Presidenti e Francës, Emmanuel Macron, gjatë vizitës në Tiranë ka thënë se pret që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, t’i dënojë prerazi sulmet në Banjskë. Më 24 shtator në Banjskë në një sulm nga një grup i armatosur serbësh u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Kurse në përleshjet që pasuan, u vranë tre sulmues.
Macron ka thënë se ka ndjekur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se është përgjegjësi e të dyja palëve që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës.
“Siç e dini, ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogadit. Franca e Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes, që mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim të respektohet nga të dyja palët. Është përgjegjësi e Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, ka deklaruar Macron në Tiranë.
Ndërkaq, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira, porse Kosova e ka futur veten në një, siç është shprehur ai, kurth.
“Folëm dje, në samit, me Kurtin dhe Bërnabiqin për situatën. Po sjell një fjalë të Mark Rutte kur iu drejtua të dyve. ‘Mos harroni kurrë se një kompromis më shumë se çfarë do të fitosh është çfarë nuk duhet të humbasësh’. Nëse bëjmë një llogari të gjërave për t’u humbur nga shqiptarët, është shumë më e madhe e me kosto më të lartë se llogaria e atyre që duam të fitojmë duke i marrë këto që kemi si të mirëqena që nuk i humbim”.
“Shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira. Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes. Do të ishte dramatike të humbiste të drejtën për të hyrë në BE. Të dyja palët kanë një plan, ai franko-gjerman, që është [gjëja] më e mira që mund t’i ndodhë Kosovës”, ka thënë Rama.
Ai ka rikujtuar shembullin që i kishte thënë ish-presidenti amerikan, Bill Clinton kur ishte për vizitë në Shqipëri.
“Thuaju miqve të mi në Prishtinë se si i ndodhi Palestinës (ende pa nisur sulmet). Arafat kishte në tryezë marrëveshjen më të mirë të mundshme, Izraeli tha se do ta firmosë, të nesërmen ndërroi mendje. Palestina është shkatërruar jo nga Izraeli, por nga klasa e vet politike. E mira e madhe e Kosovës është ta firmosë dhe ekzekutojë gjithë marrëveshjen edhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë, pastaj t’ia lërë në dorë BE-së”, ka rikujtuar ai.
Macron: Prania ime në Tiranë, tregues i riangazhimit të Francës në rajon
Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi në Tiranë se vizita e tij tregon riangazhimin e Francës ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit.
Vizita e parë e një presidenti francez në Shqipëri nisi mbrëmjen e së hënës. Macron është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Rama, ndërsa përfaqësues të dy qeverive kanë firmosur disa marrëveshje.
"Jam i lumtur që gjendem krah jush në një moment kaq delikat në Evropë. Të qenët krah jush është një formë riangazhimi i Francës ndaj jush dhe rajonit. Jam i bindur që vendi juaj është i ankoruar në Evropë. Po hyjmë në erën e re të ribashkimit të kontinentit tonë. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është e pakthyeshme”, ka thënë Macron.
Ai, gjithashtu, ka premtuar 600 milionë euro mbështetje për Shqipërinë, përmes disa projekteve të përbashkëta.
Kryeministri Edi Rama i ka thënë presidentit të Francës, se Shqipëria do të bëhet Evropa e Ballkanit, edhe pse ka ende shumë për të bërë në lidhje me reformat që kërkohen.
Rama ka theksuar se Shqipëria nuk ka nevojë për “korsi preferenciale” në rrugën drejt BE-së.
“Detyrat duhet t’i bëjmë një nga një. Shqipërisë nuk i intereson një datë, pasi mbetet një takim i parealizuar. Ne e bëjmë këtë proces për të ndryshuar historinë e vendit tonë, edhe jo për të bindur Francën apo një shtet tjetër", ka thënë Rama.
Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka falënderuar presidentin Macron, për kontributin në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit franko-gjerman.
Ai ka kërkuar mbështetje për dialogun dhe ka nënvizuar nevojën e dënimit dhe të dekurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat në veri të Kosovës.
Macron e ka nisur vizitën në Tiranë duke i akorduar një dekoratë të lartë të Republikës së Francës "Oficer i Madh i Legjionit të Nderi" shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.