Ndërlidhjet

Masat kundër koronavirusit – ndërpritet arsimi në të gjitha nivelet


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që në përputhje me vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpallur gjendje pandemie në nivel global në lidhje me koronavirusin e ri, t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë edhe mbylljen e shkollave në të gjitha nivelet deri më 27 mars.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija tha se deri më tani, nga 82 personat dyshuara për koronavirus, asnjë nuk ka rezultuar pozitiv me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri, por masat janë ndërmarrë në përputhje me rekomandimet e OBSH-së dhe numrin në rritje të rasteve në vendet përreth Kosovës.

Mbyllja e institucioneve arsimore, do të pasohet me rekomandimin për lirimin e njërit prind nga puna, që të përkujdeset për fëmijën, por kjo masë, sipas minsitrit Vitija, nuk do të vlejë për punëtorët shëndetësorë dhe ata të sigurisë.

Po ashtu, qeveria ka marrë vendim që të pezullojë përkohësisht linjat ajrore dhe tokësore nga vendet me risk.

Masë tjetër është edhe kontrolli i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të Qendrave të Mjekësisë Familjare, në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetje të Policisë së Kosovës.

“Vetëkarantim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë në zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm”, tha ministri Vitija.

Po ashtu, qeveria ka vendosur që aktivitetet publike dhe jopublike të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut. Po ashtu, restoranteve, klubeve të natës, palestrave e pishinave do t’u ndalohet veprimtaria pas orës 23:00.

Po ashtu, në kuadër të këtyre masave parandaluese është vendosur që të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomikë dhe prodhuesve, përveç se një eksport i tillë lejohet me një vendim të Qeverisë së Kosovës.

*Video: Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?

Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

OBSH-ja shpall pandemi koronavirusin

Të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin e koronavirusit të ri si pandemi.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se numri i rasteve të infektuara jashtë Kinës është rritur për 13 herë më shumë në dy javët e fundit.

Ai ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” nga “niveli alarmues i mungesës së veprimit” ndaj këtij virusi.

Pandemia është sëmundje që përhapet në shumë shtete në botë në kohën e njëjtë.

Në gjithë botën nga ky virus janë infektuar 121,061 persona, 4,368 kanë vdekur, ndërkohë që rreth 66,000 janë shëruar.

Koronavirusi i ri përcillet me temperaturë, koll të thatë dhe probleme me frymëmarrje.

Masat parandaluese të qeverive në botë

Italia, një prej shteteve të prekura më së keqi nga koronavirusi i ri në Evropë, tashmë po përballet me ditë e dytë të izolimit kombëtar.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka njoftuar për mbyllje të shkollave, muzeve, klubeve të naftës dhe organizimeve tjera, pasi të mëkurën numri i të infektuarve në këtë shtet ka kaluar shifrën 10,000.

Kina – vendi ku ka shpërthyer virusi për herë të parë - ka raportuar për mbi 80,000 persona të infektuar dhe 3,136 të vdekur.

Megjithatë, të martën ky shtet ka regjistruar numrin më të ulët të të infektuarve, vetëm 19.

Të mërkurën kancelarja gjermane, Angela Merkel ka paralajmëruar se 70 për qind e popullsisë së shtetit, apo rreth 57 milionë persona, mund të preken nga koronavirusi i ri.

Ajo ka thënë se meqë ende nuk ka vaksinë, vëmendja duhet të jetë te parandalimi i virusit.

“Ka të bëjë me fitim të kohës”, ka sqaruar ajo.

Përgjatë konferencës, Merkel ka paralajmëruar se mbyllja e kufirit nuk do të parandalojë përhapjen e virusit.

“Ky është test për solidaritetin tonë, dhe kujdesin ndaj njëri-tjetrit. Shpresoj se do ta kalojmë këtë test”, ka thënë mes tjerash ajo.

*Video: Mësimi përmes teknologjisë për të shpëtuar nga koronavirusi

Mësimi përmes teknologjisë për të shpëtuar nga koronavirusi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Po të njëjtën ditë, Hungaria ka ndalur të gjitha fluturimet nga Italia, Koreja Jugore, Irani dhe Kina.

Ndalimi i fluturimeve nga katër shtetet e prekura më së keqi nga ky virus do të fillojë së zbatuari menjëherë, ka thënë Gergely Gulyas, shef i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Ngjashëm ka vepruar edhe Rusia.

Linja ajrore shtetërore e Rusisë, Aeroflot ka njoftuar më 11 mars se do të anulojë fluturimet në 18 qytete evropiane të katër shteteve, duke nisur nga 13 marsi deri në fund të muajit prill.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG