Pretendimet mashtruese dhe të rreme se vaksinat kundër koronavirusit dëmtojnë fertilitetin dhe shkaktojnë abort, janë ende duke qarkulluar nëpër internet, pavarësisht të dhënave për të kundërtën.
Mjekët janë jashtëzakonisht të kujdesshëm se çfarë rekomandojnë gjatë shtatzënisë, andaj këshilla fillestare ka qenë shmangia e vaksinës.
Mirëpo tani, aq shumë të dhëna për sigurinë janë bërë të qasshme, saqë edhe këshilla ka ndryshuar dhe inkurajohet marrja e vaksinës, meqë infektimi me koronavirus mund të rrezikojë shtatzëninë.
Transmetuesi britanik BBC ka analizuar disa prej pretendimeve që qarkullojnë më së shumti online dhe ka sqaruar pse ato janë të gabueshme.
Një studim tregon se vaksina grumbullohet në vezore – E pavërtetë
Kjo teori vjen nga një studim që i është dërguar rregullatorit japonez, por i cili nuk është interpretuar mirë.
Në studim janë përfshirë minj, të cilëve u është dhënë dozë, sasi shumë më madhe e vaksinës, sesa iu jepet njerëzve (1.333 herë dozë më e madhe).
Vetëm 0.1 për qind e dozës totale ka përfunduar në vezoret e kafshëve, 48 orë pas marrjes së vaksinës.
Pas një ore të vaksinimit 53 për qind e dozës së vaksinës është gjetur në vendin e vaksinës - që për njerëzit është krahu – dhe 25 për qind pas 48 orëve.
Vendi më i shpeshtë ku është gjetur dozë vaksine ka qenë mëlçia (16 për qind pas 48 orëve), e cila ndihmon në largimin e produkteve jo të duhura nga gjaku.
Vaksina hyn në organizëm përmes një flluske yndyre, e cila përmban materialin gjenetik të vaksinës, për të nisur më pas aktivizimin e sistemit imunitar.
Personat që kanë promovuar këtë pretendim, kanë përdorur këto shifra që në fakt i referohen koncentrimit të yndyrës në vezore.
Nivelet e yndyrës në vezore janë rritur pas 48 orëve të marrjes së vaksinës, pasi vaksina ka kaluar nga zona e injektimit në pjesën tjetër të trupit.
Mirëpo nuk ka pasur të dhëna se aty ende ka pasur material gjenetik të virusit.
Nuk dihet se çfarë ka ndodhur pas 48 orëve, pasi studimi ka qenë i kufizuar deri aty, mirëpo pritshmëritë janë që nivelet kanë rënë sërish në zero.
Vaksinat mund ta sulmojnë placentën – Nuk ka të dhëna
Një peticion i shpërndarë nga Michael Yeadon, hulumtues shkencor, që ka bërë edhe deklarata tjera mashtruese për koronavirus, ka pretenduar se proteina që gjendet në vaksinat kundër koronavirusit, të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna, ka qenë e ngjashme me proteinën e quajtur syncytin-1, e cila gjendet gjatë formimit të placentës.
Ai ka spekuluar se kjo gjë mund të ndikojë ashtu që antitrupat kundër virusit, të sulmojnë edhe procesin e shtatzënisë.
Disa ekspertë besojnë se kjo ka qenë origjina e pretendimit se vaksinat kundër koronavirusit mund të dëmtojnë fertilitetin.
Në fakt syncytin-1 dhe proteina e koronavirusit janë aq të ngjashme sa edhe dy proteina tjera të zakonshme, dhe nëse organizimi do të hutohej aq shpejt, do të rrezikonte të sulmonte organet e veta secilën herë që identifikon ndonjë infeksion, duke krijuar antitrupa.
Mirëpo tani janë mbledhur të dhëna të reja për të ndihmuar në rrëzimin e teorisë së Yeadon.
Mjeku amerikan për fertilitet, Randy Morris, i cili ka dëshiruar të përgjigjet drejtpërdrejt ndaj shqetësimeve që ka dëgjuar, ka nisur të vëzhgojë pacientët e tij që kanë qenë duke iu nënshtruar trajtimit të fekondimit artificial (IVF) për të parë nëse vaksinimi ka ndikuar në mundësitë e tyre për shtatzëni të suksesshme.
Nga 143 gra të përfshira në studimin e Morrisit, të vaksinuara, të pavaksinuara dhe të infektuara paraprakisht, ka dalë që të gjitha kanë pasur mundësi të barabarta për të shtatzëni të suksesshme.
Mjeku Morris ka vërejtur se njerëzit që përhapin këto shqetësime, nuk kanë sqaruar pse besojnë që antitrupat e prodhuar nga vaksina, mund të dëmtojnë fertilitetin, ndërkohë që antitrupat nga infektimi natyral nuk veprojnë njëjtë.
Problemi është se teksa shkencëtarët janë duke u ngutur që të ofrojnë dëshmi për të siguruar njerëzit, këta të fundit nisin të përhapin një pretendim tjetër.
Facebook fshin rrjetin rus të përfshirë në dezinformata për vaksinim
Gjiganti teknologjik, Facebook, ka fshirë një mori të llogarive nga Rusia, të cilat kanë qenë të lidhura me një kompani të marketingut, e cila synonte të nxiste persona me ndikim, për të shtyrë përpara përmbajtje kundër vaksinimit ndaj COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.
Ky rrjet social ka thënë se ka bllokuar llogaritë e lidhura me Fazze, degë e kompanisë së marketingut të regjistruar në Mbretëri të Bashkuar, AdNow, e cila kryesisht vepron në Rusi, për shkelje të politikave kundër ndërhyrjes së huaj.
Facebook ka thënë se fushata ka shfrytëzuar platformat për të shënjestruar audiencat në Indi, Amerikë Latine, si dhe pjesërisht edhe në Shtetet e Bashkuara.
Hulumtuesit e kompanisë e kanë konsideruar fushatën si “lavanderi dezinformatash”, përmes së cilës janë krijuar artikuj mashtrues dhe peticione nëpër forume si Reddit, Medium dhe Change.org, si dhe janë krijuar llogari të rreme në platformat si Facebook dhe Instagram për të përforcuar përmbajtjen.
Ky rrjet ka publikuar animacione dhe komente në platformat e tij në nëntor dhe dhjetor të vitit 2020 duke pretenduar se vaksinat e kompanisë AstraZeneca do të shndërrojnë njeriun në shimpanze dhe duke përdorur skenat e filmit “Planet of the Apes” të vitit 1968.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë bashkë 132 vende anëtare në nënshkrimin e deklaratës rreth rreziqeve të infodemisë për koronavirusin.
Në të thuhet se prej shpërthimit të koronavirusit dhe shpalljes së pandemisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, zyrtarë të lartë në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e saj, kanë tërhequr vërejtjen për sfidën e infodemisë apo keqinformimit dhe dezinformimit për pandeminë.
Guterres madje ka thënë se “me përhapjen e COVID-19, është nisur një cunami i keqinformimit, urrejtjes, skandaleve dhe frikësimit”.