Ndërlidhjet

Qeveria dhe Policia koordinojnë luftimin e dukurisë së narkotikëve në shkolla


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në Kosovë, në bazë të të dhënave të Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, llogaritet se janë rreth 5 mijë përdorues në mënyrë aktive të narkotikëve(drogave), ndërsa llogaritet se janë rreth 35 mijë persona që herë pas here përdorin substancë narkotike – droga.

E reja e këtij viti është se droga e llojit kokainë (cocaine), sipas kësaj Qendre, po përdoret më shumë kohëve të fundit. Ndërkaq, për kah numri i përdoruesve, prin lloji i substancës narkotike marihuanë (cannabis). Kështu tha Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”.

“Mosha mesatare që përdor drogë në Kosovë, është 16 vjeç. Marihuana dukshëm prin me përdorim. Në anën tjetër, duhet të them se kokaina po përdoret shumë kohëve të fundit, sidomos në kryeqytet. Droga tjera nuk kanë ndonjë stabilitet, pra përdoren një kohë dhe më pas për një kohë nuk përdoren më. Bëhet fjalë për drogat e reja si GHB e ekstazi”, tha Blakaj.

Qeveria e Kosovës, ditë më parë ka marrë vendimpër fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve dhe formimin e një Task-Force kundër narkotikëve, si dhe sigurisë në shkolla.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se në kuadër të urdhrit operativ në pesë muajt e parë të këtij viti janë hapur 129 raste, 17 nga to në shkolla dhe rreth tyre. Ai shtoi se dy raste kanë qenë brenda objekteve të shkollave.

Sipas tij, fillimi i fushatës në nivel Qeverie dhe formimi i Task-Forcës është i mirëseardhur.

“Gjatë aktivitetit të Policisë së Kosovës janë arrestuar 161 persona, ku prej tyre janë 18 nxënës. Prej 161 personave të arrestuar, 33 janë shpërndarës derisa 128 janë përdorues të substancave narkotike, derisa prej tyre 98 janë të gjinisë mashkullore”.

“Për realizmin e aktiviteteve rreth urdhrit operativ, janë angazhuar zyrtarë nga drejtoritë Rajonale të Policisë, Stacionet Policore, Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë, Drejtoria për Inteligjencë dhe Analizë, si dhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë”, sqaron Hoxha.

*Video nga arkivi: Shërimi nga droga pas 14 vjetësh përdorimi...

Shërimi nga droga pas 14 vjetësh përdorimi...
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Disa nga nxënësit e shkollave të mesme në Prishtinë thanë se kanë njohuri në lidhje me këtë dukuri, e cila vitet e fundit po luftohet në një intensitet më të shtuar nga autoritetet e rendit.

Nxënësja e shkollës së mesme, M.K, tha se qasja deri te substancat narkotike është shumë e lehtë.

“Mendoj se sot droga është bërë më shumë trend. Por, edhe qasja deri te këto substanca është shumë e lehtë. Mund ta gjesh kudo, në kafiteri, diskoteka e çka është më e keqja, edhe në shkolla. Gjithashtu, kam vërejtur se edhe bisedat rreth drogave janë bërë normale në mesin e të rinjve’’, tha ajo.

Organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja e të rinjve deri te shitësit e drogave, nuk është e vështirë, gjë që, sipas tyre, është shumë shqetësuese. Një gjendje e tillë, sipas organizatave që merren me monitorimin e kësaj dukurie, është pasojë e mungesës së koordinimit të duhur ndërmjet shumë mekanizmave institucionalë në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG