Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut shënon 30-vjetorin e pavarësisë


Një ushtar i forcave speciale mban flamurin e shtetit të Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese.
Një ushtar i forcave speciale mban flamurin e shtetit të Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese.

Maqedonia e Veriut më 8 shtator feston dekadën e tretë si shtet i pavarur dhe sovran, pas shkëputjes nga ish-Federata Jugosllave.

Maqedonia e Veriut shpalli pavarësinë pas organizimit të referendumit më 8 shtator në vitin 1991. Ky referendum ishte bojkotuar nga shqiptarët, pasi ata ishin të pakënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të asaj kohe, ku ishte injoruar kërkesa e shqiptarëve për barabarësi.

Shqiptarët “u kujdesën për stabilitetin e vendit”

Hisni Shaqiri, deputet i përbërjes së parë parlamentare (të vitit 1990-1994), si pjesë e Partisë për Prosperitet Demokratik, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas tri dekadash, partitë maqedonase po synojnë të zvarrisin realizimin e të drejtave të shqiptarëve edhe pse këto të drejta janë të definuara qartë në Marrëveshjen e Ohrit dhe janë të përfshira në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, edhe pse shqiptarët e bojkotuan referendumin e vitit 1991, ata janë kujdesur që me çdo kusht të ruhet stabiliteti i shtetit.

“Ne në ato momente shumë kritike, kur zhvilloheshin luftime në republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, ne u kujdesëm që Maqedonia si shtet të mos hyjë në konflikt apo të bëjë lëvizje kundër interesave të shqiptarëve dhe të pozicionohej në anën e Serbisë. Ky ishte sugjerim i politikës mbarëshqiptare në rajon, por edhe i ndërkombëtarëve”, thotë Shaqiri.

Gjuha shqipe nuk gjen zbatim nga institucionet shtetërore

Qytetarët shqiptarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se përfaqësimi i tyre në institucione, në masë të madhe është i kënaqshëm, por ende çalon përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe nga ana e institucioneve të shtetit.

“Nuk janë të avancuara të gjitha të drejtat e shqiptarëve. Së pari, gjuha shqipe nuk zbatohet në institucione. Të punësuar ka sa të duash, por kur kërkon diçka në gjuhën shqipe, ata ta ofrojnë shërbimin në gjuhën maqedonase”, thotë Agni Ramadani, punonjës në sektorin privat.

Ndërkaq, Fatih Kurtishi thotë se institucionet e shtetit nuk i trajtojnë në mënyrë të barabartë shqiptarët, pasi sipas tij, edhe kur shqiptarët plotësojnë kushtet për të realizuar një të drejtë, këtë e arrijnë me vështirësi.

“Çfarë të drejtash kam unë si qytetar? Tash pesë vjet pres që të marr një banesë sociale. I kam mbledhur të gjitha dokumentet, por nuk po mund ta realizojë këtë të drejtë”, shprehet ai.

Njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri thotë për Radion Evropa e Lirë se për 30 vjet, shqiptarët kanë dhënë kontribut të madh sa i përket integrimit të vendit në NATO dhe tani po japin kontribut edhe në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Tanimë shqiptarët këtu jo vetëm që identifikohen me shtetin e Maqedonisë së Veriut, por në fakt ata kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë që i njëjti të ishte pjesë e NATO-s dhe tani edhe pjesë e Bashkimit Evropian. Ata po ashtu kontribuojnë në ndërtimin e një shteti modern, i cili do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve”, thotë Neziri.

“Shikuar në dimensionin kohor prej 30 vjetësh, ka shumë përparim, shumë ecje përpara në kuptimin e funksionimit të shtetit si i barabartë për të gjithë dhe ky proces sa më shumë që realizohet, barazia do të prodhojë gjenerata të reja, të cilat gjithsesi se do të identifikohen më shumë me shtetin sesa me etninë”, shton ai.

Pendarovski: Elita politike do të duhej të angazhohej më shumë

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë ka thënë se brenda kësaj periudhe kohore ka mundur që të bëhet më shumë sa i përket krijimit të kushteve për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë.

“Kuptohet, ka mundur që të krijoheshin kushte për një jetë më të mirë, që qytetarët të jetonin më të lumtur. Këtu, nëse do të kualifikonim pengesat, mund të citojmë probleme prej viteve të 90-ta siç ishte tranzicioni i gjatë, bllokadat, konteksti rajonal etj. Megjithatë të gjitha garniturat politike, prej viteve të 90-ta gjerë më sot, po edhe kjo aktualja, ku edhe unë jam pjesë, duhet parë se ku i kemi dobësitë dhe përse nuk u angazhuam më shumë që qytetarët të jetojnë sot më mirë”, ka thënë ai.

Organizime të shumta për 30-vjetorin e pavarësisë

Për shënimin e 30-vjetorit të pavarësisë janë paraparë një sërë organizimesh.

Manifestimi për përvjetorin e 30-të të pavarësisë ka nisur në orët e pasdites, ku presidenti Pendarovski bëri homazhe në varret e presidentëve të ndjerë maqedonas, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski. Ai po ashtu ndau çmimin “8 Shtatori” për kryetarin e parë të Kuvendit maqedonas, Stojan Andov dhe për përbërjen e parë parlamentare të viteve 1990-1994.

Andov thotë për Radion Evropa e Lirë se organizimet për përvjetorin e pavarësisë janë të arsyeshme.

“Me një manifestim të tillë të begatë, për çka angazhohen organet shtetërore, të rinjve do t’iu bëhet e qartë se cila është rëndësia e kësaj date për shtetin dhe popullinë”, thotë ai.

Pjesa zyrtare e festimeve do të mbahet në orën 18:30 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku do të mbajnë fjalime krerët e shtetit: presidenti Stevo Pendarovski, kryeparlamentari, Talat Xhaferi dhe kryeministri, Zoran Zaev.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG