Ndërlidhjet

Gratë kërkojnë të pësojë ndryshime Ligji për abort


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Aktivistet për të drejtat e grave në Maqedoni kërkojnë që Ligji për abort të pësojë ndryshime. Ky ligj ishte miratuar më 2013 me procedurë të përshpejtuar.

Rosana Janevska nga organizata joqeveritare ‘Hera', që është përfshirë në grupin punues për ta ndryshuar Ligjin për abort, për Radion Evropa e Lirë thotë se ligji aktual cenon privatësinë e gruas, për vetë faktin se ajo me shkrim para komisionit përkatës duhet të theksojë arsyet se pse dëshiron që ta ndërpresë shtatzëninë.

Janevska thotë se me këtë ligj shkelet rëndë dispozita ligjore me të cilin çdo individi i garantohet e drejta për të marrë vendim të lirë, ndërkohë që për një gjë të tillë duhet të vendosin komisione të caktuar. Por, kësaj i paraprinë një procedurë e gjatë burokratike, duke shkelur kështu dhe afatin prej 10 javësh, afat ky i paraparë me ligj kur dhe mund të ndërpritet shtatzënia.

“Në bazë të ligjit, shtatzënia sjell një rrjedhë pozitive tek jeta e shtatzënës, por realisht jo gjithmonë është kështu. Shtatzënia që sjell përparësi apo rreziqe është çështje individuale për çdo grua, që varet nga rrethanat socio-kulturore, gjendja e saj emocionale apo ajo ekonomike në momentin që është shtatzënë dhe në fund të fundit gjithçka varet nga nevojat dhe perspektivat saj se dëshiron ose jo të vazhdojë apo jo shtatzëninë. Duke u nisur nga këtu, në bazë të ligjit, hyhet në privatësinë e jetës së femrave, duke u mohuar të drejtën që ato vetë të vendosin për ndërprerjen e shtatzënisë”, thotë Janevska.

Më herët, në një takim me organizatat e grave, ministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Venko Filipçe është zotuar se do të pësojë ndryshime Ligjit për abort, përkatësisht do të shkurtohen proceduarat administrative, me qëllim që të mos vihet në rrezik shëndeti i grave.

“Duam ta sqarojmë qëndrimin tonë, ta dëgjojmë zërin e tyre dhe bashkë të konstatojmë se cili është opsioni më i mirë, por edhe t’u dalim në ndihmë grave të cilat duan që të bëjnë abort pa kurrfarë rreziku për shëndetin e tyre”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe me rastin e festës së 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, duke shtuar se për këtë janë fomuar dhe grupe punuese në kuadër të dikasterit që drejton ai.

Nga dikasteri i shëndetësisë gjithashtu bëjnë të ditur se Ligji për abrot mund të pësojë ndryshime në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm.

Por, Xhane Kreshova nga forumi i Gruas Shqiptare thotë se ligji është “regresiv” dhe si i tillë duhet të pezullohet sa më parë që është e mundur, duke e vendosur si prioritet kjo përbërje qeveritare, e cila ishte kritikuese e zëshme gjatë miratimit të të njëjtit kur ishte në opozitë.

Kreshova thotë se gjendja në zonat rurale është e vështirë, pasi çdo vendim i gruas varet nga vullneti i bashkëshortit, por edhe të rrethit më të gjerë familjar. Sipas saj, kalimi i gjithë atyre procedurave për të marrë leje për abort, pothuajse është i pamundur.

“Ligji që rregullon çështjen e abortit, kështu siç është, ndërhyn në çështjet të gruas, por edhe intimitetin e saj do të thosha. Shteti përmes këtij ligji përzihet në rregullimin e familjes. Gruaja është ajo që e di se a ka mundësi apo jo në moment apo rrethana të caktuara të sjellë në jetë dhe të kujdeset për një fëmijë ose jo. Kështu që, përmes komisioneve synohet të zmbrapset gruaja nga vendimi që të abortojë dhe duke e pasur vështirë të kalojë procedurat burokratike ajo detyrohet të lind fëmijën”, thotë Kreshova.

Organizatat joqeveritare thonë se përderisa mungojnë të dhënat zyrtare për numrin e aborteve, pas zbatimit të ligjit për ndërprerje të shtatzënisë në qershor të vitit 2013, askush nuk mund të thotë se çfarë efekti ka arritur ligjit në fjalë. Megjithatë, sipas tyre është fakt se gratë rrezikojnë për çdo ditë jetën e tyre për të ndërprerë shtatzëninë e padëshiruar në vende dhe mënyrë joadekuate, përkatësisht siç thonë ligji, ka kontribuar të rritet ashtuquajturi “turizëm i aborteve”, duke kërkuar që ato të ndërpresin shtatzëninë në ndonjë nga vendet fqinje, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërprerjen e shtatzënisë përmes barnave, metodë që nuk zbatohet në Maqedoni.

Në këtë drejtim, edhe doktori Dushko Filipovski nga Shoqata e Gjinekologëve për Radion Evropa e Lirë thotë se është e fshehtë publike se pacientet me medikamente për ndërprerjen e shtatzënisë, furnizohen në qytet me të afërta të vendeve fqinje.

“Me tabletat për ndërprerjen e shtatzënisë lehtësisht mund të furnizohen pacientet tona në qytetin e Vranjës së Serbisë, ose me të dalë nga Strumica në ndonjë nga qytete e para të Bullgarisë apo në se dilet në Selanik të Greqisë edhe aty gjinden këto medikamente me lehtësi. Mirëpo këtu paraqitet dhe rreziku më i madh për gratë sepse ato këto medikamente i marrin pa vëzhgimin e mjekëve dhe ekipit të specializuar shëndetësor”, thotë doktor Filiposki.

Ndryshe, organizata joqeveritare “Hera”, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, si dhe Koalicioni për Mbrojtjen e të Drejtave Seksuale të Bashkësive të Margjinalizuara, menjëherë pas miratimit të ligji që rregullon çështjen e abortit në Maqedoni në vitin 2013, ngritën një iniciativë në Gjykatën Kushtuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit, por gjykata pas një viti nuk e shfuqizoi asnjë pjesë të ligjit që kërkuan gratë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG