Ndërlidhjet

Shqipëri: Merret në pyetje ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri vendosi të hënën, më 20 nëntor, të vazhdojë masat e sigurisë ndaj ish-ministrit të shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Prokuroria ka ngritur dyshime për "shpërdorim detyre" ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë në lidhje me kontratën koncesionare 10-vjeçare të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "detyrim paraqitjeje", që do të thotë se ish-ministri duhet të paraqitet çdo javë pranë autoriteteve të drejtësisë për t'u marrë në pyetje. Gjithashtu, masa tjetër e caktuar ndaj tij është edhe "ndalimi i daljes jashtë shtetit".

Të dyja këto masa mbetën në fuqi gjatë marrjes në pyetje të ish-ministrit Beqaj, në kuadër të hetimeve për kontratën në vlerë prej 100 milionë eurove të "sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale".

Pas daljes nga seanca, ish-ministri Beqaj mbrojti kontratën që ai ka nënshkruar.

"Në këto tetë vjet [të kohëzgjatjes së kontratës], 400 kirurgët operojnë në kushte bashkëkohore, shqiptarët operohen në kushte sterile, dhe në çdo operacion u kursehen qëndrimet në spital”, tha Beqaj.

Deri tani nga hetimi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë eurove, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t'u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes zëvendësministrit Klodian Rrjepaj, si kryetar i komisionit të koncesionit, dhe Ilir Rrapajt si biznesmen përfitues i tij.

Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Deri në momentin që SPAK njoftoi se po hetonte ish-ministrin, Ilir Beqaj, ai ishte drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Beqaj njoftoi për largimin nga ky post "për të garantuar integritetin e procesit hetimor dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm të ndikimit tim si zyrtar në këtë proces".

Beqaj nuk bëri ndonjë njoftim për pozicionin e tij si pjesëtar i grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por masa e sigurisë "ndalim i daljes jashtë shtetit" ia bën të pamundur ushtrimin e kësaj detyre.

Ilir Beqaj ishte emëruar ministër i Shëndetësisë në vitin 2013 dhe gjatë mandatit të tij katërvjeçar janë firmosur tri kontrata koncesionare për shërbime të sistemit shëndetësor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG