Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut merr masa për koronavirusin


Kamerat termale të vendosura në Aeroportin e Shkupit.
Kamerat termale të vendosura në Aeroportin e Shkupit.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se vendi nuk i rrezikuar nga përhapja e koronavirusit, i cili ka lënë të vdekur mbi 200 persona në Kinë.

Megjithëse Maqedonia e Veriut është shtet me rrezikshmëri të ulët, shteti i është bashkuar vendeve të tjera, të cilat po zbatojnë masa kundër këtij virusi.

Duke ndjekur rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Maqedonia e Veriut ka vendosur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kamera termale, ku skanohen udhëtarët që vijnë nga Stambolli dhe Dubai, vende këto që kanë linja ajrore me Kinën, ku është vatra e virusit.

Në aeroport ka edhe ekipe mjekësore të cilët kontrollojnë udhëtarët nëse shfaqet ndonjë dyshim.

Mjekja Sandra Petrovska, e cila është pjesë e ekipit kujdestar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përmes kamerës termale kontrollohet nëse udhëtarët që vijnë nga Stambolli dhe Dubai kanë temperaturë më të lartë se normalja.

“Te të gjithë ata që regjistrohet temperaturë më e lartë se normalja, do t’u bëhen kontrolle që të determinohet nëse kanë qenë në kontakt me ndonjë pacient nga rajoni i rrezikut dhe më pas nëse ka nevojë ndërmerren masa plotësuese”, thotë Petrovska, e cila shton se udhëtarëve po u shpërndahen fletushka me informacione rreth simptomave të virusit.

Kamerat termale në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
Kamerat termale në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk ka vend për panik, pasi sipas këtij institucioni, shteti po i ndërmerr masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së këtij virusi në Maqedoni të Veriut.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se dikasteri që ai drejton ka kapacitete për t’iu përgjigjur sfidave nga virusi i ri dhe ka plan për mjekim, izolim dhe futjen në karantinë të personave që potencialisht mund të preken nga ky virus.

“Kemi edhe algoritëm për shërim nëse kemi ndonjë pacient potencial të prekur nga ky virus dhe nëse është e nevojshme të bëhet izolimi i tij në përputhje me rekomandimet”, theksoi ministri Filipçe.

*Expose: Sa në të vërtetë i rrezikshëm është koronavirusi?

Sa në të vërtetë i rrezikshëm është koronavirusi?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:25 0:00

Epidemiologët në Maqedoninë e Veriut sqarojnë se virusi i ri ka simptoma të ngjashme me gripin.

“Forma e vetme është parandalimi (nga infektimi me virus) sepse ende nuk ka vaksinë për këtë virus”, thotë Zharko Karxhovski, epidemiolog në Institutin për Shëndetësi Publike.

Përhapja e koronavirusit të ri në Kinë ka rritur frikën e përhapjes së këtij virusi përmes dërgesave postare të produkteve nga Kina. Por, drejtoria e Postave të Maqedonisë së Veriut ka sqaruar se nuk ka vend për shqetësim, pasi dërgesat e tilla kalojnë nga Praga dhe Frankfurti, ku ju nënshtrohen kontrolleve të detajuara.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se rreth 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut ndodhen në përfaqësi diplomatike në Kinë, por asnjëri nga ta nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e virusit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG