Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut nis fushatën për vaksinimin e popullatës


Një sallë sportive në Shkup e shndërruar në qendër vaksinimi kundër koronavirusit.
Një sallë sportive në Shkup e shndërruar në qendër vaksinimi kundër koronavirusit.

Maqedonia e Veriut të hënën, më 23 gusht ka nisur fushatën për vaksinimin e popullatës, si mundësi e vetme për të parandaluar përhapjen e virusit. Fushata kombëtare “Vaksinohu”, sipas kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, vjen si nevojë urgjente pas rritjes së numrit të të infektuarve dhe viktimave me COVID-19, por edhe hezitimit të një kategorie të caktuar për të marrë vaksinën kundër koronavirusit.

“Vala e re dhe varianti i ri Delta vërtetojnë se një nga masat më thelbësore që mund të japë rezultate të mira për pengimin e përhapjes së virusit është imunizimi masiv. Vaksinat janë të sigurta dhe efikase dhe mënyra e vetme që të fitojmë betejën kundër pandemisë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, në një paraqitje para mediave së bashku me ministrinë e Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në dy javët e fundit, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, janë infektuar rreth 20 mijë persona derisa numri i rasteve aktive sillet në afër 11 mijë persona, nga rreth 400 sa ishin në fillim të muajit korrik.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se numri më i madh i të infektuarve është në qytetet ku ka numër më të vogël të të vaksinuar si në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kërçovë, qytete këto në pjesën perëndimore të vendit.

“Ne jemi duke u përballur me një valë të re e të fuqishme të virusit. Kapacitetet spitalore sërish po mbushen me pacientë, por për fat të keq po rritet edhe numri i të vdekurve. Në qytetet ku kemi numër më të madh të të vaksinuarve, gjendja është në kuadër të normales, por një gjendje krejt tjetër kemi në ato qytete ku vaksinimi është shumë i ulët”, tha Filipçe.

Sipas tij, vetëm në Tetovë, Gostivar dhe Strugë, janë të shtruar në spitale rreth 300 persona.

Ministri Filipçe tha se “vaksina mbetet arma më e fuqishme kundër koronavirusit”, ndërsa theksoi se fushata, synon eliminimin edhe të dezinformatave kundër atyre që nuk besojnë apo përhapin lajme të rreme kundër vaksinave.

Kryeministri Zoran Zaev ndërkohë foli edhe për protestat që kanë nisur kundër vaksinimit duke theksuar se e drejtat e shprehjes së pakënaqësisë është e garantuar, por edhe masat që janë ndërmarrë, tha se janë detyrim kushtetues për të mbrojtur popullatën.

“Çdo zë për t’u vaksinuar është zë për të shpëtuar një jetë të qytetarëve andaj apeloj që të mbështetet mesazhi i fushatës që kemi nisur që të kthehemi në gjendjen normale, që të hiqen kufizimet e shoqërimit, të gëzimeve familjare, që t’u mundësojmë nxënësve kthimin në shkolla, që të mundësojmë punën normale të bizneseve e të kapaciteteve tjera ekonomike. Kjo mund të arrihet vetëm nëse i përgjigjemi thirrjes për vaksinim, si alternativë e vetme për të mundur këtë të keqe që ka përfshirë gjithë planetin”, tha Zaev.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se deri më tani janë vaksinuar më shumë se 650 mijë persona dhe prej tyre rreth 500 mijë me të dy doza. Ai tha se shpreson që deri nga mesi i muajit tetor, numri të vaksinuarve të arrijë në afër një milion, që do të nënkuptonte imunizimin e rreth 70 për qind të popullsisë madhore.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG