Ndërlidhjet

Nënshkruhet marrëveshja për koalicionin qeverisës


LVV dhe LDK nënshkruajnë marrëveshje koalicioni
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:09 0:00

LVV dhe LDK nënshkruajnë marrëveshje koalicioni

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.

Marrëveshja është nënshkruar nga liderët e të dy partive, Albin Kurti (Vetëvendosje) dhe Isa Mustafa (LDK).

Dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan për arritjen e marrëveshjes dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re.

“Ne sot u takuam me kryetarin Isa Mustafën dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshjen dhe jemi marrë vesh për të gjitha, përveç për harmonizimin e programit edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re, ku ne do të bashkëqeverisim”, tha i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se dy partitë dëshirojnë që qeveria të jetë e suksesshme, dhe siç u shpreh ai, të realizojë pritjet e qytetarëve.

“Ne kemi arritur marrëveshje dhe vlerësojmë se është marrëveshje e mirë është në interes të ndryshimeve që domodosshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë”, tha Mustafa.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga LVV dhe LDK do të ketë 15 ministri, dy zëvendëkryeministra dhe rreth 33 zëvendësministra. Sipas Kushtetutës së Kosovës tre ministri do t'i takojnë komuniteteve pakicë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë se nuk do të mbështesin Qeverinë e re të Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka deklaruar të dielën në Beograd pas konsultimeve me Qeverinë e Serbisë së subjekti politik që ai përfaqëson është ftuar vetëm njëherë në konsultime për Qeverinë e re të Kosovës.

“Kemi mësuar nga mediat se është arritur njëfarë koalicioni dhe kemi vendosur të mos e përkrahim atë qeveri ngase i besojmë vetëm Beogradit”, ka thënë Rakiq, pas takimit me kryeministren serbe Ana Bërnabiq dhe shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Ky i fundit tha se Lista Serbe do të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, pavarësisht se nuk do ta mbështesë qeverinë.

Për presidentin vendoset më vonë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, do t'i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se Glauk Konjufca, i cili ishte zgjedhur në krye të institucionit legjislativ më 26 dhjetor, nuk do të japë dorëheqje, por do të marrë një post qeveritar.

Ndërkaq, çështja e presidentit nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, tha lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

“Sa i përket presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar. Do të jetë çështje për të cilën do të dakordohemi unë dhe Kurti si lider politik dhe do ta zgjedhim edhe atë çështje në kohën që është e domosdoshme”, tha Mustafa.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka aprovuar marrëveshjen e koalicionit me Vetëvendosjen, ndërkaq anëtarësia e Vetëvendosjes ka votuar pro marrëveshjes së koalicionit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, mandatari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim në Facebook, ka uruar qytetarët për arritjen e marrëveshjes.

Para takimit të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur para gazetarëve, nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se së shpejti do të bëhen të ditur edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në postet politike.

“Ne sot në Këshillin e Përgjithshëm diskutojmë marrëveshjen në parim, kurse sa i përket emrave gjatë ditës do të ulemi dhe do të diskutojmë dhe do të vendoset se kush do të jenë përfaqësuesit e LDK-së. Është proces që nuk merr kohë, megjithatë i ka diskutimet që janë të domosdoshme që e gjitha partia të jetë e konsultuar dhe vendimet t’i marrim në përputhje me statutin tonë”, tha Osmani.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj më herët ka thënë se lajmi për arritjen e marrëveshjes "është veprim i duhur dhe konkretizim i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor".

"Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë", ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Arritjen e marrëveshjes midis LVV-së dhe LDK-së e ka mirëpritur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duke thënë se "një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit".

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka thënë se pret që pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës, do të nisin bisedimet për "të zhvilluar një program të përbashkët e në të mirë të dy vendeve".

Tre muaj negociata

Qysh para zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin shprehur vullnetin, që të ishin partnerë në koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Kur Vetëvendosje doli fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, pasuar nga LDK-ja, grupet e ekspertëve të të dy partive, filluan punën për të harmonizuar programin qeverisës. Më 7 nëntor, dy partitë deklaruan, se kishin arritur dakordimin për programin qeverisës dhe se hapi tjetër ishte ndarja e pushtetit, e cila çështje u tha se do të zgjidhej në takimet mes liderëve të dy partive.

Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, në fund të muajit nëntor, Albin Kurti pati deklaruar se dy partive do t’u nevojiteshin 72 orë, për të ndarë pushtetin. Por, çështja e presidentit, të cilën e vendosi në tavolinë LDK-ja, bëri që marrëveshja të mos arrihej menjëherë.

Mosarritja e një dakordimi për ndarjen e pushtetit, bëri që në seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që u mbajt më 26 dhjetor, 2019, të dy partitë të shkonin pa marrëveshje.

Në këtë seancë, Glauk Konjufca ishte zgjedhur kryetar i kuvendit, me votat edhe të deputetëve të LDK-së.

Dy partitë prezantuan ofertat e tyre, për të gjetur kompromis për tejkalimin e dallimeve, por, LDK-ja vazhdimisht insistoi që të marrë postin e kryeparlamentarit.

Dialogu me Serbinë, sfidë për qeverinë e re

Analisti i çështjeve politike, Artan Murati në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se arritja e një marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, është pasqyrim real i rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

“Ne do të kemi një qeveri krejtësisht legjitime, një qeveri e cila e gëzon edhe përkrahjen e qytetarëve. Padyshim ka qenë për keqardhje koha e gjatë e mospajtimeve sa i përket ndarjes së posteve politike, meqenëse të dy subjektet patën deklaruar që kanë harmonizuar programin qeverisës që është shumë pozitive, por të dhimbshme e bënte fakti që marrëveshja nuk arrihej për shkak të ndarjes së posteve. Kjo tani është zgjidhur dhe përfundimisht, kemi një marrëveshje të koalicionit që do t’i hapë rrugë votimit të qeverisë dhe funksionalizimit të institucione”, thotë Murati.

Njëra ndër sfidat më të mëdha për Qeverinë e re të Kosovës, shton Murati, do të jetë dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje. Ai thotë se dialogu me Serbinë është një prej çështjeve urgjente sa i përket politikës së jashtme.

“Mirë që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e qartëson se kush është përgjegjës në këtë proces dhe ky proces është përgjegjësi direkte e kryeministrit të vendit. Duhet fillimisht të ketë një platformë shtetërore e cila duhet të pasqyrojë qëndrimin formal të Kosovës në këto negociata”.

“Problemi kryesor do të qëndronte nëse arrihet marrëveshja me Serbinë dhe duhet të ratifikohet pasi që ky koalicion nuk do të ketë 80 vota, aq sa duhen për të kaluar një marrëveshje ndërkombëtare dhe këtu duhen edhe votat e opozitës për të arritur një gjë të tillë dhe për këtë qëllim duhet të synohet një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thotë Murati.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, i nisur në vitin 2011, u ndërpre në fund të vitit 2018, kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia.

Qeveria e re e Kosovës më 3 shkurt

Më 3 shkurt, në seancën plenare të thirrur nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, pritet të votohet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në numrin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, shumica prej 61 votave është e pritshme të arrihet, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Vetëvendosje fitoi 29, kurse LDK 28 ulëse në kuvend. Këtij numri i shtohen edhe votat e komuniteteve pakicë, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë po ashtu.

Megjithatë, në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG