Ndërlidhjet

Futja në listën e zezë nuk i pengon të drejtojnë komunë apo të bëjnë biznes


Flamuri i Maqedonisë së Veriut.
Flamuri i Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriu ka ligje solide në bazë të së cilave të gjithë ata që janë të përfshirë në korrupsion duhet të përgjigjen para drejtësisë, mjaftojnë që gjyqësori dhe prokuroria të veprojë, theksojnë njohësit e çështjeve juridike.

Këto reagime pasojnë zotimin e zëvendëskryeministres për Politika për Qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska, se personat e sanksionuar në SHBA do të përgjigjen edhe para organeve të drejtësisë në vend.

Ish-gjykatësi Bashkim Selmani, aktualisht ligjërues i së drejtës penale, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmes kësaj nisme Qeveria aktuale para zgjedhjeve synon të lirohet nga përgjegjësia.

“Ky është vetëm një arsyetim fals për të shpërlarë veten dhe shtetin nga përgjegjësia e mosveprimit ndaj krimit. Dihet se krimi dhe kriminaliteti në Maqedoninë e Veriut është shumë kolektiv, institucional dhe askush nuk mund të largohet nga përgjegjësia, e aq më pak t’i ikë përgjegjësisë”, thotë Selmani.

Zyrtarët e lartë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë aktivitetet e tyre, si mbajtjen e posteve apo dhe veprimtaritë private pavarësisht përfshirjes në listën e zezë amerikane.

Më 5 dhjetor të vitit të kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin maqedonas, Koço Angjushev, i cili aktualisht është duke drejtuar disa kompani që kanë të bëjnë me energjetikën dhe ndërtimtarinë. Ndërsa, para tij, në këtë listë janë përfshirë edhe disa politikanë dhe biznesmenë të tjerë të profilit të lartë, si kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe biznesmeni kundërthënës, Orce Kamçev.

Në prill të vitit 2022, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj shtatë personave, që u tha se kanë qenë të përfshirë në vepra korruptive, në mesin e të cilëve edhe ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, dhe ish-drejtori i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov.

Zëvendëskryeministrja për Politika për Qeverisje të Mirë, Sllavica Grkovska, më 26 dhjetor të vitit të kaluar ka theksuar se tashmë janë bërë dhe hapa konkretë drejt ndryshimit të kornizës ligjore që personat e përfshirë në listën e zezë amerikane të përgjigjen para organeve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.

“Ne, si Qeveri, duhet të krijojmë parakushte në aspektin e legjislacionit që rastet e tilla të procedohen në legjislacionin dhe sistemin juridik të Maqedonisë së Veriut, sepse është porosi shumë e keqe të shihet se, për ata persona që janë vendosur në listën e zezë në shtete të tjera, në shtetin tonë sillen sikur të mos ketë ndodhur asgjë”, deklaroi Grkovska.

Ajo ka theksuar se këtë iniciativë e ka mirëpritur edhe koordinatori i Departamentit amerikan të Shtetit për parandalimin global të korrupsionit, Richard Nephew, me të cilin ka zhvilluar një takim në kuadër të Konferencës së vendeve nënshkruese të Konventës së OKB-së kundër korrupsionit në Atlanta të SHBA-së.

Zëvendëskryeministrja Grkovska ka thënë se personat që janë futur në listën e zezë në SHBA nuk duhet të jenë në poste publike apo të jenë kandidatë për pozita publike.

Sipas saj, me këtë masë synohet rritja e besimit në institucione. Por, edhe pse u gjend në listën e zezë amerikane, kryetari i komunës së Strugës vazhdon ta mbajë këtë pozitë.


Kryeministri Kovaçevski nuk ka dashur ta komentojë këtë ndonëse ka theksuar se “nëse do të gjendej në listën e zezë amerikane jo vetëm që do të jepte dorëheqje, por këtë do ta llogariste si dështimin më të madh personal”.

Ish-gjykatësi Bashkim Selmani thotë se për këtë nuk ka nevojë miratimi i ligjeve të veçanta, pasi kjo rregullohet me një vendim të Qeverisë, por duket qartazi se për një gjë të tillë nuk ka vullnet politik as nga ana e partive në pushtet e as nga ata që janë në opozitë.

“Këtu ndodh që të njëjtët njerëz të jenë në listën e zezë, dhe njëkohësisht bartin pozita udhëheqëse dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike. Në këtë rast faktori ndërkombëtar, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, japin dëshmi morale për personat e caktuar përderisa veprimi juridik u mbetet institucioneve të shtetit përkatës”, vlerëson Selmani.

Ndryshe, pas konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001 në listën e zezë amerikane u gjend dhe kryetari i partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, i cili tashmë disa mandate është deputet në Kuvend.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG