Ndërlidhjet

Mbi 90 të prekur nga fruthi - një i vdekur


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë nga muaji qershor i këtij viti janë paraqitur 94 raste me fruth. Një tashmë ka përfunduar me fatalitet.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ishte alarmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në muajin mars të këtij viti se epidemia e fruthit kishte ngërthyer Evropën.

Për 16 vite me radhë, në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast me fruth. Një gjendje e tillë, besohet se ishte rezultat i vaksinimit të mbi 95 për qind të popullatës.

Sali Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nga muaji qershor i këtij viti kanë filluar rastet e para me fruth dhe prej asaj periudhe, janë konfirmuar gjithsej 94 raste.

Raste të shtuara prej viteve të 90-ta nuk kemi pasur. Ndërsa këta dy-tre muajt e fundit kemi pasur raste sporadike, derisa ditët e fundit janë shtuar ato, ku kemi edhe raste me komplikime, sidomos me sistemin respirator, pastaj të atyre me probleme të zemrës etj”.

Pacientët janë duke u trajtuar dhe situata është nën kontroll tash për tash. Numër enorm nuk kemi, por ka raste. Sot kemi pranuar 5 raste të reja”, tha Ahmeti.

Bazuar në një studim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera, viteve të fundit, sëmundja e fruthit ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), thotë se vaksinat kundër fruthit duhet menjëherë të shtohen në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore.

Epidemiologia Isme Humolli, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se ajo çka po ndodhë muajt e fundit në Kosovë, është vazhdimësi e epidemisë së fruthit këto katër vjetët e fundit që ka kapluar Evropën.

Alarmin Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik e ka ngritur qysh më 1 mars të këtij viti, ku në kalendarin tonë kanë qenë 133 pacientë me dyshimin më të vogël me ethe, e që 94 raste kanë rezultuar pozitive me fruth”.

Të gjitha rastet që janë konfirmuar në laboratorin tonë, më pas mostrat janë dërguar edhe në Luksemburg dhe kanë rezultuar pozitiv. Virusi është i njëjtë me vendet tjera të Evropës”, tha Humolli.

Zonja Humolli tutje shton se të gjithë personat e prekur nga epidemia e fruthit, janë persona që nuk janë mbuluar me vaksinim.

Të prekurit me fruth janë persona të pa vaksinuar dhe shumica janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, por ka edhe të tjerë”, tha Humolli.

Sidoqoftë, autoritetet shëndetësore në Kosovë thonë se po realizojnë programe të përfshirjes në fushatën e vaksinimit të fëmijëve të komuniteteve serb, rom, ashkali e egjiptian, ku edhe hyn 5 përqindëshi i të pavaksinuarve.

Ky vaksinim planifikohet të kryhet nëpërmjet programeve të veçanta, duke përmbushur synimin "për të gjithë fëmijët e vaksinuar".

Ndryshe, ndonëse profesionistë shëndetësorë kanë deklaruar se shumicën e barnave për trajtimin e fruthit i posedojnë , ato që kanë munguar është lajmëruar edhe Barnatorja Qendrore e cila tashmë është në pritje të furnizimit edhe me produktet tjera, për të cilat janë njoftuar edhe operatorët ekonomik nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG