Ndërlidhjet

Ligjëratat e BIK-ut në burgje, nuk mjaftojnë për deradikalizim


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Deradikalizimi dhe risocializimi i personave nëpër qendrat e Shërbimit Korrektues në Kosovë, të cilët janë duke vuajtur dënimet me burg për terrorizëm dhe ekstremizëm fetar, vazhdon të mbetet sfidë, vlerësojnë përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, të organizatave joqeveritare dhe njohës të sociologjisë së religjionit.

Një memorandum ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, për ligjëratat e përfaqësuesve të kësaj të fundit në burgjet në Kosovë, kishte synuar që të ndikojë në deradikalizimin e personave që janë të dënuar për terrorizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm fetar.

Rexhep Lushta, imam në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili ka mbajtur ligjërata në dy nga burgjet në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, që projekti i Ministrisë së Drejtësisë dhe i Bashkësisë Islame të Kosovës, nuk ka pasur për cak vetëm një grup të burgosurish, por në të kanë qenë të përfshirë të gjithë të burgosurit, pavarësisht nga veprat që ata i kanë kryer. Sipas tij, në kohën kur është bërë marrëveshja, nëpër burgjet e Kosovës kanë qenë edhe disa individë, të cilët kanë qenë të akuzuar për terrorizëm, qoftë për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vatrat e luftës në Siri apo qoftë edhe ata që e kanë përkrahur.

Lushta thotë se ka mbajtur ligjërata në burgun e Dubravës dhe në Mitrovicë e Veriut.

“Ligjëratat kanë qenë të natyrës vullnetare, nuk kanë qenë të obligueshme. Mirëpo, fatmirësia ka qenë aty që të gjithë ata djema, të cilët kanë qenë në burgun e Dubravës, pa hezitim e kanë mirëpritur një veprim të tillë. Normalisht që asnjëri prej tyre nuk e ndjenë veten fajtor për veprat, për të cilat ata janë ngarkuar. Mirëpo, sidoqoftë, mendoj që ata nuk e ndjejnë veten që janë njerëz të radikalizuar. Por, megjithatë, në ligjëratat tona, me këshillat tona, me bashkëpunimin që e kemi pasur me ta, mendoj se ka rezultuar me fryte dhe mendoj që ata djem, kur të dalin nga aty (burgu), vetëm sa do të jenë më të dobishëm për shoqërinë”, tha Lushta.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se me gjithë efektet e dobishme që mund t’i prodhojnë ligjëratat e përfaqësuesve të BIK-ut nëpër burgje, ato janë të pamjaftueshme për rehabilitimin dhe risocializimin e personave të radikalizuar.

“Në parim, ky program është adekuat për rehabilitimin e këtyre personave. Por, sipas informatave që ne i kemi, disa prej tyre kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij projekti. Andaj, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Bashkësinë Islame, duhet të gjejnë mekanizma të rinj, që të mund të t’i fusin këta persona në procesin e rehabilitimit, përmes atyre mekanizmave dhe jo të bëhet veprimet veç sa për t’u bërë, në aktivitetet e veta”, tha Balaj.

Ismajl Hasani, profesor i Sociologjisë së Religjionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që projekti i Ministrisë së Drejtësisë dhe BIK-ut, është i mirë në parimin institucional. Por, sipas tij, në deradikalizimin dhe rehabilitimin e të dënuarve për terrorizëm dhe radikalizëm, janë bërë gabime në hapa, për shkak se siç thotë ai, pjesë e korpusit të leksioneve, të këshillave, bisedave dhe kontakteve, është dashur të jenë edhe profilet tjera të ekspertëve.

“Para së gjithash aty është dashur të përfshihen sociologët, punëtorët socialë, posaçërisht psikologët e profilit klinik, meqenëse do të shënoheshin krejtësisht efekte tjera. Ata që vuajnë dënimin, kanë shkuar (në luftëra të huaja) të motivuar, përveç tjerash edhe mbi bazën e një bindje të fortë fetare. Filozofia e qasjes së kësaj problematike duhet krejtësisht të ndërrojë nëse duam që brenda për brenda qendrave korrektuese të shënojmë progres”, tha Hasani.

Megjithatë, Lushta thotë se në burgun ku ka ligjëruar nuk ka pasur raste që kanë refuzuar pjesëmarrjen në ligjërata. Për më shumë, sipas tij, ligjëratat kanë pasur efekt.

“Unë mendoj që po. Mirëpo, ndoshta kishte me qenë më mirë që Qeveria e Kosovës, në vend se t’i burgosë këta djem, të krijojë apo të hapë qendra rehabilituese të tipit të hapur, ku këta djem do të kenë mundësi të vijojnë mësime dhe edukime. Por, në të njëjtën kohë, kishte me qenë më mirë që përmes programeve psiko-sociale, edukative apo edhe përmes formave të ndryshme të angazhimit të tyre, të punësimit, të bëhet rehabilitimi i këtyre djemve. Nuk është e mjaftueshme që me këta djem të komunikohet vetëm në këtë mënyrë, prapa grilave. Mirëpo, ajo çfarë duhet bërë është që këtyre djemve t’u jepet mundësia e risocializimit të tyre në shoqëri”, tha Lushta.

Ndërkaq, Balaj thotë se mekanizmat që shfrytëzohen për rehabilitimin dhe risocializimin e personave të dënuar për terrorizëm, radikalizëm dhe ekstremizëm fetar, nuk janë të veçantë, por të njëjtë që shfrytëzohen për të gjithë të burgosurit.

“Këta persona që janë të dënuar për vepra që lidhen me terrorizmin, disa prej tyre e ndjekin edhe arsimin në shkollat që janë brenda institucioneve korrektuese. Gjithashtu, këshillohen edhe me psikologë që janë brenda institucioneve korrektuese. Por, nuk kam ndonjë informacion që është zhvilluar ndonjë program, përveç ligjëratave nga BIK-u vetëm për këta persona. Do të thotë, janë të njëjtën mekanizma që ekzistojnë edhe për të burgosurit tjerë”, tha Balaj.

Ai ka shtuar se nuk ka mjaft as informacione se kush janë ata psikologë dhe sociologë që janë duke punuar me të dënuarit për vepra që ndërlidhen me terrorizmin dhe nuk ka ndonjë studim të detajuar se cilat janë rezultatet e atij angazhimi.

Ndërkaq, profesor Ismajli thotë që problemi vështirësohet për faktin që personat, të cilët janë në vuajtje të dënimit me burg, nuk mund të nxirren jashtë për të punuar me ta. Për këtë arsye, siç thotë ai, me ta duhet të punojnë profesionistët e profilizuar në mënyrë specifike. Por, megjithatë, sipas tij, institucionet e Kosovës, fillimisht duhet të punojnë me personat që janë nën mbikëqyrje, në përkujdesje apo burg shtëpiak.

“Mendoj që institucionet tona, fillimisht duhet të punojnë me këta njerëz që janë kategori tjetër. Ndërkaq, në qendrat korrektuese, e sidomos në burgun e sigurisë së lartë, në mënyrë rigoroze duhet të dërgohen njerëzit profesionist dhe njerëzit që e njohin teknikat e shkollës së terapisë integruese, të shkollës amerikane dhe të shkollës gjermane. Unë nuk e di që korpusi i këtyre profesionistëve, përfshirë sociologët dhe psikologët, të kenë pasur leksione të këtyre shkollave, aty ku kanë mbaruar studimet”, tha Ismajli.

Në anën tjetër, me gjithë insistimin e Radios Evropa e Lirë për të marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë lidhur me këtë problematikë, zyrtarët e kësaj të fundit nuk janë përgjigjur.

Që nga viti 2012, kur në Siri kishte nisur konflikti, drejt Sirisë dhe Irakut kanë udhëtuar rreth 400 shtetas të Kosovës, burra, gra dhe fëmijë.

Duke luftuar krah organizatave terroriste, përkatësisht, grupit militant Shteti Islamik (IS), janë vrarë më shumë se 70 shtetas të Kosovës.

Personat që kanë arritur që të kthehen në Kosovë, janë përballur me procese gjyqësore. Disa prej këtyre personave janë duke vuajtur dënimet, ndërkohë që duke u hetuar janë edhe 32 gratë që u kthyen në muajin prill nga autoritetet kosovare.

XS
SM
MD
LG