Ndërlidhjet

Mbeturina shtazore vend e pa vend, fabrika jofunksionale


Mirash Loop 2.mp4

Fabrika për trajtimin e mbetjeve shtazore në Kosovë - edhe pse ka më shumë se tre vjet që është ndërtuar - nuk funksionon.

Se kur do të mund të fillojë me operimet dhe nga kush do të menaxhohet, nuk ka asnjë informacion zyrtar.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të vitit 2021 thuhet se ndërtimi i fabrikës në Komunën e Drenasit ka përfunduar në dhjetor të vitit 2019, por se asaj i mungojnë ende disa pajisje, përfshirë: gjeneratorin elektrik dhe tankun për deponimin e gazit natyror.

Projekti, që kap vlerën e 7.7 milionë eurove, është realizuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV), në bashkëfinancim me Zyrën e Komisionit Evropian (ZKE).

Nga Zyra e BE-së në Prishtinë thonë për Radion Evropa e Lirë se “ndërtimi i objektit administrativ dhe industrial ka përfunduar në vitin 2017” dhe se ai i është dorëzuar AUV-it, si pronar i fabrikës.


Furnizimin me pajisje, më pas, e ka bërë Qeveria e Kosovës.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk japin ndonjë përgjigje konkrete se pse nuk është funksionalizuar fabrika deri më tash dhe as kur pritet të funksionalizohet.

“Përmes projekteve të BE-së është duke u bërë studimi lidhur me këtë impiant, për sa u përket çështjeve teknike, ndikimit në mjedis, kostos financiare të funksionalizimit dhe mbajtjes në punë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-it.

Vendimi se kush do ta menaxhojë fabrikën, ai thotë se nuk është marrë ende. Tash për tash, sipas tij, janë disa opsione: me partneritet publiko-privat, me koncesion, me tenderim ose forma të tjera.

“Këtë nuk mund ta paragjykojmë tani, apo të shprehim favore për ndonjërin nga opsionet”, thotë Thaçi.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Qeverinë e Kosovës se kur pritet të funksionalizohet kjo fabrikë dhe në çfarë forme do ta zhvillojë veprimtarinë e saj, por nuk mori përgjigje.

Mbetjet shtazore, të kamufluara në kontejnerë

Në mungesë të fabrikës, mbeturinat me origjinë shtazore jo rrallëherë hidhen në kontejnerë të përbashkët në zonat urbane, duke rrezikuar direkt shëndetin publik, thonë ekspertë të fushës.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, e cila mbulon disa komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin Prishtinë, has shpesh në mbeturina të tilla që “mbështillen ose kamuflohen” nga pronarët e mishtoreve dhe thertoreve.

“Kompania ‘Pastrimi’ çdo ditë ballafaqohet me mbetje të kafshëve, të cilat hidhen nga subjekte të paidentifikuara në kontejnerë të qytetit - deri në 4.400 kilogramë për një ditë. Kurse, gjatë festave, sasia e grumbullimit arrin në 18 tonë në ditë”, thuhet në një deklaratë nga “Pastrimi”, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Aty, po ashtu, thuhet se shumë mbeturina shtazore përfundojnë si mbeturina të amvisërisë në Deponinë Sanitare në Mirash - Komuna e Obiliqit.


Nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, nën menaxhimin e së cilës bie edhe ajo e Mirashit, thonë se mbeturinat e kamufluara shtazore rrezikojnë që të mbesin në natyrë për një kohë të gjatë, pa u mbuluar me sasinë e duhur të dheut.

Kryeshefi ekzekutiv në këtë kompani, Abdullah Haxhiu, thotë se kur mishtoret kanë marrëveshje me kompanitë e pastrimit, mbeturinat e tyre vijnë në mënyrë të organizuar dhe asgjësohen në vende të caktuara.

Por, mungesa e klasifikimit shkakton shpesh probleme, thotë Haxhiu për Radion Evropa e Lirë. Ai u bën thirrje institucioneve që ta funksionalizojnë sa më shpejt fabrikën për trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve shtazore, sepse, siç thotë, deponitë nuk janë adekuate për këtë qëllim.

Sipas Haxhiut, vendimi për hedhjen e mbeturinave nëpër zona si ajo e Mirashit ka qenë i përkohshëm.

Vendimi i tillë është marrë qysh në vitin 2013 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës.

Fabrika “është e domosdoshme”

Skënder Muji, ligjërues i Lëndës Higjiena dhe Mirëqenia e Kafshëve në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se mbeturinat shtazore kërkojnë trajtim të veçantë, për shkak të rrezikut të bartjes së ndonjë sëmundjeje.

Sipas tij, funksionalizimi i fabrikës për trajtimin e tyre është i domosdoshëm. Në të kundërtën, thotë Muji, mbetjet e tilla duhet klasifikohen dhe të groposen thellë, jashtë zonave të banuara dhe tokave punuese.

“... sepse, çdo produkt me origjinë shtazore, kur del në ambient të hapur, pas një kohe, mund të jetë i rrezikshëm. Ai kontaminohet dhe mund të jetë edhe bartës i sëmundjeve të ndryshme”, thotë Muji për Radion Evropa e Lirë.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, trajtimi dhe menaxhimi i mbeturinave mbetet sfidë në përgjithësi në Kosovë, pasi në shumë komuna nuk ka kategorizim dhe klasifikim të tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG