Ndërlidhjet

Festivali “Mirëdita, dobar dan” nderon viktimat e sulmit në Serbi


Pjesëmarrës të festivalit "Mirëdita, dobar dan" u mblodhën të enjten para Teatrit Kombëtar në Prishtinë për të ndezur qirinj në nder të viktimave nga një sulm vdekjeprurës më 3 maj në Beograd të Serbisë.
Pjesëmarrës të festivalit "Mirëdita, dobar dan" u mblodhën të enjten para Teatrit Kombëtar në Prishtinë për të ndezur qirinj në nder të viktimave nga një sulm vdekjeprurës më 3 maj në Beograd të Serbisë.

Të enjten në Prishtinë është hapur edicioni i dhjetë i festivalit, "Mirëdita, dobar dan" i cili synon që audienca e Kosovës të ketë mundësinë të njihet me skenën artistike e shoqërore serbe.

Festivali u hap me një minutë heshtje nga të gjithë pjesëmarrësit, për nder të viktimave të sulmit të armatosur më 3 maj në një shkollë fillore në Beograd, ku u vranë tetë fëmijë dhe një rojë.

Pjesëmarrësit në festivalin "Mirëdita, dobar dan", mbajnë një minutë heshtje.
Pjesëmarrësit në festivalin "Mirëdita, dobar dan", mbajnë një minutë heshtje.

Më vonë, organizatorët e festivalit ndezën qirinj para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të këtyre viktimave.

Qëllimi i festivalit është që me takimet e komuniteteve sociale dhe kulturore, serbe dhe kosovare, të iniciojë ndryshimet dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi që do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“E veçanta kryesore e këtij edicioni është fakti që ne vazhdojmë të ekzistojmë si festival, pasi siç dihet 'Mirëdita, dobar dan' nuk është shumë i mirëpritur nga masa dhe grupet nacionaliste. Por, megjithatë, ne po vazhdojmë rrugën tonë me entuziazmin, seriozitetin dhe përkushtimin siç e kishim në fillim”, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë organizatori i festivalit, Kushtrim Koliqi.

Festivali mbahet herë në Prishtinë, e herë në Beograd, ndërsa që nga themelimi i tij në vitin 2014, është shoqëruar me protesta të organizatave dhe partive të djathta në Serbi.

“Në Kosovë nuk kemi pasur protesta të nivelit që i kemi në Beograd. Kemi pasur akuza, sharje, fyerje prej nacionalistëve apo grupeve që nuk mirëpresin ngjarje të tilla, mirëpo aktivitete publike kundërshtuese nuk kemi pasur”, thotë Koliqi nga organizata Integra.

“Jemi shumë të lumtur që kemi arritur ta kurojmë një program të tillë që qytetarëve të Kosovës t’ua prezantojmë prodhimet artistike, botimet dhe në të njëjtën kohë të zhvillojmë debate dhe diskutime për tema, për të cilat nuk jemi shumë rehat t’i diskutuar, qoftë në Kosovë, po ashtu edhe në Serbi”, shton Koliqi.

Festivali ka dy programe: atë të debateve dhe programin kulturor.

Këtë edicion do të diskutohen tema me rëndësi për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Serbia tjetër: Sërgja Popoviq” nga Shkëlzen Gashi, përmes debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur kuptova që lufta filloi”.

“Ne duhet ta kuptojmë që në Serbi edhe në kohën e [ish- liderit serb] Sllobodan Millosheviqit, por edhe në ditët e sotme ka intelektualë, akademikë, artistë të cilët zëshëm i mbrojnë vlerat dhe parimet e të drejtave të njeriut, zëshëm flasin për krimet që kanë ndodhur në Kosovë. Për këtë arsye është mirë ta njohim edhe një anë tjetër të kësaj Serbie”, thotë Koliqi.

Hapja e festivalit "Mirëdita, dobar dan", në Prishtinë.
Hapja e festivalit "Mirëdita, dobar dan", në Prishtinë.

Festivali është hapur me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andriq, i cili ka fituar shumë çmime. Ndërsa, ngjarja kryesore artistike është koncerti i grupit të vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën.

Festivali “Mirëdita, dobar dan” do të zgjasë deri më 6 maj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG