Ndërlidhjet

Mali i Zi ndalon transmetimin e 20 mediave ruse, Rusia paralajmëron “përgjigje”


RT-ja në gjuhën serbe, ritransmetimi i së cilës është i ndaluar në Mal të Zi
RT-ja në gjuhën serbe, ritransmetimi i së cilës është i ndaluar në Mal të Zi

Autoritetet në Mal të Zi ndaluan transmetimin e përmbajtjes së 20 mediave ruse, përfshirë Shërbimin e Ballkanit të RT-së (ish-Russia Today) dhe Sputnikun.

Me këtë vendim, Podgorica zyrtare vazhdon të harmonizohet me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, përkatësisht me masat e BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Të gjithë transmetuesit u urdhëruan t’i ndërpresin programet e mediave ruse dhe të pezullojnë çdo marrëveshje për transmetimin ose shpërndarjen e përmbajtjes së tyre.

Shkelja e këtyre detyrimeve do të dënohet me gjobë deri në 40 mijë euro, sipas Agjencisë për Media Elektronike në Mal të Zi.

Ndërsa Delegacioni i Bashkimit Evropian në këtë vend e përshëndeti përafrimin me politikën e jashtme të bllokut, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cilësoi veprimin e Podgoricës zyrtare si “armiqësor”.

“Këto veprime armiqësore nuk do të kalojnë pa një përgjigje asimetrike”, tha ajo.

RT Balkan dhe Sputnik thanë se vendimi i autoriteteve në Mal të Zi është i turpshëm.

Kush është në listën e zezë?

Ndalimi i mediave shtetërore ruse filloi pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës fqinje, në shkurt të vitit 2022.

Dy muaj më vonë, Mali i Zi iu bashkua sanksioneve që ndërmori BE-ja kundër Rusisë, por ndaloi edhe transmetimin e disa shërbimeve të RT-së dhe Sputnikut.

Nga ajo kohë, Qeveria e zgjeroi listën, e cila tani përfshin shtatë shërbime të RT-së dhe dy të Sputnikut - në mesin e tyre edhe ato në gjuhën arabe.

Në listë janë edhe: Rossiya RTR, Rossiya 24 dhe Rossiya 1, pastaj NTV, REN TV dhe TV Centre International, si dhe Pervyi Kanal, Oriental Review, Tsargrad dhe New Eastern Outlook.

Në fund të listës gjendet grupi për analiza strategjike, Katehon.

Disa nga këto media janë edhe nën sanksionet e SHBA-së, përfshirë Oriental Review dhe New Eastern Outlook.

Përhapje e propagandës dhe dezinformatave

“Rusia i përdor të gjitha këto media për të përhapur qëllimisht propagandë dhe për të kryer fushata dezinformuese, përfshirë edhe për agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës”, tha Delegacioni i BE-së në Podgoricë për Radion Evropa e Lirë.

Për t’iu kundërvënë kësaj, BE-ja pezulloi transmetimin dhe licencat e disa mediave të mbështetura nga Kremlini që përhapin dezinformata.

Ajo vendosi, gjithashtu, sanksione kundër disa organizatave mediatike dhe individëve përgjegjës për propagandë dhe dezinformim.

Si reagoi Moska?

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se vendimi i Qeverisë së Malit të Zi është “akt armiqësor i censurës së pamaskuar”.

Maria Zakharova
Maria Zakharova

“I projektuar, në njërën anë, për t’u dhënë një pamje të ligjshme shkeljeve të rënda të lirisë së medias dhe, në anën tjetër, për të fituar mbështetjen e Brukselit, me shpresën se do të arrijë ndonjë përparim të vlefshëm në rrugën evropiane”, tha ajo.

Kur bëhet fjalë për lirinë e mediave, në indeksin e Reporterëve pa Kufij, Mali i Zi renditet në vendin e 40-të, ndërsa Rusia në të 162-tin në mesin e 180 vendeve në botë.

Sipas Reporterëve pa Kufij, që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, pothuajse të gjitha mediat e pavarura në Rusi janë ndaluar, bllokuar ose shpallur “agjente të huaja” dhe “organizata të padëshirueshme”.

Një nga “organizatat e padëshirueshme” është edhe Radio Evropa e Lirë.

Zakharova tha se Mali i Zi është i gatshëm “t’u mohojë qytetarëve të tij të drejtën për të pasur qasje në informacion, me qëllimin e vetëm për t’iu përshtatur agjendës rusofobe transatlantike”.

Vendimet e Qeverisë respektohen

Më 3 korrik, Agjencia për Media Elektronike (AEM) e Malit të Zi u bëri thirrje operatorëve që t’i ndërpresin programet dhe përmbajtjet e mediave ruse dhe “të pezullojnë çdo marrëveshje për transmetimin ose shpërndarjen e përmbajtjeve të tyre".

Ky afat skadoi më 10 korrik.

Marrë parasysh rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të masave kufizuese, përfaqësuesi i AEM-it, Damir Nikoçeviq, i tha Radios Evropa e Lirë se “ne e monitorojmë me vëmendje të veçantë përmbajtjen e shpërndarë dhe të transmetuar”.

Damir Nikoceviq
Damir Nikoceviq

“Mund të konstatojmë se transmetuesit dhe operatorët kabllorë i respektojnë vendimet e Qeverisë”, tha Nikoçeviq.

Nga viti 2022 deri në korrik të këtij viti, AEM zhvilloi disa procedura kundër transmetuesve dhe operatorëve kabllorë për shkelje të vendimit të Qeverisë.

“Në të gjitha procedurat e iniciuara deri tash nga Agjencia, subjektet e mbikëqyrjes e kanë harmonizuar punën e tyre me vendimin e Qeverisë”, tha Nikoçeviq.

DFC: Mediat e kontestueshme, të qasshme në internet

Sipas Qendrës Digjitale Forenzike (DFC) në Mal të Zi, Sputnik dhe RT Balkan luajnë rol të madh në përhapjen e dezinformatave dhe propagandës ruse midis qytetarëve të këtij vendi.

I njëjti rast është, sipas DFC-së, edhe me vendimin e fundit të autoriteteve të Malit të Zi.

“Kështu, në portalin e RT Balkan, që e transmetoi portali IN4S, vendimi për anulimin e transmetimit të mediave ruse cilësohet si ‘fashizëm’, kurse Mali i Zi si ‘krahinë e paktit të NATO-s’ që ‘bën gjithçka që i kërkohet’. Thuhet, po ashtu, se ‘Mali i Zi pranoi të mos mendojë me kokën e vet’”, thuhet në deklaratën e DFC-së për Radion Evropa e Lirë.

Aty, megjithatë, theksohet se qasja në portalet Sputnik Serbia dhe RT Balkan është ende e mundur, sepse në Mal të Zi nuk ka asnjë institucion që është përgjegjës për portalet dhe funksionimin e tyre.

“Agjencia e Mediave Elektronike mund të urdhërojë ndalimin e transmetimit të përmbajtjes televizive propagandistike ruse, por jo edhe të qasjes në portalet e internetit të të njëjtave media”, theksoi DFC-ja.

Agjencia për Komunikime Elektronike (EKIP) e Malit të Zi tha për Radion Evropa e Lirë se ky institucion “për momentin nuk është kompetent për të kontrolluar përmbajtjen në faqet e internetit, e as operatorët e komunikimeve elektronike nuk janë të detyruar ta bëjnë këtë”.

Kjo çështje në Mal të Zi duhet të rregullohet përmes zbatimit të Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (Digital Service Act - DSA), i cili u miratua nga Parlamenti Evropian në vitin 2022.

Kjo rregullore nuk vlen për Malin e Zi, sepse nuk është vend anëtar i BE-së.

Lexoni edhe: Politikanët, mediat dhe institucionet fetare "përhapin dezinformata në Ballkan në favor të Rusisë"

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG