Ndërlidhjet

Shqipëri: Lirohen nga paraburgimi rusët e akuzuar për spiunazh, hetimet vazhdojnë


Svetlana Timofeeva dhe Mikail Zorin. Fotografi nga arkivi.
Svetlana Timofeeva dhe Mikail Zorin. Fotografi nga arkivi.

Pas nëntë muajve në paraburgim, dy shtetasit rusë, Svetlana Timofeeva dhe Mikail Zorin, si dhe shtetasi ukrainas, Fedir Alpatov janë liruar me vendim të Gjykatës së Elbasanit në Shqipëri.

Tre personave të akuzuar nga autoritetet shqiptare për spiunazh, u ka përfunduar afati i paraburgimit dhe për këtë arsye gjyqtarja Matilda Fetahu, urdhëroi lirimin e tyre, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Elbasanit, me argumentin se masa e sigurisë “arrest me burg”, e ka humbur fuqinë ligjore për shkak se janë tejkaluar afatet.

Megjithatë hetimet për akuzat e ngritura ndaj tre blogerëve do të vazhdojnë.

Timofeeva dhe Alpatov do të hetohen në gjendje të lirë.

Ata do të paraqiten një herë në muaj në policinë gjyqësore dhe e kanë të ndaluar të dalin jashtë Shqipërisë.

Për Mikail Zorin është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpiak”.

Ai ka dorëzuar pranë gjykatës kontratën e qirasë në banesën ku do të qëndrojë dhe nuk mund të dalë prej saj, në bazë të masës së sigurisë së vendosur ndaj tij.

Prokuroria ka deklaruar, në kërkesën e dorëzuar në gjykatë, për lirimin e tre të akuzuarve se, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar për shkak "të kompleksitetit të çështjes”.

Pak kohë më parë, Gjykata e Elbasanit mori parasysh kërkesën e shtetases ruse Svetlana Timofeeva, për të mos u ekstraduar në Rusi.

Ajo pretendonte se nëse ekstradohej do të përndiqej dhe do t'i rrezikohej jeta, pasi ka mbajtur qëndrime kundër regjimit të presidentit rus, Vladimir Putin.

Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe nga Rusia, u arrestua më 20 gusht të vitit 2022, së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia, dhe Fedir Aplatov nga Ukraina, pasi tentuan të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh dhe hodhën sprej neuro-paralizues ndaj dy ushtarëve që po e ruanin këtë objekt ushtarak.

Ata u kapën duke fotografuar uzinën e Gramshit, ndërsa në sendet personale të tyre u gjetën disa materiale të disa pikave të rëndësishme që njihen si infrastrukturë kritike ushtarake në Shqipëri.

Ata akuzohen për “dhënie të informatave sekrete”, dhe “goditje për shkak të detyrës”.

Tre të akuzuarit për spiunazh, dhe avokatët e tyre, i kundërshtojnë akuzat dhe kanë deklaruar se të ndaluarit janë blogerë, dhe pëlqejnë të fotografojnë objekte ushtarake.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG