Ndërlidhjet

Mbështetësit e IS-it ende paraqesin rrezik për Kosovën


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Ka dy vjet që nuk është raportuar për shkuarje të reja të qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë në luftërat e huaja, në Siri dhe Irak. Por, ky fakt, sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë [QKSS] nuk e ka ulur rrezikun nga aktivitetet ose sulmet e mundshme terroriste në Kosovë.

Personat nga Kosova që kanë marrë pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme, kryesisht ishin rreshtuar në krah të organizatave të shpallura terroriste si Grupi Militant që vetën e quan Shteti Islamik (IS) dhe Al Nusra.

Në një raport të publikuar nga kjo Qendër të titulluar, “Përtej shkaktarëve: Rreziqet e reja të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”, thuhet se simpatizantët e rinj të terrorizmit, kanë më shumë potencial dhe aftësi për të ndërmarrë sulme terroriste krahasuar me ata që njihen si luftëtarë të huaj, të cilët janë kthyer nga Siria apo Iraku.

Skender Perteshi, i cili është autor i këtij raporti, tha se në 4 vitet e fundit shumica e sulmeve në Evropë janë kryer nga simpatizantët e grupit militant Shteti Islamik ose “ujqit e vetmuar”.

Sipas tij, më pak se një e pesta e sulmeve terroriste me motivim fetar ishin vepra të sulmuesve që më parë kishin luftuar në Siri e Irak. Ndonëse në Kosovë nuk ka ndodhur asnjë sulm i tillë, ekziston rreziku nga këta individë.

“Të rikthyerit në Kosovë ose simpatizuesit, kanë qenë të përfshirë qoftë në tentim-sulme ose në planifikim, kur tre ose katër prej tentim-sulmeve edhe janë parandaluar prej institucioneve të shtetit”, tha Perteshi.

Në raport thuhet se “luftëtarët e huaj të Kosovës të kthyer pas qëndrimit jashtë vendit, do të vazhdojnë të jenë kërcënim ose t’i ndikojnë të tjerët në Kosovë. Këtë do të mund ta bëjnë duke treguar histori personale të konfliktit në Siri e Irak ose duke lavdëruar pjesëmarrjen e tyre në themelimin e të ashtuquajturit Shteti Islamik”.

Perteshi tha se një numër i luftëtarëve të huaj, kanë qenë edhe nga qytetarët e Kosovës që jetojnë në Diasporë, të lindur kryesisht nga prindër emigrantë që kanë ikur nga Kosova në vitet 1990.

“Prej 255 luftëtarëve të huaj nga Kosova që kanë shkuar në Siri dhe Irak, mendohet ose përllogaritet që rreth 45 ose 48 prej tyre, janë qytetarë të Kosovës që ose kanë nënshtetësi të një shteti të Bashkimit Evropian ose kanë dy shtetësi, edhe të Kosovës edhe të ndonjë vendi të Bashkimit Evropian”, tha Perteshi.

Numri total i kosovarëve, përfshirë gratë dhe fëmijët që kanë shkuar në zonat e luftës është 402.

Të gjeturat e këtij raporti tregojnë edhe numrin e madh të familjeve kosovare që kanë shkuar në Siri apo Irak. Rreth 142 familje nga Kosova kanë udhëtuar në Siri e Irak dhe në shumicën e rasteve udhëtimin e tyre e ka iniciuar një anëtar i rritur i familjes.

Perteshi tha se familjet kosovare ende mbështesin ideologjinë e familjarëve të tyre që morën pjesë në këto luftëra.

“Ende familjet e luftëtarëve të huaj, një pjesë e këtyre familjeve, ende vazhdojnë të jenë pre e procesit të radikalizmit apo ende e mbështesin ideologjinë”, tha Perteshi.

Numri më i madh i kosovarëve që kanë shkuar në zonat e luftës, ishin viti 2012 dhe gjysma e parë të vitit 2014, ndërkaq nga viti 2016 nuk është raportuar asnjë rast ku ndonjë qytetar i Kosovës ka udhëtuar drejt Sirisë apo Irakut, thuhet në raport.

Video nga arkivi: Riintegrimi pas vuajtjes së dënimit

Nga viti 2012 e deri më 2016, mbi 400 qytetarë të Kosovës kishin shkuar në Siri. Rreth 74 persona kanë vdekur në zona të lutës, kurse mbi 40 fëmijë kanë lindur në këto zona. Derisa mbi 130 qytetarë të Kosovës janë kthyer në vendlindje dhe janë përballur me procese gjyqësore, dhe rreth 200 ende mbesin atje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG