Ndërlidhjet

A do të mbijetojë Qeveria Haradinaj?


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Pavarësisht humbjes së shumicës në Kuvend pas largimit të Listës Serbe, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka në rrezik mbijetesën e saj, thonë analistët politik.

Sipas tyre, Qeveria aktuale, që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, nuk është duke u përballur me ndonjë nismë nga opozita për mocion mosbesimi në Kuvend, si një prej procedurave që mund të shfrytëzohet për rrëzimin e Qeverisë.

Partitë opozitare si Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Grupi i Pavarura i Deputetëve, sipas analistëve, nuk do të ndërmarrin tash për tash ndonjë nismë për rrëzimin e Qeverisë, sepse do kishin problem me moralin politik, ngase nisma e tyre do të pasonte vendimet e Listës Serbe dhe të Beogradit.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk beson se partitë opozitare do të shfrytëzonin këtë rast që të qojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Sa i përket funksionimit të Qeverisë edhe në të kaluarën ka pasur raste kur qeveria e Kosovës ka funksionuar pa i pasur 61 vota në parlament si mbështetje dhe kjo nuk do të jetë hera e parë që po ndodh një gjë e tillë. Tani varet nga opozita a do të shfrytëzoj këtë rast".

"Megjithatë, sipas të gjitha gjasave kjo nuk do të ndodh, pasi që në rastin kur ndodhin ngjarje të tilla në raport me Serbinë atëherë vjen deri tek homogjenzimi i spektrit politik kosovar dhe sikur të ishte një rast tjetër mbase do të shfrytëzohej nga opozita, por në këtë rast jo. Nuk ka asnjë iniciativë nga LDK nga VV dhe nga grupi i deputetëve të pavarur të kapitalizojnë këtë rast sepse do ketë problem me moralin politik nëse e bëjnë këtë gjë në këtë kontekst të caktuar”, thotë Muhaxhiri.

Lista Serbe ditë më parë ka marrë vendim që të dalë nga Qeveria e Kosovës. Ky vendim i Listës Serbe ka ardhur pas zhvillimeve të ditës së hënë në Mitrovicë dhe arrestimit të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nga Policia e Kosovës.

Lista Serbe, ka një grup parlamentar prej 10 deputetëve, prej të cilëve, nëntë janë serbë dhe një nga komuniteti goran. Po ashtu, kjo Listë ka pasur poste ministrore dhe zëvendësministrore në Qeverinë e Kosovës si dhe udhëheq me shumicën e komunave ku serbët përbëjnë shumicën.

Pas kësaj situate të krijuar analisti i çështjeve politike, Ismajl Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike shqiptare dhe partitë tjera jo shqiptare që janë pjesë e parlamentit do të duhet të kenë konsensus për tejkalimin e situatës.

“Konsideroj se dalja e Listës Serbë nga Qeveria është e përkohshme për fakti se serbët dëshirojnë të përfitojnë atë që i është premtuar nga institucionet që nënkupton hartimin e statutit të bashkësisë me shumicë serbe. Ata do të testojnë institucionet e Kosovës për një kohë dhe do të bëjnë përpjekje që të provokojnë situatën, të provokojnë edhe zgjedhje të parakohshme, por mendoj në situatën që jemi kjo qeveri nuk është që sot e ka pakicën kjo qeveri që nga konstituimi e ka pasur hendikepin e vet, por për momentin nuk janë zgjidhje zgjedhjet, por do të duhej një konsensus të tejkalohet situata”, thotë Hasani.

Hasani shton se zgjedhjet e parakohshme pas ngjarjeve të fundit që ndodhëm nuk janë zgjidhje.

Edhe analisti Artan Muhaxhiri konsideron se në Kosovë nuk ka hapësirë për zgjedhje të reja sepse siç thotë ai ‘do të çakordohej i gjithë sistemi politik.

“Nuk besoj se do të ketë zgjedhje të reja, tani pritet një negocim me Listën Serbe që ajo të kthehet në qeveri në ndonjë formë të caktuar qoftë në mënyrë të plotë ose me ndonjë modifikim, por nuk mendoj se ka hapësirë për zgjedhje të reja sepse do të çakordohej i gjithë sistemi politik dhe nuk besoj që opozita kosovare është e gatshme të shkojë në zgjedhje të reja në veçanti në rrethana të tilla problematike siç është edhe konflikti më i ri me Serbinë”, thotë Muhaxhiri.

Shumica minimale që i duhet një qeverie për të mbijetuar, është 61 vota të deputetëve nga 120 sa ka gjithsej Parlamenti i Kosovës. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sipas mandatit kushtetues, do të duhej të organizoheshin në vitin 2021.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG