Militantët kanë marrë nën kontroll pjesë të territorit në Siri, duke ringjallur luftën civile që për vite të tëra ka qenë e fjetur.
Ofensiva e befasishme në veriperëndim të Sirisë po udhëhiqet nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), një nga grupet më të mëdha militante që kundërshtojnë Qeverinë e presidentit, Bashar al-Assad.
Që nga 27 nëntori, ky grup, që është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, dhe grupet aleate kanë marrë nën kontroll Alepon – qytetin e dytë më të madh të Sirisë – dhe po përparojnë në jug.
Kush është HTS-ja?
HTS është grup militant islamist, anëtarët e së cilit janë kryesisht salafistë, një sekt ultra-radikal i islamit sunit. Ky grup kërkon themelimin e një shteti në Siri që qeveriste sipas ligjit islamik.
Grupi u shfaq në skenë më 2012, një vit pas nisjes së luftës civile siriane. Fillimisht, grupi u shfaq me emrin Jabhat al-Nusra, apo Fronti Nusra, degë siriane e Al-Kaidas.
I udhëhequr nga Muhammad al-Julani, grupi merrte urdhra nga Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqësi i Al-Kaidas në Irak. Baghdadi më pas shkëputi lidhjet me Al-Kaidan dhe themeloi grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), grup në të cilin Julani refuzoi të bëhej pjesë.
Fronti Nusra u shndërrua në një nga grupet më vdekjeprurëse që luftojnë kundër Assadit dhe përdor taktika, sikurse bombardimet vetëvrasëse dhe pajisjet artizanale plasëse.
Grupi militant më pas ndryshoi emrin disa herë dhe u distancua nga Al-Kaida. Më 2017, ajo u bashkua me grupe të tjera opozitare në veriperëndim të Sirisë për të formuar HTS-në.
Inteligjenca amerikane vlerëson se HTS-ja ka ndërmjet 5.000 deri në 10.000 anëtarë. Grupi është futur në listën e organizatave terroriste nga Uashingtoni më 2018 dhe është vendosur shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacione rreth liderit të tij, Julani.
Kush janë fraksionet e tij aleate?
HTS-ja udhëheq një aleancë të militantëve sirianë dhe rebelëve kundër Assadit, i cili mbështetet nga Irani dhe Rusia.
Anëtarët kryesorë të kësaj aleance që janë të përfshirë në ofensivën aktuale përfshijnë Faylaq al-Sham, Jaysh al-Izza, Harakat Ahrar al-Sham dhe Brigada e Turkistanit.
Brigada e Turkistanit, që doli në skenë më 2012, përbëhet nga luftëtarë të huaj nga Kina dhe Azia Qendrore, kryesisht taxhikë dhe uzbekë.
Ka edhe grupe të tjera që zyrtarisht nuk janë të bashkuar me HTS-në, por që kanë qëllime të njëjta. Këtu përfshihet edhe Ushtria Kombëtare Siriane dhe Ushtria e Lirë Siriane.
Dy grupet mbështeten nga fqinji verior i Sirisë, Turqia, dhe besohet se janë përfshirë në ofensivën aktuale.