Ndërlidhjet

Ohër: Kërcënohen pjesëtarët e grupit Lev Tahor


Pjesëtarë të grupit Lev Tahor në Guatemalë. Fotografi nga arkivi.
Pjesëtarë të grupit Lev Tahor në Guatemalë. Fotografi nga arkivi.

Pjesëtarët e sektit fetar hebre, Lev Tahor, të cilët nga Shkupi janë zhvendosur në qytetin e Ohrit në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën kanë reaguar pas presioneve dhe kërcënimeve që kanë marrë nga banorët e fshatit Lakoçerej, ku janë vendosur tani disa ditë.

Reagimi i tyre vjen pasi Ministria e Punëve të Brendshme, njoftoi se ndaj banoreje nga Ohri me inicialet V.S ka ngritur padi penale për veprën “përhapje të ksenofobisë dhe nxitjeve raciste”.

Sipas MPB-së, kjo banore, përmes një postimi në rrjetin sociale Facebook kishte bërë thirrje të digjet hoteli ku janë vendosur pjesëtarët e sektit fetar hebre Lev Tahor.

“Gjatë bisedës V.S. ka pranuar se ka bërë thirrje, përmes një statusi në Gacebook, të cilin më pas e kishte fshirë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Shaje Uingaten, përfaqësuese e sektit fetar Lev Tahor, tha për mediat lokale në Ohër se është e befasuar nga kërcënimet dhe sjellja e banorëve, pasi siç tha, pjesëtarët e grupit nuk kanë qëllime të këqija dhe se nuk do të qëndrojnë gjatë në Maqedoninë e Veriut.

“Maqedonia është një vend i bukur, njerëzit janë të mirë, pavarësisht se individët reagojnë negativisht për praninë tonë. Ne nuk kemi plan të kërkojmë qëndrim të përhershëm. Ne jemi këtu përkohësisht, kemi një leje qëndrimi tremujore. Ne jemi ende në kërkim të një vendi ku të mund të vendosemi dhe të mund të qëndrojmë denjësisht, dhe në fund të bëjmë atë për të cilën jemi këtu, të vizitojmë vendet me interes. Kështu, siç po ndodh, ne nuk do të mund të vizitojmë asnjë nga vendet për të cilat kemi ardhur këtu”, deklaroi Shaje Uingaten, përfaqësuese e sektit fetar Lev Tahor.

Ajo hodhi poshtë reagimet, por edhe etiketimet e shumta në rrjetet sociale se pjesëtarët e këtij gripi janë njerëz të dhunshëm apo se nga vendet tjera janë dëbuar për shkak të rrezikun që paraqesin për popullatën vendore.

“Pse nuk na lejohet të udhëtojmë lirshëm? Pse ka urrejtjeje ndaj nesh? Ne nuk jemi as spiunë, as terroristë. Njerëzit pa nevojë janë agresivë ndaj nesh...Për momentin nuk kemi vendbanim të përhershëm. Kërkojmë një vend ku do të lejohen të praktikojnë të drejtat tona njerëzore dhe fetare, lirinë, siç është shkruar në Bibël”, ka thënë Shaje Uingaten.

Banorët e fshatit Lakocerej të Ohrit, ku aktualisht qëndron grupi hebre Lev Tahor, kishin kërkuar nga pronari i hotelit që të largojë nga objekti pjesëtarët e këtij grupi, në të kundërtën, ata kanë kërcënuar se do të mbajnë një protestë masive dhe nuk do të lejojnë që fëmijët të shkojnë në shkollë.

Por, policia disa herë kishte bërë thirrje për “tolerancë ndaj këtij grupi që kanë leje të rregullt qëndrimi dhe se nuk paraqesin asnjë rrezik për banorët lokalë”.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se anëtarët e grupit Lev Tahor janë parë edhe në Komunën e Illixhës në Sarajevë gjatë muajit janar.

Ata janë larguar nga Bosnje e Hercevogina më 3 shkurt, duke marrë rrugë për Mal të Zi.

Grupi Lev Tahor është akuzuar në të kaluarën për krime kundër fëmijëve, duke përfshirë kidnapime dhe martesa të tyre.

Rreth 200-300 anëtarët e këtij grupi kanë kërkuar me dekada një shtet që do të ishte nikoqir i interpretimit të tyre ultra-ortodoks të Torës.

Ata kanë qëndruar edhe në vende tjera për katër dekada prej themelimit të grupit në Izrael, në fund të viteve 1980.

Më 2018, udhëheqësia e grupit Lev Tahor ka kërkuar azil në Iran, ndonëse plani besohet se ka rënë në ujë, pas dëbimit nga ana e autoriteteve irakiane për në Turqi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG