Qese najloni me plot placenta vazhdojnë të qëndrojnë në pesë frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë.
Gjendja në këtë klinikë nuk ka ndryshuar edhe pas një jave qëkur Radio Evropa e Lirë ka raportuar për këtë problematikë.
Placentat vazhdojnë të lëshojnë erë të keqe nga frigoriferët që janë pak metra nga salla e lindjes dhe salla e operacionit, tha për Radion Evropa e Lirë, Jakup Ismaili, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare.
"Problemet janë të njëjta, lindjet po kryhen. Vatra, burimi i infeksionit është prezent", tha ai.
Pas stërmbushjes së frigoriferëve, stafi i gjinekologjisë ka larguar një pjesë të placentave duke i vendosur ato në një frigorifer të jashtëm.
Ilmije Havolli-Lushaku, kryeinfermiere në sallën e lindjes në Klinikën e Gjinekologjisë, tha se është bërë një zgjidhje për dy apo tri ditë me vendosjen e një frigoriferi jashtë klinikës.
“Kemi vendosur një frigorifer, e kemi hequr një sasi (të placentave) prej frigoriferëve të cilët kanë qenë plotësisht të shkrirë, i kemi vendosur në këtë frigorifer. Po edhe ata frigoriferë që kanë mbetur në klinikë janë të mbushur. Vazhdon të kutërboj era dhe mund t’ju them që vikendin e kaluar, punëtorët patën ankesa dhe më thanë ‘ne nuk do të vijmë në punë nëse nuk bëhet një zgjidhje sepse po e rrezikojmë shëndetin tonë seriozisht’”, tha Havolli-Lushaku.
Patologjia e ngufatur me mbetje indore
Gjymtyrë dhe pjesë të tjera të trupit të njeriut, të hequra gjatë operimit, qëndrojnë në Institutin e Patologjisë në Prishtinë.
Këtyre mbetjeve tashmë u janë bërë të gjitha analizat e nevojshme dhe është dashur të largohen nga ky institut dhe të groposen.
Sipas procedurave, ato duhet të hiqen çdo muaj. Mirëpo, tashmë janë bërë tre muaj që ato nuk largohen në mungesë të një vendi për t'i groposur.
Sadushe Loxha, shefe e Institutit të Patologjisë tha se vonesat në largimin e mbetjeve trupore paraqesin rrezik për stafin shëndetësor.
"Ka tre muaj ose edhe me tepër që janë grumbulluar mbetjet këtu edhe i kemi vendosur në vende të ndryshme edhe pse na pengojnë për shkak të aromës. Duke pasur parasysh se mbetjet në Institutin e Patologjisë, mbahen në fiksativin (lëng kimik) që përdoret për ruajtjen e indeve dhe ka një aromë shumë të dëmshme e të rendë dhe kancerogjene", tha ajo.
Këto mbetje nuk janë vetëm nga Prishtina, por ato mblidhen nga të gjitha spitalet tjera rajonale.
Loxha tregoi se në mungesë të hapësirave të duhura dhe frigoriferëve adekuatë, disa nga mbetjet ruhen në frigoriferë ushqimesh e disa të tjera ruhen edhe në tualete.
"Ne pranojmë edhe materiale të tjera të cilat janë të dëmshme. Për shembull amputime që ruhen në frigorifer të veçantë, po megjithatë prapëseprapë ato ishte dashur në momentin kur të kryhet puna, të merret materiali, të vendoset diagnoza, ato duhet të zhduken në vende të caktuar. Do të thotë për tre muaj çdo gjë që ka ardhur brenda tre muajve është brenda institutit", u shpreh Loxha.
Komuna dhe Ministria e Shëndetësisë heshtin
Komuna Prishtinës ka përmendur një lokacion në fshatin Vranidoll për groposjen e mbetjeve patologjike, por ende nuk e kam marrë një vendim.
Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës nuk janë përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë, se pse kryetari i komunës nuk ka marrë një vendim të tillë.
Nga ana tjetër, banorët e fshatit Vranidoll kanë kundërshtuar groposjen e mbetjeve patologjike në fshatin e tyre.
Lidhur me çështjen e mbetjeve patologjike në spitalet kryesore, është informuar edhe Ministria e Shëndetësisë, mirëpo deri tash nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
FSSH: Dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë çështje
Në Federatën Sindikale të Shëndetësisë (FSSH) thanë se stafi shëndetësor çdo ditë ka probleme në klinika nga mbetjet patologjike.
Blerim Syla, kryetar i kësaj sindikate, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet përkatëse duhet ta rregullojnë këtë çështje.
"Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Prishtinës duhet të merren vesh. Ministria ta sjellë ligjin që e obligon Komunën e Prishtinës dhe Komuna e Prishtinës ta sigurojë vendin. Përndryshe, me të vërtet dhe me siguri do të vijë edhe deri të ndërprerja e punës sepse kjo është e pamundur të rrezikohet jeta jonë dhe pacientëve tanë në këtë vend", tha Syla.
Nga ana tjetër, Bekim Haxhiu, deputeti opozitar, anëtar i Komisioni për shëndetësi në Kuvendi e Kosovë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se kjo çështje nuk duhet të mbetet në vullnetit e kryetarëve të komunave, por ajo duhet të jetë çështje e menaxhimit të situatave të tilla edhe problemeve të tilla nga bartësit institucionalë.
"Kjo është çështje e neglizhencës dhe mosveprimit nga ana e MSH-së dhe bordit të SHSKUK-së të cilët për një veprim të tillë, pra për asgjësimin e mbetjeve patologjike, e kanë detyrë ligjore që të merren me to", tha Haxhiu.
"Në rast të përhapjes së infeksioneve, rrezikohet shëndeti jo vetëm të pacientëve të Klinikës së Gjinekologjisë, por edhe klinikave të tjera”, shtoi ai.
Brenda një viti, sipas QKUK-së, në këto dy institucione mblidhen rreth 30 tonë placenta dhe mbetje indore.