Shumica e masave të reja, të miratuara më 28 korrik nga Qeveria e Kosovës, që vijnë pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus, janë përsëritje e masave që ishin vendosur nga qeveria më 13 korrik.
Qeveria e Kosovës më 28 korrik mori vendim për disa masa të reja “që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit”.
Cilat janë masat e reja?
Për qytetet siç janë Prishtina, Ferizaji, Prizreni, Vushtrria, Mitrovica e Jugut, Gjilani, Fushë Kosova dhe Shtërpca, ka qenë i ndaluar qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive të tyre nga ora 21:00 deri ne orën 05:00. Me vendimin e ri, ndalesa është nga ora 22:30 deri në orën 05:00, duke përfshirë edhe qytetet, siç janë Gjakova, Drenasi dhe Lipjani.
Po ashtu, është zgjatur edhe orari i punës i sektorit të gastronomisë deri në ora 22:30, i cili deri tashmë ka qenë deri në ora 21:00. Kurse lidhur me hapjen e çerdheve publike dhe private, ato do të lejohen të hapen pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale.
Me vendimin e ri, lejohet veprimtaria për fitneset, pishinat e mbyllura dhe sportet individuale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.
Një nga masat e reja është që të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin, për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.
Cilat masa janë të ricikluara?
Në vendimin e ri të qeverisë (të 28 korrikut) mbi masa te reja, përsëritet obligimi për të gjithë banorët të Kosovës për bartjen e maskave jashtë shtëpive tyre, si dhe mbajtjen e distancës fizike prej 2 metrash në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive (vendim i marrë më 13 korrik).
Është ricikluar edhe masa lidhur me obligimin e institucioneve publike dhe private për bartjen e dezinfektueseve për duar dhe maskat për fytyrë.
Vendimi i 28 korrikut ndalon grumbullimin e qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshet publike, në parqe etj. E njëjta masë ishte paraparë edhe në vendimin e 13 korrikut.
"Vendimi i miratuar nga Qeveria e Kosovës (më 13 korrik)... ndalon grumbullimin e më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme", thuhej në vendimin e qeverisë.
Po ashtu, është përsëritur edhe masa për ndalimin e veprimtarisë së tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve, si dhe ajo lidhur me ndalimin e veprimtarive rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura.
Më 28 korrik është vendosur për ndalimin e pjesëmarrjes fizike të qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Kosovës. Më 13 korrik ishte vendosur për "pezullimin e ceremonive fetare".
Është përsëritur edhe masa lidhur me daljen e të moshuarve dhe qytetarëve me sëmundje kronike. Për këtë kategori, vazhdon të jetë e lejuar që të dalin në orët e hershme të mëngjesit (prej orës 05:00 – 10:00) dhe në orët e mbrëmjes (prej orës 18:00 –21:00).
Testi për COVID-19 me shtetet e rajonit, sipas reciprocitetit
Në vendimin e ri të qeverisë, “sipas parimit të reciprocitetit”, qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Kosovës, duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi).
Kjo masë për Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën vlen që nga 13 korriku dhe këto shtete po ashtu kërkojnë test PCR për qytetarët e Kosovës.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ky vendim është i bazuar në parimin e reciprocitetit dhe testi nuk kërkohet as për qytetarët e Shqipërisë dhe as për ata të Serbisë. Pra, nuk ka ndryshime lidhur me hyrjen e qytetarëve nga shtetet e rajonit që nga vendimi paraprak i 13 korrikut.
Sipas vendimit të fundit të qeverisë, të datës 28 korrik, për transportuesit profesionistë (vozitësit) nga këto shtete nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar dhe për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare transite. Por, ata duhet të nënshkruajnë një deklaratë, ku zotohen se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orëve.
Masë e njëjtë ishte vendosur më 13 korrik, për tri shtete të përmendura në atë vendim.
Gjithashtu është përsëritur edhe masa se testi PCR nuk është i nevojshëm për diplomatët e huaj nga shtetet e cekura, të cilët janë të akredituar në Kosovë. Këtë herë, kjo vlen edhe diplomatët nga Shqipëria dhe Serbia.
Ndryshe, ditëve të fundit, Kosova ka regjistruar numër të lartë të rasteve të reja me koronavirus, më shumë se 200 brenda ditës.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej 13 marsit deri më 28 korrik, janë regjistruar 7,652 raste pozitive me koronavirus. Prej tyre, 192 pacientë kanë vdekur dhe 4,129 janë shëruar.