Kosova dhe Serbia më 30 shtator arritën marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, bëri të ditur Bashkimi Evropian.
I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak tha se pas dy ditësh bisedime, Kosova dhe Serbia u pajtuan për çështjen e targave të automjeteve.
Marrëveshja ka tri pika:
- Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
- Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
- Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak që prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës vendosin masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Në afërsi të këtyre dy pikëkalimeve janë të vendosura njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka marrë vendosi që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.