë Maia Sandu dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në Komunitetin Politik Evropian në Pragë.
Presidentja e Moldavisë Maia Sandu dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në Komunitetin Politik Evropian në Pragë.

Mirëpo, një përshkrim më i tërthortë i mbledhjes do të ishte një tjetër ‘dyqan’ evropian i bisedimeve, ashtu diçka si Këshilli i Evropës. Si rezultat, nuk pritet që KPE-ja të bëhet një organizatë me buxhet, sekretariat, flamur ose himn.

Ndonëse nuk ka pasur shumë rezultate deri më tani, komentet e liderëve pas takimit të Pragës sugjeruan se atyre u pëlqente koncepti i një forumi që ofronte një "hapësirë më të lirë" ku ata mund të bisedonin pa qenë të kufizuar nga llojet e strukturave dhe minutat që iu jepen për të folur sikurse në organizatat e të tjera politike që janë shumë më formale.

Takimi në Kishinau është paraparë të zgjasë më shumë se pesë orë, me një ceremoni hyrëse që do të pasohet me katër panele diskutimi që kanë të bëjnë me fushat si: energjia, siguria, lëvizja dhe lidhje.

Pas një dreke pune, pjesa më e madhe e agjendës është planifikuar për takime të ndryshme dypalëshe – mbase do të jetë aspekti më interesant i ditës, edhe pse mjedisi intim, me më pak diplomatë të pranishëm, do të jetë më i vështirë për mediat të marrin informacione se çfarë ka ndodhur në hollësi.

Do të ketë edhe një fotografi të përbashkët, e cila mund të jetë gjëja më interesante për brezat e ardhshëm. Që nga samiti i Pragës, tri shtete tjera evropiane i janë bashkuar KPE-së: Andorra, Monako dhe San Marino, duke lënë Bjellorusinë dhe Rusinë si të vetmet shtete evropiane që nuk kanë marrë pjesë në Kishinau.

Kjo është domethënëse.

Dhe, duket se KPE-ja do të vazhdojë edhe viteve të tjera. Një samit është planifikuar tashmë në fillim të tetorit në qytetin spanjoll të Granadës, pastaj një tjetër në Mbretërinë e Bashkuar në gjysmën e parë të vitit 2024, me nikoqirët që ndryshohen çdo gjashtë muaj midis vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

Takimi ndërmjet presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrit armen, Nikol Pashinian, pas samitit, mund të jetë takimi më interesant.

Ata u mblodhën në Bruksel në maj me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje gjithëpërfshirëse midis Jerevanit dhe Bakut për rajonin e Nagorno-Karabakut. Përveç faktit që ata takohen aq shpesh sa kërkohet, takimi katërorësh nuk dha ndonjë rezultat konkret.

Në Kishinau, të tre pritet të shoqërohen nga Macroni dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, që mund të shihet si një përpjekje e dukshme evropiane për të luajtur një rol më të madh në negociatat, në të cilat deri më tani timonin më shumë e ka pasur në dorë Moska.

Për shkak se Parisi nganjëherë akuzohet se është shumë më i afërt me Jerevanin, Brukseli ka bërë një përpjekje për të përfshirë edhe Berlinin në mënyrë që të ruajë një ekuilibër në diskutime.

Zyrtarët e lartë të BE-së, duke folur në kushte anonimiteti, vazhdojnë të theksojnë se avantazhi i shtuar i angazhimit më të madh të Brukselit në këtë çështje është se "BE-ja nuk ka agjendë të fshehur këtu" dhe është e gatshme të japë kohë dhe një platformë për të lehtësuar bisedimet për aq sa nevojitet.

Takimi i pritshëm Aliyev-Pashinian zhvillohet vetëm një javë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i priti ata në Moskë -- një takim i cili përfundoi me përplasjen verbale të të dy liderëve para mediave të mbledhura.

Por, mos prisni një përparim në Kishinau, sepse ka ende takime të planifikuara për muajt e ardhshëm, duke përfshirë një në Bruksel në korrik vetëm me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe një tjetër ndoshta në samitin e radhës së KPE-së në Granada.

Megjithatë, veprimet që kanë të bëjnë me luftën e Karabakut, duke përfshirë lirimin e të burgosurve, programet e çminimit ose hapjen e linjave të transportit, mund të jenë në horizont.

Misioni monitorues i BE-së në Armeni, i cili u krijua në fillim të këtij viti me synimin për të promovuar qetësinë përgjatë kufirit armeno-azerbajxhanas, mund të luajë gjithashtu një rol më të madh. Të drejtat dhe siguria e armenëve etnikë që banojnë në rajonin Nagorno-Karabak do të jenë gjithashtu një shqetësim për evropianët, prandaj ata do të përpiqen të marrin një lloj garancie nga Baku.

Azerbajxhani prej muajsh ka bllokuar një rrugë që lidh Jerevanin dhe Nagorno-Karabakun.

Temat e diskutimit në samitin e KPE-së

Për çështje të tjera, a ka gjasa të ketë ndonjë rezultat konkret në samit?

Nuk përjashtohet mundësia për forcimin e Korsive të Solidaritetit me Ukrainën, një angazhim për reduktimin ose eliminimin e kostove të tarifave të rrjeteve celulare, ose mundësinë e rritjes së shkëmbimeve të diplomatëve dhe nëpunësve civilë midis vendeve.

Rritja e sigurisë kibernetike është një komponent kyç i një dokumenti diskutimi të përgatitur për panelin e diskutimit të sigurisë gjatë samitit, të cilin Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia do të bashkëkryesojnë.

Radio Evropa e Lirë mori një kopje të dokumentit dhe gjeti një deklaratë ku thuhet:

"Agresioni rus kundër Ukrainës po ndodh në hapësirën kibernetike në formën e incidenteve dhe aktiviteteve kibernetike keqdashëse të kryera nga grupe të sponsorizuara nga shteti, si dhe nga kriminelët kibernetikë". Për më tepër, kjo nënkupton se duhet bërë punë shtesë për të forcuar rezistencën ndaj sulmeve kibernetike në Ballkanin Perëndimor dhe vendet fqinje ruse.

Dokumenti thekson, gjithashtu, nevojën që qeveritë dhe shoqëria civile të "identifikojnë dobësitë shoqërore, të cilat synojnë të lehtësojnë operacionet e informacionit nga palët keqdashëse, që polarizojnë dhe destabilizojnë komunitetet, p.sh. pakicat etnike ose komunitetet e margjinalizuara, migrantët, çështjet gjinore/seksuale dhe politike, çështjet e demokracisë", si dhe mbështetje shtesë financiare për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për të mbrojtur centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhja.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Samiti, ndoshta takimi më i madh politik në historinë e Moldavisë, padyshim që do ta vendosë në qendër të vëmendjes vendin dhe presidenten e saj, Maia Sandu.

Si përgatitje, BE-ja tashmë ka rënë dakord të krijojë një mision civil atje për të kundërshtuar kërcënimet hibride, si dhe për të sanksionuar dy moldavë të akuzuar për minimin e integritetit territorial të Ukrainës, dhe pesë të tjerë, përfshirë oligarkët Vladimir Plahotniuc dhe Ilan Shor, për akuza të destabilizimit të Moldavisë.

Pas presidentes Maia Sandu, do të jenë liderë të tjerë që “garojnë” për vëmendje. Nëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, paraqitet (ai nuk ka qenë i pranishëm në samitin e Pragës), me gjasë ai do të jetë kryefjala e samitit.

Ndërkohë, nuk është bërë e ditur ende nëse do të jetë edhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, pas sigurimit të një mandati tjetër pesëvjeçar në balotazhin presidencial të 28 majit.

Përgatiti: Albina Kastrati

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG