“Unë jam kryeministri i parë i Kosovës, me të cilin priftërinjtë ortodoksë në Manastirin e Deçanit nuk pranojnë të takohen”.
Kjo ishte një nga deklaratat e fundit të kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ndaj së cilës ky manastir mesjetar i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) është përgjigjur duke thënë se Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani “janë zyrtarët e parë të Kosovës që publikisht shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës [për tokën e manastirit] dhe që e konsiderojnë atë si të paligjshëm”.
Përveç kësaj, nga ky manastir thonë se Kurti është i mirëpritur atje, por bashkë me “ekstraktin e kadastrës për pronën e manastirit”.
Si arriti çështja në këtë pikë?
Çështja e kthimit të pronave të Manastirit të Deçanit është aktuale tash e gjashtë vjet, duke pasur parasysh se autoritetet lokale në Deçan refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht thirrjeve të shumë diplomatëve amerikanë dhe evropianë se vendimi, që është sjellë në favor të manastirit, duhet respektuar.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë të formës së prerë dhe obliguese për të gjitha palët, por ligji nuk parasheh “dënim” për mosbindje ndaj vendimeve të kësaj instance më të lartë gjyqësore.
Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar. Më pas nga prokurori i shtetit është kërkuar që të veprojë në përputhje me Ligjin penal dhe Ligjin për procedurën penale të Kosovës.
Prokuroria Themelore e Pejës në Kosovë, në qershor të këtij viti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por nuk janë specifikuar detajet.
Më 11 tetor, REL-i ka kontaktuar sërish të njëjtën prokurori për të pyetur se deri ku ka arritur hetimi dhe nëse është ndërmarrë ndonjë hap specifik, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Cili është kontesti?
Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.
Ato vlerësojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit. Pikërisht mbi këto pretendime shpesh thirren edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Thënë shkurt, për ta, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën “diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë nga vitet ‘90.
Qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a ka ndryshuar qëndrimi i saj lidhur me rastin e Manastirit të Deçanit, përkatësisht nëse kryeministri Albin Kurti do të tregojë “vullnet të mirë” dhe do ta mbështesë vendimin për kthimin e pronave të manastirit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Kurti, për herë të fundit për këtë temë, ka folur publikisht më 9 tetor, në seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë, kur ka përsëritur qëndrimin e tij të mëparshëm, por edhe ka shfaqur shpresën se çështja “mund të zgjidhet me dialog”.
Mirëpo, ai ka deklaruar se klerikët e Manastirit të Deçanit, në krye me abatin e atij manastiri, Sava Janjiq, refuzojnë të takohen me të.
“Paraardhësit e mi janë takuar [me Sava Janjiqin], por me mua nuk duan të takohen. Kam kërkuar takim, por më kanë refuzuar. Besoj që me dialog mund t’i zgjidhim problemet që kemi”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
SHBA-ja sërish kërkon zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit
Ambasada amerikane në Prishtinë sërish i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, që të zbatojë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit.
Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, Ambasada amerikane tha se vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka të bëjë me sundimin e ligjit, “jo me etninë, politikën apo fenë”.
“Qeveria Kurti u zgjodh mbi një platformë të përqendruar në forcimin e sundimit të ligjit. Respektimi i vendimeve të gjykatës nuk është çështje e zgjedhjes, dhe sigurisht nuk është çështje negociatash, politikash apo arritjes së ndonjë marrëveshjeje”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane dërguar REL-it.
“Vonesat e vazhdueshme të zbatimit të ligjit vënë në pikëpyetje zotimin e Kosovës për drejtësi të barabartë, llogaridhënie, transparencë dhe respektim të të drejtave pronësore”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.
Kush e ka vizituar më parë Manastirin e Deçanit?
Avdullah Hoti, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, e ka vizituar Manastirin e Deçanit në gusht të vitit 2020, për të diskutuar me abatin Sava Janjiq për ndërtimin e kontestuar të rrugës kryesore Deçan - Plavë, e cila kalon nëpër zonën e veçantë të mbrojtur përreth manastirit.
Asokohe, Qeveria e Hotit ka kërkuar që të ndërpriten punimet me arsyetimin se duhet të respektohen ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, gjë që është bërë.
Më parë, në vitin 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe presidentja Atifete Jahjaga kanë vizituar Manastirin e Deçanit me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
Qëndrimi i presidentes Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 7 tetor, ka deklaruar se “duhet pasur shumë kujdes me precedentin që krijohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin e Manastirit të Deçanit”.
“Mos harroni se Millosheviqi ka dhënë dhe ka marrë tokë në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, kjo është krejtësisht mbi baza diskriminuese. Madje, këtë e ka bërë gjatë viteve 1998-‘99, kur ishim në luftë, kur bëri gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Prandaj, ky është problemi themelor i këtij vendimi”, ka thënë Osmani.
*Video nga arkivi: Presidentja Osmani gjatë intervistës me REL-in flet për çështjen e tokave të Manastirit të Deçanit
Përgjigjja nga Manastiri i Deçanit
Nga Manastiri i Deçanit thonë për Radion Evropa e Lirë se “deklaratat joprofesionale dhe politikisht ndezëse të zyrtarëve më të lartë të Kosovës kërcënojnë sigurinë e manastirit”, me pretendimin që opinionit t’ia paraqesin “sikur vetë manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.
Ata shpjegojnë se në vitin 1997, manastirit iu kthyen në fakt 24 nga gjithsej 700 hektarë tokë, e cila u është marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.
Ata, gjithashtu, theksojnë se “në kohën e Millosheviqit”, nga viti 1991-1999, janë sjellë mijëra aktvendime ligjore për konteste të ndryshme dhe nisur nga kjo, ata pyesin veten nëse do të anulohen të gjitha ato aktvendime.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti se klerikët refuzojnë të bisedojnë me të, nga Manastiri i Deçanit thonë se ai “është i mirëpritur të vizitojë Manastirin e Deçanit nëse me vete sjell ekstraktin e pronës së manastirit nga kadastra, i cili do të tregojë qartë se trualli është regjistruar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
“Manastiri ka pritur shumë zyrtarë të Kosovës në vitet e kaluara, por asnjëri prej tyre asnjëherë nuk e ka kundërshtuar publikisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese apo kërcënuar të drejtat e manastirit në këtë mënyrë”, thuhet, ndër tjera, në përgjigjen e Manastirit të Deçanit.
Në këtë kontekst, ata konstatojnë se kryeministri i Kosovës, Kurti, nuk mund “të diskutojë si politikan me klerikët për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sikur nuk ekzistojnë gjykatat dhe ligji”.
Kryeministri Kurti, në muajin maj të vitit të kaluar, ka kërkuar të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të flasë me klerin e atjeshëm, gjë të cilën Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë e ka refuzuar, me arsyetimin se do të ishte “krejt e kotë” të përgjigjej për diçka të tillë, duke pasur parasysh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk po zbatohet.
Çfarë thonë ekspertët?
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se çdo vend që synon parimet themelore të sundimit të ligjit, i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka sqaruar se Kodi Penal përcakton qartë se mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore nga gjykatat e rregullta i hap rrugë prokurorit të shtetit që të fillojë procedurë penale kundër personave apo institucioneve që nuk i zbatojnë ato vendime formale.
Megjithatë, kjo nuk vlen për vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Miftaraj, po ashtu, ka thënë se ka munguar vullneti politik për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, përkatësisht, sipas tij, është dashur të vendosen mekanizma mbikëqyrës për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Kodi Penal dhe Ligji për procedurën penale janë miratuar për herë të fundit në vitin 2019 dhe nëse do të konsideronin se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ishte problem, kanë mundur që këtë ta sanksiononin me Kodin Penal. Kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë Miftaraj.
Çfarë i parapriu vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Kontesti juridik për atë se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll, ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit të Deçanit, ka zgjatur 16 vjet.
Më pas, më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim në favor të Manastirit të Deçanit, gjegjësisht ka anuluar vendimin e Këshillit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore të Deçanit.
Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, ka përcaktuar se vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë nga viti 2012, i cili vërtetonte të drejtën e pronësisë së manastirit mbi tokën në kontest, është “res judicata” (çështje e aktvendimit përfundimtar).
Shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar
Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të njohura si vendet e Quint-it, tash e disa vite shprehin shqetësimin se nuk po respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit dhe rregullisht u bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i lejojnë manastirit ta regjistrojë tokën në kadastër.
Po ashtu, në mënyrë individuale reagojnë edhe ambasadorët e vendeve evropiane dhe zyrtarë të tjerë evropianë, sikurse raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Crammon.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në fillim të vitit, ka thënë se autoritetet në Kosovë duhet t'i respektojnë të drejtat e komuniteteve pakicë dhe ka kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan dhe ai është ndërtimi i rrugës kryesore Deçan - Plavë. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge po zhvillohen përmes zonës së mbrojtur dhe disa herë janë ndërprerë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës apo të bashkësisë ndërkombëtare.
Facebook Forum