Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut me më së shumti vdekje nga COVID-19 në rajon


Maqedoni: ambulanta e COVID-19, në Klinikën Infektive në Shkup.
Maqedoni: ambulanta e COVID-19, në Klinikën Infektive në Shkup.

Shkuarja vonë tek mjeku, komorbiliteti dhe shkalla e ulët e vaksinimit, kanë çuar në numrin e lartë të vdekjeve nga COVID-19.

Gjatë javëve të fundit, në Maqedoninë e Veriut, krahas rritjes së numrit të të infektuarve, rritje drastike ka shënuar numri i vdekjeve nga komplikimet që shkakton lloji Delta, variant i COVID-19.

Mjekët, thonë Që pacientët shumë vonë kërkojnë ndihmë shëndetësore, që çon në vdekjen e pacientëve krahas shkallës së ulët të vaksinimit në rajone të caktuara të vendit.

Nga lloji Delta i koronavirusit të ri mbeten më të prekur grupmoshat e reja

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, kanë bërë të ditur se vala e katër e infeksionit me kornavirusin e ri, ku dominon lloji Delta, ka ulur kufirin e moshës së personave të infektuar, me çrast, kanë nënvizuar se me simptoma më të rënda manifestohet tek grupmoshat më të reja të cilët nuk janë vaksinuar.

Së fundmi, në Tetovë betejën nga COVID-19 e ka humbur një i ri 21 vjeçar, i cili më shumë se dhjetë ditë ka qenë i shtrirë në spitalin e Tetovës, në repartin e infektologjisë.

Ekipi mjekësor dyshon se i riu ka vuajtur nga ndonjë sëmundje e panjohur, megjithëse nuk kanë arritur ta diagnostikojnë, për aq kohë sa ai ka qëndruar në repartin e infektivës, në gjendje të rënduar shëndetësore.

“Gjatë pranimit, i riu ishte në një gjendje të rëndë shëndetësore, i është dhënë terapia, por dy ditët e fundit iu keqësua edhe më shumë gjendja dhe u vendos në ventilator jo-invaziv, por as kjo nuk ndihmoi dhe pacienti e humbi jetën. Gjatë kësaj kohe, ne në bazë të të dhënave që i kemi në historikun e pacientit, nuk arritëm të regjistrojmë ndonjë sëmundje komorbiliteti që do ta komplikonte gjendjen e pacientit”, thotë për REL, Gëzim Nuredini mjek infektolog në spitalin e Tetovës.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, nga koronavirusi i ri, jetën e kanë humbur 29 persona si dhe janë regjistruar 1 mijë e 166 raste të reja, ndërkohë që për momentin, në tërë vendin ka 171 mijë e 576 raste aktive me COVID-19.

Maqedonia e V. me numrin më të madh të vdekjeve nga koronavirusi në rajon

Krahasuar me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut ndodhet në krye të listës për sa i përket vdekjeve nga koronavirusi i ri.

Të dhënat e 24 gushtit, tregojnë se gjatë 24 orëve,në Bullgari, shtet ky me 7 milionë banorë nga COVID-19, jetën e kanë humbur 33 persona, po të njëjtën ditë në Greqi, shtet ky që ka 5 herë më shumë banorë se Maqedonia e Veriut, nga COVID-19, jetën e kanë humbur 32 persona, po të njëjtën ditë nga COVID-19 në Serbi janë regjistruar 8 viktima, në Shqipëri 2 dhe Kosovë 19, kundrejt Maqedonisë së Veriut ku nga COVID-19, jetën e humbën 30 persona.

Zllate Mehmedoviq, nga Shtëpia e Shëndetit publik në Shkup, i cili ishte i angazhuar dhe në Covid-Qendrën për menaxhimin e klinikave interne, thotë se duhet bërë një analizë e detajuar, për të parë arsyet që kanë çuar në numrin e lartë të vdekjeve nga COVID-19.

“Duhet bërë një analizë e thellë e gjithë sistemit shëndetësor, që trajton klinikat dhe pacientët, që të shihen arsyet e vdekjes. Mendoj se këta numra, që kanë të bëjnë me vdekshmërinë e lartë të pacientëve nga COVID-19, nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur.

Po, është shumë e saktë se të prekurit nga COVID-19, shumë vonë lajmërohen tek mjeku për ndihmë shëndetësore, këtu është dhe problemi i komorbilitetit, përkatësisht sëmundjeve përcjellëse që kanë pacientët, por me këtë rast duhet pasur parasysh faktin se një situatë e këtillë është kudo në botë” thotë Zllate Mehmedoviq drejtor i shëndetit publik duke nënvizuar se duhet miratuar sa më parë një një protokoll i unifikuar që të mund të unifikohet dhe trajtimi i kësaj sëmundje.

Vdekshmëria është më e lartë në rajonet ku është më e ulët shkalla e vaksinimit

Autoritetet shëndetësore, u bëjnë thirrje qytetarëve për tu vaksinuar pasi siç nënvizojnë, shkalla e vdekjeve tek pacientët e vaksinuar në masë të theksuar është më e ulët.

Në listën e qyteteve me numrin më të madh të të infektuarve brenda 24 orëve të fundit, prijnë Shkupi dhe pastaj radhitet Tetova dhe Gostivari.

Numri më i madh i vdekjeve për kokë banori, mbetet në qytetin e Tetovës, ku vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 5 viktima. Autoritetet shëndetësore, këtë ia përshkruajnë shkallës së ulët të vaksinimit, pasi rajoni i Tetovës riradhitet në fund të listës për sa i përket vaksinimit.

Në këtë drejtim, Gëzim Nuredini, mjek infektolog nga Tetova, thotë se qytetarët duhet ta kuptojnë se ata që s'janë të vaksinuar, kalojnë shumë më vështirë se qytetarët e vaksinuar.

“Mbi 95 për qind të pacientëve që i kemi të hospitalizuar këtu në COVID-qendrën e Spitalit të Tetovës, nuk janë të vaksinuar”, thotë Gëzim Nuredini, mjek.

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, gjatë të enjtes ka theksuar se shkalla e lartë e vdekshmërisë në disa rajone të vendit, lidhet kryesisht me shkallën e ulët të vaksinimit me ç'rast u ka bërë apel qytetarëve që të paraqiten për tu vaksinuar në mënyrë që sa më shpejt, të ulet kurba e valës së katër të infeksionit me COVID-19.

Numri më i madh i vdekjeve brenda 24 orëve, është regjistruar më 7 prill të këtij viti me ç'rast 51 pacientë, humbën betejën nga koronavirusi i ri.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG