Ndërlidhjet

Kina kërcënon SHBA-në pas bojkotit diplomatik të Olimpiadës


Flamuj të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Fotografi nga arkivi.
Flamuj të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Fotografi nga arkivi.

Kina ka kërcënuar se do t’i kundërpërgjigjet Shteteve të Bashkuara për bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.

Pekini tha se Lojërat Olimpike nuk janë “një skenë për shfaqje politike dhe për manipulime politike”.

“SHBA-ja do të paguajë çmim për këtë gjë”, tha më 7 dhjetor zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijain. Ai u pyet se çfarë kundërmasash do të ndërmarrë Kina, por nuk tregoi dhe vetëm tha se duhet pritur.

Ky reagim i Kinës erdhi pasi më 6 dhjetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk do të dërgojë diplomatë apo përfaqësues zyrtarë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Uashingtoni tha se ekipi olimpik amerikan do të ketë “mbështetjen e plotë” të administratës dhe nuk do të ndikohet nga bojkoti diplomatik.

“Administrata (e presidentit amerikan, Joe) Biden nuk do të dërgojë asnjë diplomat apo zyrtar në Lojërat Olimpike ‘Pekini 2022’ dhe as në Lojërat Paralimpike për shkak të gjenocidit të vazhdueshëm të Kinës dhe krimeve kundër njerëzimit në Ksinjiang dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut”, tha sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Psaki tha se dërgimi i diplomatëve apo përfaqësuesve zyrtarë do të nënkuptonte se SHBA-ja do t’i trajtonte këto lojëra si ngjarje normale “në kohën e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe mizorive të tjera të Kinës në Ksinjiang, dhe ne thjesht nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë”.

Ajo shtoi se atletët do të kenë mbështetjen e plotë, por “ne do t’i përkrahim ata nga shtëpia”.

Ndërkaq, Sarah Hirshland shefe ekzekutive e Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së, përmes një deklarate tha se ekipi i SHBA-së ishte i “ngazëllyer dhe i gatshëm që ta bëjë krenar kombin”.

“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të presidentit dhe administratës së tij dhe ne e dimë se ata do të na përkrahin gjatë këtyre lojërave”, tha ajo.

"Gjenocidi ndaj ujgurëve shkak i bojkotit"

Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden tha se po e shqyrtonte mundësinë e bojkotit diplomatik për shkak të situatës me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përfshirë edhe atë që Uashingtoni e quan gjenocid ndaj ujgurëve, kazakëve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupeve etnike indigjene, shumica prej tyre myslimane dhe grupeve të tjera etnike në Ksinjiang.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se rreth dy milionë ujgurë dhe pjesëtarë të minoritete të tjera janë dërguar në kampe ndalimi në rajonin e Ksinjiangut. Personat që janë larguar nga Kina kanë thënë se Qeveria qendrore kineze në këto kampe ushtron represion fetar, torturë dhe sterilizim të detyruar.

Për shkak të shkeljeve ndaj ujgurëve, më 6 dhjetor Bashkimi Evropian zgjati sanksionet ndaj Kinës edhe për një vit. BE-ja tha se sanksionet janë pjesë e një pakoje më të gjerë të masave kundër Libisë, Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe në të përfshihen individë dhe entitete “që janë përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në disa shtete në mbarë botën”.

BE-ja kishte prezantuar sanksionet e para në mars të vitit 2021. Ato ishin sanksionet e para që blloku evropian ndërmori ndaj Pekinit për shkak të të drejtave të njeriut, që prej masakrës më 1989 në Sheshin Tiananmen.

Pse po mbahen Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin?

Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022” do të nisin më 4 shkurt dhe do të zgjasin deri më 20 shkurt.

Por, si arriti Pekini të marrë organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore, kaq shpejt pas mbajtjes së Lojërave Verore më 2008? Pekini bëhet qyteti i parë në histori që do të organizojë Lojërat Verore dhe Dimërore Olimpike.

Përgjigja është e thjesht. Qytetet evropiane u tërhoqën nga gara për organizimin e Olimpiadës pas skandalit me doping në Lojërat Dimërore “Soçi 2014”.

Kur u mbajt votimi se cili qytet të zgjidhej nikoqir i Lojërave Dimërore, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik mbeti vetëm me dy kandidatë: Pekinin dhe Almatin.

Pekini fitoi me 44 vota, karshi 40 sa mori Almati dhe atëbotë u sugjerua se mund të ketë pasur manipulime në votime. Vetë kreu i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Thomas Bach ishte zemëruar me këto sugjerime.

A janë bojkotuar ndonjëherë Lojërat Olimpike?

Olimpiada, veçanërisht Lojërat Verore, shpesh janë bojkotuar nga shtete të ndryshme, që prej se për herë të parë u mbajtën Lojërat moderne në Athinë më 1896.

Bojkotimet kanë ndodhur për arsye të ndryshme siç janë mospajtimet ideologjike, siç ishte rasti i shteteve myslimane që nuk morën pjesë për të kundërshtuar prezencën e atletëve izraelitë apo Koreja e Veriut që nuk mori pjesë më 1988 në Olimpiadën e mbajtur në Seul.

Bojkotimi më i madh ndodhi më 1980 kur presidenti i atëhershëm amerikan, Jimmy Carter bojkoti Lojërat e mbajtura në Moskë për të protestuar pushtimin e sovjetëve të Afganistanit dhe katër vjet më vonë blloku sovjetik u kundërpërgjigj duke bojkotuar Lojërat Olimpike të mbajtura në Llos Angjellos.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG