Ndërlidhjet

Kërkohet kujdes nga gazetarët gjatë mbulimit të Lojërave Olimpike në Pekin


Disa punëtorë mediash duke pritur për të raportuar. Fotografi nga arkivi.
Disa punëtorë mediash duke pritur për të raportuar. Fotografi nga arkivi.

Organizata Reporterët pa Kufij ka paralajmëruar mediat e huaja që të jenë të kujdesshme gjatë Lojërave Olimpike Dimërore që do të mbahen në Pekin në shkurt të vitit të ardhshëm, në mënyrë që të shmangin vëzhgimin në këtë shtet.

Organizata joqeveritare, e cila bën fushatë për liri të mediave, u ka rekomanduar gazetarëve që udhëtojnë në Kinë, që të shmangin shkarkimin e aplikacioneve dhe ka thënë se mediat duhet të dënojnë çfarëdo ndikimi apo presioni nga Kina.

Kufizimet për koronavirus nënkuptojnë se reporterët nga 4-20 shkurt, sa zgjasin këto Lojëra, do të jenë më pak të lirë që të lëvizin nëpër Pekin.

“Lojërat Olimpike i ofrojnë presidentit kinez, Xi Jinping mundësi të artë për të përmirësuar imazhin dhe për të tentuar që njerëzit të harrojnë historinë katastrofale në fushën e të drejtave të njeriut, duke përfshirë lirinë e shtypit dhe të drejtën për informacion”, ka thënë Cedric Alviani, udhëheqës i organizatës për Azinë Lindore.

“Është legjitime që mediat të mbulojnë ngjarje ndërkombëtare, mirëpo ato duhet të jenë të vetëdijshme për tentimet e regjimit për të manipuluar dhe për të mbrojtur gazetarët nga vëzhgimi dhe presioni i mundshëm”.

Sipas organizatës, Kina është “burgu më i madh në botë” për gazetarët, me të paktën 127 të ndaluar.

Kina është kritikuar kohën e fundit pasi tenistja Peng Shuai, ka pretenduar se është sulmuar seksualisht nga një ish-zyrtar i lartë.

Postimi i saj është fshirë nga rrjetet sociale dhe ajo nuk është paraqitur në publik për dy javë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG