Ndërlidhjet

Mblidhet ekipi negociator, më 8 janar shkon në Bruksel


Pamje nga konferenca për media.
Pamje nga konferenca për media.

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ekipi negociator për dialog me Serbinë, kanë zhvilluar takimin e parë të përbashkët për t’i diskutuar hapat e ardhshëm në kuadër të fazës finale të bisedimeve në Bruksel, që po lehtësohen nga Bashkimi Evropian.

Takimi ishte thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Aty kanë marrë pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj si dhe bashkëkryesuesi i ekipit negociator Shpend Ahmeti.

Pas takimit është bërë e ditur se ekipi shtetëror i Kosovës më 8 janar të vitit 2019, është i ftuar për një takim në Bruksel.

Ata janë zotuar për një proces transparent, duke besuar se rezultat i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, si një lloj parakushti që i mundëson Kosovës më pas anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe përshpejtim në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Kosova është në rrugë të mirë dhe kërkoi që në këtë proces të jenë të gjithë së bashku.

“Është i proces i lirisë është proces i sovranitetit të territorit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran, është proces që Serbia të njohë Kosovën si shtet dhe të fitojmë ulësen në OKB. I tërë procesi është transparent do të jetë e plotë dhe përgjegjësia. Kosova e ka zotimin e vet për dialog para institucioneve para qytetarëve para partnerëve ndërkombëtarë. Kosova ka njerëzit e vet që do t’i dalin zot vendit të vet”, tha Veseli.

Pamje nga takimi
Pamje nga takimi

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se duke qenë më të koordinuar dhe të bashkuar, do të ketë, sipas tij, edhe sukses në angazhimet për arritjen e një marrëveshje finale Kosovë – Serbi.

“Ky unitet i qëndrueshëm i bartëse të institucioneve, ekipit negociator, shoqërisë civile... është një thirrje edhe për hezituesit e këtij procesi që të marrin përgjegjësi për përmbylljen e këtij procesi final Kosovë– Serbi”, tha Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri, Ramush Haradinaj tha se mirëpret çdo ide dhe sugjerim rreth dialogut Kosovë - Serbi, por asnjëherë, në tavolinat e bisedimeve nuk do të flitet apo negociohet për shkëmbim të territoreve.

“Qeveria e vendit, me qëllim që ekipi negociator të vihet në korniza ligjore, ka miratuar projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror si dhe ka sponsorizuar hartimin e draft-marrëveshjes, librin e madh me shumë kapituj, që është shkruar nga ekspertët e Qeverisë, duke e pajisur ekipin negociator të vendit me një materie të gjallë, gjithëpërfshirëse dhe të hapur”, theksoi Haradinaj.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, përfaqësuesi i subjektit të vetëm opozitar në këtë ekip negociator tha se më 8 janar, ekipi negociator do të ketë takim në Bruksel për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të dialogut.

“Shumë shpejtë do të kemi edhe matricën e gjitha temave që ne i presim që do të zgjidhen në këtë dialog gjithëpërfshirës. Pra, aty do të jenë të përfshira në platformë prej temës së të zhdukurve, dëmeve të lutës dhe pronave do të jenë të përmbyllura në këtë proces”, tha Ahmeti.

Në këtë takim ndonëse të ftuar nuk kanë marrë pjesë edhe liderët e dy partive më të mëdha opozitare, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kuvendi i Kosovës kishte paraparë të mbante seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohej për dokumentin e përgatitur nga Qeveria e Kosovës si “Draft-marrëveshja gjithëpërfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Por, në mungesë të koalicionit qeveritar, seanca ende nuk ka filluar.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë thënë se koalicioni qeveritare po tregohet i papërgjegjshëm karshi obligimeve dhe detyrave që ata kanë.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se është papërgjegjësi e madhe për mënyrën se si po menaxhohet Kuvendi i Kosovës.

“Është obligim kushtetues i kryetarit të Kuvendit që të sigurohet që seanca hapet sipas kërkesës së 40 deputeteve për një çështje të rëndësishme që është një draft marrëveshjeve gjithëpërfshirëse që i është dorëzuar partive politike, ambasadorëve të vendeve të BE-së që është dashur të diskutohet këtu në Kuvend për të dhënë qëndrimet e deputetëve dhe dy grupeve opozitare”, tha Hoti.

Institucionet e Kosovës po i bëjnë përgatitjet për fazën finale të bisedimeve me Serbinë, në kuadër të dialogut që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Sipas Prishtinës zyrtare, synimet janë që në fund të këtij procesi, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do të ishte ligjërisht obligative për të dy shtetet, me anë të së cilës Kosova do të siguronte edhe ulësen e saj në Kombet e Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG