Ndërlidhjet

Vuçiq kërkon nga BE-ja veprime konkrete në Kosovë, jo vetëm dënim


I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 14 nëntor 2023.
I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 14 nëntor 2023.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga Bashkimi Evropian një reagim “konkret dhe të qartë” për, siç tha, mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

Vuçiq u takua me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Pragë, ku po zhvillon punimet forumi i sigurisë, GLOBSEC.

Përmes një postimi në Instagram, Vuçiq tha se ka pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë me Lajçakun.

Ai tha se ia ka përcjellë atij “shqetësimin e jashtëzakonshëm për dhunën e fundit në Kosovë dhe Metohi, për shkeljen e përsëritur të të drejtave të njeriut dhe për rrezikimin e sigurisë së popullatës serbe nga lëvizjet arrogante dhe ilegale të Prishtinës”.

Ai tha se pret reagim nga BE-ja dhe “jo vetëm dënimin e veprimeve të tilla”.

“Serbia mbetet partnere e përgjegjshme e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, por do t’i përdorë të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion, për të mos lejuar terrorin kundër popullit të saj”, tha Vuçiq.

Një ditë më herët, institucionet e Kosovës njoftuan se kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.

Sipas Qeverisë së Kosovës, këto institucione kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë.

Edhe pse nuk kishte dhunë, ky veprim nxiti reagimin e BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës.

Sipas tyre, ai është bërë pa konsultime me partnerët perëndimorë dhe rrezikon t’i rrisë tensionet.

Duke folur më vonë për gazetarët në Pragë, Vuçiq tha se nuk e kupton qëllimin e veprimeve të ndërmarra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “përveçse ta provokojë Serbinë”.

Ai tha se Serbia do të sillet me përgjegjësi, ndërsa Kosovën “e porositi se lëvizjet që destabilizojnë të gjithë rajonin, nuk janë politikë e mirë”.

Përndryshe, aksioni në veri u ndërmor në kohën kur Qeveria e Kosovës po përballet me kritika të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare, për shkak të, siç thuhet, veprimeve “të njëanshme dhe të pakoordinuara”.

Të tilla konsiderohen vendimi për heqjen e dinarit serb nga përdorimi deri te plani për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG