Ndërlidhjet

A do të ketë në Qeveri mohues të shtetit?


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës garanton pjesëmarrjen në Qeverinë e Kosovës të përfaqësuesve politikë të komuniteteve pakicë, përfshirë edhe ata të komunitetit serb. Megjithatë, këta të fundit, të cilët vijnë nga radhët e Listës Serbe, e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë ka marrë shumicën e votave të komunitetit serb, në formë deklarative mohojnë shtetin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë e para me votat e fituara në zgjedhjet e 6 tetorit dhe është duke synuar krijimin e një koalicioni qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes në një koalicion qeverisës edhe të Listës Serbe.

Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se do ta respektojë Kushtetutën e Kosovës, kur bëhet fjalë për përfaqësimin e komunitetit serb në qeverisjen e vendit.

Mimoza Kusari-Lila, pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që do të jetë në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se rregullat e lojës për pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës, por edhe në institucionet tjera të vendit, janë të qarta.

Siç thotë ajo, në secilin institucion janë stemat e Republikës së Kosovës, që duhet të respektohen dhe të gjitha vendimet merren sipas rregullave, ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këtyre rregullave, sipas saj, do t’iu nënshtrohen edhe ata përfaqësues të caktuar politikë, të cilët në mënyrë verbale mohojnë shtetin e Kosovës dhe ushqejnë gjuhën, e cila, siç thotë ajo, në Kosova ka qenë e pranishme që nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Pra, duke filluar nga aspekti formal, siç janë stema, mbishkrimet, letër-shkresat që vijnë ose shkojnë, korrespondencat e ministrisë apo edhe kabinetit të ministrit, e deri te zbatimi i ligjeve. Nuk mund ose nuk duhet askush të jetë në pozitë të tillë, i emëruar, në rast se e mohon apo injoron ekzistencën e Republikës së Kosovës”, thotë Kusari-Lila.

Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pjesëmarrja ose jo e përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Qeverinë e Kosovës, për shkak se nuk e njohin shtetin e Kosovës, sipas saj, nuk duhet të jetë çështje, e cila duhet të pengojë ndërtimin e Kosovës, në mënyrën që të gjithë të jetojnë të lirë aty.

Sipas saj, komuniteti serb, nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, përshirë edhe në Qeveri.

“Në rast se shteti i Serbisë do të dëshironte që serbët të mos jenë pjesë e institucioneve (në Kosovë), do të duhej ta shpallte Kosovën të okupuar. Okupimi i ka principet dhe mënyrat e veta të funksionimit. Marrë parasysh që nuk e ka bërë këtë, është krejtësisht normale që brenda këtyre institucioneve, serbët të marrin pjesë, pa shkeljen e të drejtave. Për mua është kjo kryesorja, sepse edhe po të më detyronin që ta pranoj shtetin që nuk më sheh si qytetar të barabartë, ky do të ishte problem”, thotë Trajkoviq.

Megjithatë, Kusari-Lila thotë se përvojat e deritashme kanë treguar se në shumicën e rasteve, përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, pavarësisht retorikës mohuese, në praktikë nuk e kanë mohuar shtetin e Kosovës.

“Jam e bindur që në aspektin privat, ata të gjithë e dinë se ekzistenca e shtetit të Kosovës është fakt i pamohueshëm. Natyrisht se bëhet për konsum politik ajo çfarë konsiderohet se ende mund të shtyhet para si delegjitimim i shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, askush që ka ndonjë problem me vetë- ekzistimin e shtetit të Kosovës, nuk duhet të synojë apo të pretendojë të mbajë post në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës”, vlerëson Kusari-Lila.

*Video nga arkivi: #Hashtag

A është i vonshëm sanksionimi i mohuesve të krimeve të luftës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Por, Trajkoviq vlerëson se në situatën aktuale, është vështirë që komunitetit serb dhe përfaqësuesve të tij politik, t’u imponohet ndjesia që Kosovën ta shohin si shtet të pavarur. Megjithatë, sipas saj, e ardhmja nuk mund të parashikohet tërësisht.

“Në kohën kur do të ketë demokraci dhe liri, për njerëzit do të jetë krejtësisht e parëndësishme se cilën tokë e shkelin kur ecin dhe si quhet hapësira ku jetojnë, sepse askush nuk do ta njohë vetëm si serb dhe ai mund t’i kënaqë të drejtat e veta. Mund të jetojë dhe të shprehet krejtësisht lirshëm. Atëherë, fiton jeta ndaj orientimeve politike, se a je për pavarësi apo për ndonjë status tjetër të Kosovës”, thekson Trajkoviq.

Ajo shton që shqiptarët e Kosovës duhet ta shohin përvojën e tyre nga e kaluara, kur institucionet e shtetit të Serbisë nuk i njihnin si qytetarë të barabartë.

Kjo situatë, sipas saj, kishte dërguar në konflikte dhe luftëra, si dhe në projektin e kërkimit të pavarësisë, si mënyrë e zgjidhjes së problemit të jetesës së tyre.

“Në rast se ndaj nesh sillen si ndaj qytetarëve të rendit të dytë, atëherë, kush do ta pranojë një shtet të tillë si shtet të vetin?”, shprehet Trajkoviq.

Deri më tash, në disa raste, në Qeveritë e mëhershme të Kosovës, janë shënuar raste të shkarkimeve të përfaqësuesve të caktuar politikë të komunitetit serb nga postet e ministrave, për shkak të shkeljeve ligjore dhe kushtetuese, si dhe mohimit të shtetit të Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, në muajin prill ka shkarkuar nga detyra e ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal , Ivan Todosijeviqin. Më 25 mars, ai e kishte liruar nga detyra edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq. Më herët, pati liruar nga detyra edhe ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Në vitin 2014, ish-kryeministri Isa Mustafa, pati shkarkuar ministrin e atëhershëm për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG