I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një vizitë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh.
“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të nisem për në Bled për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit dhe në Prishtinë, për të përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve”, tha Lajçak, duke mos dhënë detaje të tjera rreth vizitës në Prishtinë.
Ndërkaq, Forumi i Bledit, ku Lajçak tha se do të marrë pjesë, mbahet më 2 dhe 3 shtator.
Lajçak po ashtu foli për qëndrimin e tij në Pragë, ku mori pjesë në konferencën e sigurisë, Globsec.
Ai tha se në Pragë zhvilloi takime me të dërguarin e ri të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexender Kasanof, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq.
“Një prej momenteve më të rëndësishme ishte takimi me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimro, Alexender Kasanof, dhe rikonfirmimi i partneritetit të shkëlqyer mes BE-së dhe SHBA-së. Po aq i rëndësishëm ishte takimi im me presidentin Vuçiq lidhur me hapat e radhës në dialog dhe për pritjet për periudhën e ardhshme”, shkroi Lajçak në llogarinë e tij në Facebook.
Javë më parë, Bashkimi Evropian tha se dëshiron që të fusë në agjendën e dialogut çështjen e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.
Autoritetet në Kosovë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se për çështjen e hapjes së urës mbi Ibër, palët veçse kanë arritur marrëveshje vite më parë.
Bashkësia ndërkombëtare po e kundërshton hapjen e urës tani, duke u thirrur në shkaqe sigurie.