Reuters
Ekonomia e Sirisë është shkatërruar nga lufta civile mbi një dekadëshe dhe nga sanksionet që e kanë shkëputur atë nga sistemi financiar global.
Më poshtë mund të lexoni rreth gjendjes së ekonomisë dhe se si konflikti i ka ndryshuar tregtinë dhe financat qeveritare.
Në çfarë gjendje është ekonomia e Sirisë?
Ekonomia e Sirisë u përgjysmua mes viteve 2010 dhe 2021, tregojnë të dhënat zyrtare siriane të cituara nga Banka Botërore në pranverën e vitit 2024. Megjithatë, me gjasë kjo shifër është e nënvlerësuar, tha banka. Kalkulimet e saj, duke përdorur emetimet e dritës gjatë natës - një tregues për aktivitetin e përgjithshëm ekonomik - treguan një tkurrje më të mprehtë prej 84 për qind midis viteve 2010 dhe 2023.
Banka Botërore e riklasifikoi Sirinë si një vend me të ardhura të ulëta në vitin 2018. Më shumë se 90% e 23 milionë sirianëve jetojnë nën pragun e varfërisë, sipas agjencive të OKB-së.
Të dhënat e Bankës Botërore vlerësuan se ekonomia e Sirisë ishte 23.63 miliardë dollarë në vitin 2022 - afërsisht e barabartë me ekonomitë e Shqipërisë dhe Armenisë, të cilat kanë secila më pak se tre milionë banorë.
Çfarë ndodhi me valutën e Sirisë?
Kriza ekonomike e Sirisë u përkeqësua në vitin 2019 kur Libani fqinj, me të cilin Siria ka lidhje të forta ekonomike dhe financiare, u fut në krizë gjithashtu.
Më pas, Siria paraqiti një mori kursesh këmbimi për transaksione të ndryshme për ta ruajtur qasjen në valutën e huaj. Pas marrjes së pushtetit nga sunduesit e rinj në dhjetor, Banka Qendrore premtoi se do ta adoptojë një kurs këmbimi të unifikuar zyrtar.
Të dhënat e Bankës Qendrore të hënën treguan se kursi zyrtar ishte 13.065 për dollar. Kjo krahasohet me një kurs prej rreth 47 për dollar në mars të vitit 2011 - kur lufta civile përfshiu vendin, sipas të dhënave të LSEG.
Ueb-faqja për gjurmimin e këmbimit valutor nga Karam Shaar Advisory tregoi se kursi në tregun e zi u rrit deri në 22.000 për dollar gjatë rënies së Assadit, por të hënën ishte në 12.800.
Qeveria e re emëroi të dielën Maysaa Sabrine si guvernatore të Bankës Qendrore . Ajo është gruaja e parë në krye të këtij institucioni në historinë e tij mbi 70-vjeçare.
Cila është sasia e rezervave të tanishme në Bankën Qendrore?
Liderët e rinj janë duke punuar për të përcaktuar se çfarë ka mbetur në arkat e shtetit. Kryeministri në detyrë i Sirisë, Mohammad al-Bashir, tha se rezervat valutore janë shumë të ulëta. Burime i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se në arkën e Bankës Qendrore kanë mbetur rreth 200 milionë dollarë, si dhe 26 tonë ar, që vlejnë rreth 2.2 miliardë dollarë me çmimet e tanishme të tregut.
Kjo shifër është dukshëm më e ulët se 18.5 miliardë dollarët në rezerva, të vlerësuara nga FMN-ja në vitin 2010, dhe dukshëm nën pragun minimal të sigurisë që kërkohet për t’i mbuluar importet për tre muaj.
Qeveritë perëndimore kanë ngrirë qindra miliona dollarë asete siriane që nga fillimi i luftës, por madhësia dhe vendndodhja e saktë e tyre mbetet e paqartë. Qeveria e Zvicrës tha se asete siriane të ngrira, në vlerë rreth 99 milionë franga zvicerane, ndodhen aktualisht në vend. Buletini informativ The Syria Report vlerësoi në prill se në Mbretërinë e Bashkuar Siria ka asete të ngrira në vlerë rreth 163.2 milionë funte.
Pavarësisht sanksioneve ndaj Bankës Qendrore, qeveritë perëndimore e kanë lejuar Sirinë t’i përdorë fondet e ngrira për qëllime humanitare, si ilaçe dhe ushqime. Qeveria e re ka deklaruar se pret t’i rikuperojë deri në 400 milionë dollarë nga asetet e ngrira jashtë vendit për financimin e disa reformave, duke përfshirë rritje të pagave për 400 për qind për disa punonjës të sektorit publik muajin e ardhshëm.
Si kanë ndikuar sanksionet ndaj tregtisë dh ekonomisë?
Rënia e të ardhurave nga nafta dhe turizmi e kanë rrënuar eksportin e Sirisë, duke e ulur nga 18.4 miliardë dollarë në vitin 2010 në vetëm 1.8 miliardë dollarë në vitin 2021, sipas Bankës Botërore. Edhe importi shënoi rënie gjithashtu, por në një masë më të vogël - nga 22.7 miliardë dollarë në 6.5 miliardë dollarë, për shkak të varësisë nga karburanti dhe ushqimet e importuara.
Ky hendek i madh ka shtuar trysninë mbi financat e Qeverisë, duke e detyruar atë t’i financojë disa importe me para të fituara nga shitjet e një droge stimuluese të varësisë, e njohur zakonisht si captagon, ose nga kontrabanda me karburant, sipas ekspertëve.
Prodhimi i captagonit është bërë sektori më të vlefshëm ekonomik i Sirisë, sipas Bankës Botërore, e cila vlerëson se vlera e përgjithshme e tregut të drogës që buron nga Siria mund të arrijë deri në 5.6 miliardë dollarë.
Me çfarë sfidash energjetike përballet Siria?
Më 2010, Siria i eksportoi 380.000 fuçi naftë për ditë. Ky burim i të ardhurave u zhduk pas fillimit të konfliktit në vitin 2011. Fraksione të ndryshme - përfshirë Shtetin Islamik dhe luftëtarët kurdë - kapën vendburimet e naftës, ndërsa këta të fundit nënshkruan marrëveshje me kompani amerikane. Sanksionet e bënë të vështirë eksportin legjitim të naftës.
Humbja e këtyre të ardhurave e la Sirinë të varur nga importet e energjisë - kryesisht nga aleatët si Rusia dhe Irani. Rachel Ziemba, këshilltare e lartë për sanksionet në firmën Horizon Engage, tha se rreth 1-3 milionë fuçi karburant që Siria merrte çdo muaj nga Irani ndaluan në fund të dhjetorit, pasi Teherani e ndërpreu mbështetjen.
Ajo shtoi se mungesa e qasjes në sistemin global bankar, për shkak të sanksioneve dhe shpalljes së grupit kryesor rebel, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), si organizatë terroriste, e ndërlikon blerjen komerciale të karburantit.
Si e ka pësuar agrikultura?
Konflikti dhe thatësira e pakësuan numrin e fermerëve, dëmtuan sistemet e ujitjes dhe kufizuan qasjen në fara dhe plehra kimike.
Prodhimi bujqësor ra në shkallë rekorde gjatë viteve 2021 dhe 2022, pasi prodhimi i grurit u zvogëlua në një të katërtën e rreth katër milionë tonëve në vit që prodhohej para luftës.
Siria importonte rreth një milion tonë drithëra çdo vit nga Rusia, por rrjedha ndaloi pas marrjes së pushtet nga udhëheqësit e rinj. Ukraina ka treguar gatishmëri për ta furnizuar atë me drithëra, por mbetet e paqartë se si Siria mund të paguajë për to.