Ndërlidhjet

Bashkurti: Njohja nga Serbia nuk e anëtarëson Kosovën me automatizëm në OKB


Lisen Bashkurti
Lisen Bashkurti

Nuk ka procese automatike, të cilat do t’ia mundësonin Kosovës anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe në rast se do ta merrte njohjen nga Serbia, në fund të procesit të dialogut, thotë Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe aktualisht president i Akademisë Diplomatike Shqiptare. Sipas tij, kjo njohje vetëm do ta lehtësonte procesin e integrimeve të Kosovës. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Bashkurti është shprehur kundër idesë së korrigjimit apo ndryshimit të kufirit, si zgjidhje e kontestit Kosovë-Serbi. Madje, ai nuk beson fare në qëndrueshmërinë e politikave të Serbisë edhe në rast të një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Kosovën e pret faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në rast se ky proces përfundon eventualisht me njohjen e shtetit të Kosovës, a nënkupton kjo rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj, apo do të përballet me sfida të tjera në këtë drejtim?

Lisen Bashkurti: Mendoj që konkludimi i procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të sjellë njohjen e shtetit të Kosovës. Por, kjo nuk nënkupton që të njëjtin qëndrim do të përcjellin edhe shtetet e tjera, veçanërisht fuqitë e mëdha që e kanë bllokuar këtë proces, por edhe organizatat e veçanta, në të cilat Kosova ka nevojë të integrohet. Kjo për faktin, sepse njohja e shteteve dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike është atribut i shteteve sovrane, i vendimeve të tyre politike dhe jo i kushtëzuar nga qëndrimet e njëri-tjetrit.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe njohja e ndërsjellë eventuale, hapë rrugën gati se me automatizëm drejt Organizatës së Kombeve të Bashkuara. A mund të jetë kështu?

Lisen Bashkurti: Bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare, por edhe në praktikën e njohjes së shteteve të reja dhe të pranimit të tyre në Kombet e Bashkuara, ky proces nuk mund të lidhet në mënyrë automatike. Kjo për arsyen që, sikur që e thashë, procesi i njohjes së shteteve është atribut i vendimit politik të çdo shteti sovran, përfshirë këtu anëtarët e thjeshtë të OKB-së, ashtu sikurse edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Është qëndrimi i tyre politik, është vendimi i shteteve sovrane, në përputhje me interesat e tyre kombëtare, ai që përcakton fatin e mëtejshëm të njohjes së Kosovës dhe të integrimit të saj në Kombet e Bashkuara. Nuk ka procese automatike të parashikuara në të Drejtën Ndërkombëtare, respektivisht, në kartën e Kombeve të Bashkuara ose në praktikat e kësaj natyre.

Radio Evropa e Lirë: Po flasim gjithmonë nëse eventualisht ndodh njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia në fund të procesit të dialogut. Pra, kur përmendëm sfidat eventuale për anëtarësimin në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare, sa do të jenë ato të rënda dhe a do të varen nga forma dhe kualiteti i marrëveshjes gjithëpërfshirëse?

Lisen Bashkurti: Ajo që mund të thuhet pa mëdyshje, është që njohja e Kosovës nga Serbia do ta lehtësojë shumë procesin, për faktin se një pjesë e vendeve, të cilat refuzojnë njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të, kanë qenë shumë të kushtëzuara nga lidhjet dhe interesat e tyre bilaterale ose rajonale në bashkëpunimin me Serbinë. Ato janë ndikuar dhe vazhdojnë të jenë të ndikuara nga politika dhe veprimi i aksionit diplomatik serb. Kështu që njohja nga ana e Serbisë do të lehtësonte procesin e integrimit të Kosovës, gjithashtu edhe në Kombet e Bashkuara.

Njohja nga ana e Serbisë, padyshim që do të ishte një hap pozitiv për të shpejtuar edhe procesin e njohjes nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të hapte dritën jeshile për vazhdimin e procesit të negociatave për anëtarësimin e plotë të Serbisë, si dhe do të lehtësonte procesin e avancimit të mëtejshëm të Kosovës në integrimin Euroatlantik, respektivisht në BE dhe në NATO.

Lidhur me formatin e marrëveshjes ose cilësinë e marrëveshjes, pasi që shtrohet pyetja edhe lidhur me korrigjimin apo ndryshimin e kufirit, kjo është një çështje shumë kontroverse dhe shumë e diskutueshme. Në përgjithësi, mendimi akademik - shkencor, por edhe politiko-diplomatik, është që Ballkani të mos futet në qefullin e korrigjimit të kufijve apo të ndryshimit të tyre për tri arsye kryesore.

E para, sepse Ballkani ka një përvojë historike shumë të përgjakshme lidhur me ndryshimin e kufirit. Ndryshimi i kufijve në Ballkan ka qenë sinonim i konfrontimit, i luftërave dhe konflikteve të përgjakshme për më shumë se 100 vjet.

Së dyti, Ballkani ka shtete relativisht të dobëta, shtete të sapokrijuara ose shtete të tranzicione të vështira, të cilat nuk garantojnë stabilitet të tyre të brendshëm, stabilitet në marrëdhëniet me fqinjët dhe stabilitet të qëndrueshmërisë në rajon, në rast se hapet “Kutia e Pandorës” së kufijve.

Së treti, Ballkani nuk ka një sistem demokratik të konsoliduar, koherent dhe koheziv, brenda tij, që të mund t’i zgjidhë problemet e debateve territoriale bazuar në parimet e së Drejtës Ndërkombëtare dhe të parimeve demokratike të Bashkimit Evropian. Janë këto tri arsye që e bëjnë shumë të papërshtatshëm, madje shumë të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm, procesin e korrigjimit apo ndryshimit të kufijve. Në rastin e bilaterales Kosovë-Serbi, kjo çështje bëhet akoma më e komplikuar, sepse lidhet edhe me efektet e njëpasnjëshme ose domino, siç thuhet në shkencat politike, edhe për hapësirat e tjera politike, minoritetet, zonat kufitare, zonat transitive, të cilat e fusin në një proces shumë të paparashikueshëm rajonin.

Radio Evropa e Lirë: A përjashtohet mundësia e zgjidhjes përmes korrigjimit të kufirit?

Lisen Bashkurti: Megjithatë, gjithçka është e mundshme. Nuk mund të përjashtohet mundësia se mund të shkohet drejt korrigjimit. Por, kjo kërkon një qëndrueshmëri të madhe të dy faktorëve bilateralë në bisedime, një mbështetje shumë të fuqishme dhe garanci shumë të madhe ndërkombëtare që ky proces nuk do të shtrihet ‘domino’ në rastet e tjera dhe problemet e përafërta në Ballkan dhe se do të garantojë kushtet e një marrëveshjeje të garantuar dhe të mbështetur ndërkombëtarisht.

*Video nga arkivi: Deklaratë e komisionarit Johannes Hahn

Hahn nuk e përjashton ndryshimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:37 0:00

Radio Evropa e Lirë: Rrjedhimisht, një marrëveshje e tillë eventuale mbi këto baza që përmendët, a do të mund të shkaktonte reaksione zinxhir, të cilat mund t’ia vështirësojnë Kosovës rrumbullakimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, apo mund t’ia lehtësojnë këtë rrugë?

Lisen Bashkurti: Unë mendoj se nuk do të mund të realizohet një marrëveshje me korrigjim kufijsh në qoftë se nuk do të konsiderohet edhe mendimi dhe qëndrimi i shteteve fqinje, i vendeve të rajonit, pra, të Ballkanit Perëndimor, i fuqive kryesore në Bashkimin Evropian, në NATO, por edhe i fuqive globale. Kështu që nuk mund të jetë, thjesht, një vendim bilateral i dyshes Kosovë-Serbi, çështja e korrigjimit të kufijve, pasi që ky është një fenomen, një problem, që në nivele botërore ka më shumë se 140 probleme të tilla analoge dhe po bëhen përpjekje që të zgjidhen në mënyrë shumë paqësore, shumë të vetëpërmbajtur dhe me shumë parimësi të së Drejtës Ndërkombëtare.

Në mënyrë të veçantë në Ballkan, një proces i tillë nuk do të mund të hapej, pasi që shumica e vendeve të Ballkanit perëndimor nuk e mbështesin korrigjimin e kufirit. Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe fuqitë kryesore të BE-së janë gjithashtu kundër ndryshimit të kufijve, sikurse edhe një pjesë e madhe e vendeve me influencë në politikën botërore, janë kundër hapjes së ‘Kutisë së Pandorës’, lidhur me korrigjimin dhe ndryshimin e kufirit.

Por, para së gjithash, ky është mendim shumë personal, nuk kam fare besim lidhur me qëndrueshmërinë e politikave të Serbisë. Serbia e ka provuar që ka bërë lojë të dyfishtë, me shumë standarde pro-evropiane dhe pro-euroaziatike. Është përpjekur që me diplomacinë ‘tit for tat’, pra , të shkëmbimeve të interesave të saj, që vetëm të përfitojë në pozicionet e avancuara që ka dhe në vështirësitë, me të cilat përballet Kosova. Ka dëshmuar që nga prilli i vitit 2013, sepse janë firmosur më shumë se 14 apo 15 marrëveshje e që shumica dërmuese e tyre, mbi 80 deri 85 për qind, nuk janë zbatuar.

Pra, i firmos lehtë marrëveshjet, por i shkel akoma më lehtë ato. Nuk është fare luajale dhe e besueshme në bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe unë nuk do të isha fare i gatshëm për të besuar se një marrëveshje e tillë, qoftë edhe me shkëmbimin e kufijve, do ta bënte Serbinë të detyruar për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lehtësimin e integrimit të saj në Kombet e Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG